E cilësuar si ‘bleta punëtore’ e Rilindjes, Briseida Shehaj është rikthyer sërish në vëmendje të publikut. Asaj i është besuar drejtimi i Task Forcës për Bregdetin, që u ngrit pak kohë më parë nga qeveria.
Emri i Shehajt u përmend në deklaratën e sotme të kreut të ALUIZNI-t, Artan Lame, i cili ndër të tjera tha se janë vërejtur fenomene korruptive gjatë kontrolleve të kryera nga Hipotekat në lidhje me regjistrimet e akteve të marrjes së titujve të pronësisë.
Lame tha se materialet do të vihen në dispozicion të Taks Forcës që sot e tutje do të drejtohet nga Shehaj.
Ky emërim i saj vjen në një kohë kur qeveria ka stopuar dhënien e titujve të pronësisë për tokat në bregdet, me pretendimin për të frenuar abuzimet dhe mbrojtur investitorët strategjikë.
Por nuk është e qartë ende nëse ajo vazhdon ta mbajë apo jo detyrën e drejtoreshës së AIDA-s.
Shehaj u bë e njohur pas emërimit si drejtorëshë e përgjithshme e Tatimeve. Më pas kaloi në postin e zv.ministres së Ekonomisë, ku qëndroi pak kohë dhe më tej në krye Agjencisë së Zhvillimit të Investimeve të Huaja në Shqipëri./Opinion.Al/