KNGRESI I MANASTIRIT, NGJARJE E RËNDËSISHME E IDENTITTETIT TONË KOMBËTAR DHE EUROPIAN

0
Kongresi i Manastirit
Mund të jetë një imazh i ambiente të jashtme dhe teksti
Nga Ferit HOXHA
Vendosmëria e delegatëve për t’i kthyer sytë nga perëndimi ishte haptazi një shpallje kulturore e pavarësisë, gjë që nuk kaloi pa u vënë re as nga qeveria turke e as nga kisha ortodokse greke dhe aleatët e tyre sllavë.
Mbajtja e Kongresi Manastirit për alfabetin shqip që u mbajt nga 14-22 Nëntor 1908 ishte pavarsia e parë e Kombit, mbas kohës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut…!!! “Gjuha është pasuri dhe zhvillim. Gjuha është e drejta e identitetit , ndërsa njeriu i kulturuar është ai që shkruan, ka kulturën e vet dhe gjen mënyrën për ta treguar”. Më, 22 Nëntor është ditë e shënuar për Shqipërinë, Kosovën, Shqiptarët e Maqedonisë dhe për të gjithë diasporën shqiptare,e njohur si Dita e Alfabetit Shqip.
Kongresi i Manastirit në vitin 1908 miratoi një alfabet të unifikuar i cili sot përdoret si një vetëidentifikim dhe promovim i të gjithë shqiptarëve në ngjarjet e historisë kombëtare. Paraardhësit tanë në rrethana të vështira dhe jo të favorshme historike kanë luftuar për të drejtën e krijimit të një alfabeti të vetëm dhe të një gjuhë të përbashkët për verifikimin dhe afirmimin personal në botë. Gjuha është shpirti i një kombi dhe alfabeti është një thesar i kulturës që ka të bëjë me të kaluarën. Nuk është thënë rastësisht: “Sa gjuhë njihni, kaq vleni”!
Manastiri, qyteti i konsujve, muzikës dhe i legjendarit Mustafa Qemal Ataturk, sot e thekson bukurinë e tij si një konglomerat civilizimi i ndikimeve kulturore dhe proceseve të zhvilluara nëpër rrugët të Shirok Sokakut.Jo rastësisht në këtë qytet është mbajtur Kongresi Manastirit dhe unifikimi i Alfabetit Shqiptar i përdorur sot nga i gjithë kombi.
Kumtesa e mbajtur në ketë kongres nga Gjergj Fishta, preku të gjithë pjesëmarrësit. Kërkesa e kombëtaristëve shqiptarë ishte që gjuha shqipe të mos shkruhej as me shkronja arabe, as me shkronja greke, por me alfabetin latin, gjë që do nënkuptonte mosnënshtrim, qoftë ndaj otomanëve, qoftë ndaj grekëve. Kongresi vendosi me votë unanime të lërë mënjanë alfabetet e tjera, dhe ta shkruanin gjuhën shqipe vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja i cili përdoret deri më ditët tona. Gjithashtu, u vendos që pas dy vjetësh të mbahej një Kongres i dytë në Janinë për të shqyrtuar problemet drejtshkrimore e letrare, si dhe për të bërë përpjekje për shkrirjen e dialekteve gegë dhe toskë në një gjuhë të njësuar shqipe.Mund të jetë një imazh i teksti
Duke qenë se para Kongresit të Manastirit, gjuha shqipe ishte shkruar me shkronja arabe, greke, sllave, apo përshtatjet e tyre, vendosmëria e delegatëve për t’i kthyer sytë nga perëndimi ishte haptazi një shpallje kulturore e pavarësisë, gjë që nuk kaloi pa u vënë re as nga qeveria turke e as nga kisha ortodokse greke dhe aleatët e tyre sllavë. Me telegramin që i dërgoi Fishta nga Manastiri më,22 nëntor 1908 Abatit Preng Doçi në Shkodër, shkruhet: “Çështja e alfabetit u zgjidh.U pranuen me pak ndryshime alfabetet e “Frashërit” e “Bashkimit”. Çdo tjetër u përjashtue”.
Në Kongresin e Manastirit At Gjergj Fishta dhe Luigj Gurakuqi, përfaqësuan shoqërinë “BASHKIMI” me qendër në Shkodër. Shoqëria “Bashkimi” kishte hartuar alfabetin shqip që në vitin 1899, kur u themelua, pra 9 vite para Kongresit të Manasirit.Shoqëria “Bashkimi” kishte dalë me gërmat shqip dhe ky alfabet u propozu nga Fishta në Kongresin e Manastirit dhe pas shqyrtimit, Kongresi i Manastirit vendosi, që alfabeti i “Bashkimit” të jetë alfabeti i vetëm kombëtar i gjuhës shqipe.
Pas miratimit të alfabetit shqip në Kongresin e Manastirit, Abdyl Frashëri shprehej:“Evropa na ka njohur si njerëz të luftës, tani ajo do të na njohë edhe si njerëz të punës dhe përparimit”. Gjatë punimeve të Kongresit, Atë Gjergj Fishta u zgjodh Kryetar Vendimmarrës i shkronjave shqipe. Njëkohësisht në Kongresin e Manastirit, i quajtur si Kongresi i Alfabetit Shqip (14-22 nëntor 1908) nga 50 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt, Amerikë etj, Kryetar i Komisionit të Kongresit u zgjodh GJERGJ FISHTA,sepse At Gjergj Fishta ishte një nga luftëtarët më të mëdhenj për çështjen kombëtare të popullit shqiptar. Sekretare e komisionit të kongresit u zgjodh Parashqevi Qiriazi, mësuese e shkollës së vashave në Korçë.Në atë Kongres merrnin pjesë shqiptarë të fesë muslimane, katolike, ortodokse dhe protestante, njerëz të ditur dhe të gjithë erdhën së bashku, për arritjen e një qëllimi të madh kombëtar. Kongresi i ABC-së shqipe i mbajtur në Manastir (14-22 nëntor 1908,) zgjodhi komisionin e hartimit të alfabetit si më poshtë vijon;
Kryetar i Komisionit: Gjergj Fishta
Nënkryetar: Mithat Frashëri
Sekretar : Luigj Gurakuqi
Anëtarë : 1. Ndre Mjeda, 2. Bajo Topulli, 3. Sotir Peci, 4. Gjergj Qiriazi, 5. Shahin Kolonja …
Me anë të këtij shkrimi, ku pëbëhet kryesisht me materjale të marra nga arkiva të ndryshme, kam pasur si qëllim kryesor freskimin e memorjes për këtë ngjarje historike të kombit tonë e sidomos sensibilizimin e brezit të ri!
HYMNI I ALFABETIT
Sot ësht’ dita, shqipëtarë, të përpiqemi,
Alfabetin ton’ ta mbrojmë.
Shpejt, o burrani!
Shkronjat tona jan’ të arta,
Këto duam ne.
REFRENI:
Shqipëri, atdhe i dashur, ne s’të lemë ty të varfër (2x)
Armiqtë, o shqipëtarë,
Po përpiqenë,
Shkronjat turçe dhe greqishte
Të na japinë.
Le t’i mbajnë ato për vete,
Kemi tonatë.
REFRENI:
Shqipëri, atdhe i dashur, ne s’të lemë ty të varfër (2x)
Parashqevi Qiriazi
U lumtë burrave të Shqipërisë
U lumtë atdhetarëve të shtrenjtë,
Themel me nder që i vunë kombësisë
Që mbushën një detyrë sot të shtrenjtë,
Kudo në botë shtyllë është dija,
Kudo ajo shkëlqen me rezat t’arta,
Ndriton njerinë s’ është si bagëtija
Po i derdh në zemër ndjenja gjithë të larta.
Azdreni
Përmbî zâ, që lëshon bylbyli,
Gjuha shqipe m’shungullon,
Përmbi erë, që nep zymbŷli,
pa ‘da zemrën ma ngushëllon.
Gegë e toskë, malësi, jallia,
jan nji komb, m’u ‘da s’duron,
fundë e majë nji âsht’ Shqipnia,
e nji gjuhë t’gjith na bashkon.
Ndre Mjeda

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.