Anton Pllumaj
Famullia e Grudës asht ma e vjetra në Malsi. Me siguri mund të themi, se këtu krishtenimi ka depertue qysh në shekujt e parë. Dëshmi janë edhe shumë rrënime kishash që gjenden brenda territorit të saj që dihen, dhe ato që dheu i ka mbulue. Për fat të keq, historia e krishtenimit në këto troje, asht zhduk bashkë me rrenimin e kishave që dikur lulëzonin.
Themelimin e famullisë së Grudës e marrim në shekullin XVII-të 1640, sepse në këtë kohë filluen Misionet Françeskane. Në këtë kohë, Misioni i Grudës, përfshinte gjithë Malsinë e Madhe deri në Pult. Rreth vjetit 1639, françeskanët u nisën drejt Maleve të Mbishkodrës. Misionarët u nisën nga Zadrima, tue kalue Drinin, Shkodrën dhe vizituen Hotin, Kastratin. Më në fund, arritën në Grudë. Aty e panë të nevojshme që të ngrinin nji Qender të re Misionare. Katundi ku u vendosen françeskanët ishte në Cem të Grudës. Françeskanët zunë vend në nji ksollë të mblueme me kashtë, tue përjetue të ftohtit e akullin e dimnit, dhe me ata pak ushqim që populli i Grudës, edhe pse i vorfën, mundohej t’i mbante misionarët. Tue e pa situatën e tyne, populli i Grudës ndërtoi për ta nji qelë të përshtatshme, në muejin e majit të vjetit 1642. Përveç misionit fetar që ishte kryesori, françeskanët dhanë nji kontribut të jashtëzakonshëm në arsim dhe mjekësi. Shkollat e para i hapën në Pllanë (1638), dhe Blinisht (1639). Data e themelimit të shkollës në Grudë, merret vjeti 1642. Themeluesi i kësaj shkolle ishte pader Bernardini prej Romet. Në maj të 1642, ai i shkruen Kongregatës në Romë: “misionarët kishin pagëzue me qinda fmijë, dhe kishin hapë nji shkollë për arsimimin e atyne fmive, në lavd e frigë të Zotit”. Tue kenë se Gruda ishte nji ndër famullitë ma të vjetra dhe ma e ransishmja e Malsisë, me siguri mund të themi se edhe arkivat e saj ishin të pasuna me dokumente kishtare, po ashtu edhe me dokumente të randësisë kombëtare. Për fatin e arkivave të Grudës na ka lanë dëshmi pader Anton Harapi: “N’zyre t’ksajë famullie para vjetit 1910 mujten m’u gjetë shum dorshkrime, letra e dokumenta jo vetëm kishtare por edhe historjake e politike, por mas luftet kundra Turkut qi bani Malcia e Madhe, e mas hiket qi bani Hot e Grudë n’vjetë 1914 per me protestue kundra Konferencës s’Londrës qi ia lshoj kto male Malit Zi, Kisha tue pasë ra n’dorë t’Turqve nji here mandej edhe t’Malazezve, posë dameve tjera qi shkaktuen kto rasa t’mundueshme, kje edhe t’bjerrunt e t’hupunt e gadi t’gjith dorshkrimeve qi u gjeten n’ket Kishë…”Mbasi famullitari Dom Simon Filipaj, në vjetin 1960, zbriti me banim në Kuvendin Françeskan të Tuzit, që të mos pësojnë damtime, gjithë arkivi i Grudës u suell në kuvend të Tuzit. Në Grudë shërbyen meshtarë me famë që i dhanë shum kulturës sonë, siç ishte pader Egidio Quinto nga Armeno, përkthyesi i Kuvendit të Arbnit, i madhi pader Anton Harapi, autori i librit Ândrra e Prêtashit dhe Dom Simon Filipaj, përkthyesi i Biblës në gjuhën shqipe.