Kapiteni i ushtrisë shqiptare Bledar Vuçaj në bashkëpunim me një kolonel jordanez dhe një major amerikan mbrojtën një punim shkencor në Shkollën e Studimeve Detare Pasuniversitare në Monterey të SHBA-së. Kjo shkollë është një nga institucionet më prestigjoze të edukimit ushtarak amerikan. Punimi shkencor i këtyre tre ushtarakëve shërbente si punim diplome për vitin 2017 për ta. Teza e tyre trajtonte në mënyrë shteruese fenomenin e ISIS-it, që nga lindja e Daesh-it e deri te prognozimi se si do të jetë e ardhmja e kësaj organizate pas disfatave, që ka pësuar në fushëbetejat në Irak dhe Siri.
Ne si shqiptarë ndihemi krenarë, që kemi oficerë të tillë, që konkurojnë dhe fitojnë si të barabartë edhe në institucione arsimore ushtarake ndër më prestigjozet e Amerikës. I kujtojmë lexuesit se kapiten Vuçaj ka kryer më parë akademinë ushtarake angleze, të famshmen “Royal Military Academy Sandhurst”. Për koincidencë nga kjo akademi është diplomuar edhe Pretendenti i fronit mbretëror shqiptar i ndjeri Leka Zogu i si edhe i biri Princi Leka Zogu II .