Namik Selmani — Hiri i kujtimeve
Mo u bëfshin kurrë si hiri kujtimet!
Mos u djegshin në zjarrin bubulak!
Zemra të ndiejë veç gjëmimet
Si purteka në lëkurën e daulles së lashtë
Mos qofshin kujtimet si hiri që tretet
Packa se do ketë diku ylbere me dritë.
Kur koka në jastëk të mbështetet
Do të mbetet në vazo për to një filiz.
Do të lëmë një këngë pa kënduar
Do të mbetet një fjalë e thjeshtë, e mençur
Do bien tërmete në muret rrëzuar
Po kujtimet mos qofshin si bora e tretur!
Do të ketë krisma në luftën e rreptë
Nuset do vënë vëthët, varëset, stolitë
Ata mos qofshin gjurmë në rërë të nxehtë!
Po shkronja gdhendur në shkëmbinj.
Hi do të bëhen një ditë këmbët, duart, faqet
Nuk do shohë më pasqyra flokët e derdhur
Qofshin kujtimet udha që zgjatet e zgjatet
Mos qofshin si qiri me dritë të mekur!
Mbase do shkrijnë në pole gjithë ajzbergët.
Pelikanët mund të mbesin pa liqenin me valë.
Kujtimet të mbeten për të gjithë si lavjerrës
Si cicëronë të urtë të një kohë që lamë.
13 mars 2018