Thanas L. Gjika
(Koncerti i Korit të Kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, Worcester MA)
Kisha shqiptare “Fjetja e Shën Mërisë”, Worcester MA, sipas rregullit të saj të përvitshëm, më datën 7 dhjetor ora 7:00 PM hapi sezonin e festimeve të Krishtlindjeve me koncertin e këndshëm që dha kori i kishës me këngët kushtuar Lindjes së Jezu Krishtit. Fr. Mark Doku, prifti i kishës, e hapi festën. Në fjalën e rastit veç të tjerave ai falenderoi dirigjentët, z-njtë Lazi Danga & Jon Anderson, dhe anëtarët e korit: Androniqi, Olgeta e Sofiela Danga, dhe Terry Peters, Chrisy Andersons, Henry Anderson, Kevin Koroveshi, John Sedares dhe Remingnton Janssen.
Më tej Fr. Marku falenderoi grupin e madh të grave dhe vajzave që punuan disa ditë me radhë nën drejtimin e Zonjës Barbara Pero për të zbukuruar sallën e ngrënies e për përgatitjen dhe servirjen e ushqimeve.
U kënduan gjashtëmbëdhjetë këngë, njëra më e bukur se tjetra, por të gjitha në anglisht. Shpresoj që vitin e e ardhshëm të këndohen dhe disa këngë shqip, ashtu si këndohen në kishat ortodokse të Shqipërisë, sepse kisha “Fjetja e Shën Mërisë” (Saint Mary Assumption) si kishë shqiptare nuk duhet ta dobësojë karakterin shqiptar, por ta forcojë. Disa pjesë të liturgjisë Fr. Marku, i cili tani e zotëron gjuhën shqipe mjaft mirë, është e nevojshme t’i mbajë shqip, sepse shumë shqiptarë të moshuar duke mos ditur anglisht, po shkojnë tek kisha greke.
Kur kam pyetur disa nga këta shqiptarë: “Pse nuk vini tek kisha jonë? Më janë përgjigjur: “Ne nuk marrim vesh anglisht, kurse greqisht dijmë disa fjalë. Kisha greke e “Shën Spiridhonit” është në mes të qytetit, dhe e kemi më pranë”.
Mbas 32 vjet nga koha kur ndërroi regjimi dhe u hapën kufijtë, komuniteti ynë shqiptaro-amerikan është shtuar. Edhe anëtarësia e kishës sonë është shtuar e forcuar nga pjesëmarrja e të riardhurve mbas vitit 1992. Mbas këtij viti e këtej i janë bërë kishës disa përmirësime arkitekturore dhe mbi të gjitha asaj iu zbukuruan muret me pikturat e realizuara me sukses prej piktorit të talentuar Dhimitër Çika, të cilat kanë një vlerë sa dyfishi i karabinasë së godinës fillestare të vitit 1992. Shqiptarët e riardhur po bien në sy edhe si donatorë në shumë. Festa fetare dhe komunitare, sidomos në organizimin e Festivalit të kulturës shqiptare. Edhe në listën e donatorëve të këtij koncerti, përvec familjeve të ardhura para L2B si familjet Eleonor & John Sedares, Tom Christo, Barbara Pero, Paul Proco, kishin kontribuar dhe familje të ardhura pas vitit 1992: Altin Kosta, Pavlina Tollkuci dhe Sophia Zhidro.
Bashkia e qytetit na ka thënë se në Worcester MA dhe rrethinat jetojnë mbi 25 mijë shqiptarë. Nga këta shumica janë korçarë, përmetarë e gjinokastritë të besimit ortodoks. Por nuk është bërë punë e mjaftueshme afruese dhe kështu kisha jonë nuk ka më shumë se 500-600 anëtarë, kur mund të kishte disa mijëra…
Pasi përfundoi koncerti, pjesëmarrësit zbritën poshte te salla e madhe e ngrënies. Tavolinat ku darkuan mbi 100 vetë kësaj radhe ishin stolisur shumë më bukur se herët e tjera. Ranë në sy mbulesat e bardha krejt të reja të zbukuruara me shirita shumëngjyrësh, dhuratë e familjes Danga; vazo me lule të gjalla “Christmas Flowers”, pjata të bardha plot lule anash, kurse lugët pirunat e thikat plastike të cilësisë së parë të lyera me varak të verdhë, dukeshin si të lara në flori.
Ushqimet ishin vendosur në dy tavolina të mëdha në mes të sallës, ku njerëzit vetëshërbeheshin. Sallatra, mezera, ushqime deti si karkaleca, oktapod, etj, qofte me mish viçi, kuvare e kërpudha të mbushura, fasule pllaqi, etj dhe ëmbëlsira të shumllojshme…
Për herë të parë u përdorën disa tavolina të vogla të rrumbullakta të larta, ku hanin e pinin në këmbë tre – katër veta. Gostia vijoi nga ora 8:00 deri në 10:30 PM.
Të gjithë u kënaqën së tepërmi, dhe herë pas here thoshin: “Kësaj here jemi kënaqur më shumë se vitet e tjera, ju lumshin duart zonjave që e ngritën nivelin e shërbimit e të paraqitjes së gostisë”
Shprehja e kënaqësisë vijoi edhe të nesërmen, pra sot ditë e dielë 8 dhjetor, tek salla poshtë ku u pinë kafet e të ndarave për zonjat Eileen Tisdale dhe Valentina Raci…