Përgatiti: Gladiola Jorbus
Fika është një traditë e mirënjohur, gjithpërfshirëse dhe e këndshme suedeze. Ajo konsiston në shijimin e kafesë me miq, familjarë, të afërm etj.Suedezët e të gjitha moshave dhe gjinive e kanë përqafuar këtë zakon: “Le të bëjmë fika”, është një mesazh më se normal që mund të marrin nga njëri – tjetri, miqtë dhe mikeshat të cilët nuk janë parë prej kohësh. Kafeja me avull shoqërohet me ëmbëlsira dhe simite suedeze me kanellë.Aq e rrënjosur është kjo traditë në psikikën suedeze, aq sa disa kompani u shtojnë një klauzolë kontratave, ku thuhet se punonjësit kanë të drejtë për pushimin e fikës. Kjo e fundit, jo vetëm që nuk e pengon punën, por përkundrazi promovon mirëqenien dhe produktivitetin te punonjësit, duke luajtur një rol terapeutik.Fika, e cila përdoret gjerësisht si emër dhe si folje (po t’i referohemi morfologjisë), mund të konsumohet në shtëpi apo në natyrë. Dhe falë të drejtës për qasje publike (unikale), që e ofron veçse një shtet si Suedia, njerëzit janë të lirë ta shijojnë apo të realizojnë fikën pothuajse kudo; në pyll, në park, buzë detit, liqenit, në kafene, në restorant, në vendin e punës etj.Por kur u shfaq për herë të parë fika, ky ritual kaq simpatik?! Vetë fjala fika besohet të jetë një përmbysje e rrokjeve së fjalës kaffi, drejtshkrimi i vjetër i fjalës kafe.Fillimisht ishte vetë kafeja, e cila u prezantua në Suedi, në shekullin XVIII që u konsiderua fika aktuale. Me kalimin e viteve, ëmbëlsirat shoqëruese të pjekura – të njohura si fikabröd (bukë fika) – u bënë po aq të rëndësishme, sa edhe vetë zakoni me vlerë shoqërore. Me ardhjen e pastiçerive në Suedi, në shekullin XIX u përforcua tradita miqësore, nën binomin kafe – ëmbëlsirë.