DR. XHEVAT SYLA, PEDAGOG, POET DHE STUDIUES I MIRËFILLTË I LETËRSISË PËR FËMIJË

0
41
Zekerija Idrizi: dorëshkrimi “Portrete shkrimtarësh”
Dr. Xhevat Syla shquhet në dy fusha substanciale të krijimtarisë letrare e studimore: është poet fjalëbukur dhe studiues i spikatur e i palodhshëm i letërsisë për fëmijë.
Xhevati tashmë është një emër i mirënjohur si njeri i letrave, studiues e poet me emër dhe përkushtim, i pajisur me dije të gjera e formim të mirë filologjik, së pari, nëpërmjet shkollimit e kryerjes së studimeve universitare e pasuniversitare për letërsi dhe gjuhë shqipe në Universitetin e Prishtinës. Aty ai ka kryer e fituar gradat e masterit dhe të doktorit në shkencat filologjike me punime nga fusha e letërsisë për fëmijë. Dhe, në të vërtetë, ai pikërisht aty ka gjetur edhe fushëbeprimin e vet: i është qasur letërsisë për fëmijë dhe, me kohë, natyrisht për hir të talentit, përkushtimit e një kundrimi sa të thellë aq edhe të gjerë në kundrimin sa më të orientuar të veprave dhe autorëve të letërsisë shqiptare për fëmijë, ia ka dalë të jetë tashmë një nga emrat e paktë që e ka shpënë letërsinë për fëmijë në piedestal, duke qenë, krahas Astrit Bishqemit, vijues e hulumtues dorëmbarë i pohimit e përnjohjes së vlerave të mëparshme e bashkëkohore të kësaj letërsie.
E ka filluar shkrimtarinë si poet, madje, poezinë e parë e ka botuar më 1966, kur ishte ende djalosh, ndërsa vëllimin me vjersha për fëmijë “Syri i pranverës”, që ishte aq tërheqës qysh nga titulli me atë metaforë bukurane, e ka botuar më 1976, kur ishte vetëm njëzet vjeç. Pra, ai ka ardhur në letrat shqipe me shkëlqim të hershëm e me vlagë pune e ngulmim të përhershëm, madje, duke u bërë tashmë një nga krijuesit më prodhimtarë të letërsisë.
* * *
Dr. Xhevat Syla u lind në Istog më 1956. Aty mbaroi shkollën fillore dhe gjimnazin, ndërsa studimet universitare dhe pasuniversitare për letërsi dhe gjuhë shqipe i mbaroi në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës. Në po këtë fakultet ai edhe magjistroi dhe doktoroi në fushën e letërsisë për fëmijë.
Si i ri pati funksione të larta në organizatën e rinisë, si kryetar i rinisë në komunën e Istogut dhe kryetar i rinisë së Kosovës. Punoi kryeredaktor në gazetën e studentëve “Bota e re” në Prishtinë, shumë vite ishte kryeredaktor në Entin e Teksteve dhe të Mjeteve Mësimore të Kosovës, pastaj redaktor në Shtëpinë botuese “Libri shkollor” të Prishtinës. Në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës, Dega në Gjakovë, ligjëroi lëndën Letërsi për fëmijë. Po këtë lëndë e ligjëroi shumë vite edhe në Kolegjin AAB, si dhe në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë. Që nga viti 2009 e drejton punën e Karvanit të Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva”.
Me krijimtari letrare merret që nga shkolla fillore. Vjershën e parë e botoi më 1966, kurse përmbledhjen e parë me vjersha për fëmijë “Syri i pranverës” e botoi më 1976 në Shtëpinë Botuese “Rilindja” të Prishtinës.
Deri tash botoi edhe këta libra:
“Hyrje në vjeshtë”, vëllim poetik për të rritur, Rilindja, Prishtinë 1993,
“Vjersha e humbur”, poezi për fëmijë, Rilindja, Prishtinë 1996,
“Arti i porosisë”, monografi për veprën letrare të Vehbi Kikajt, Libri shkollor, Prishtinë 1998
“Orët e duartrokitjeve” (2002), bashkautor me Agim Devën, SBASHK-u, Prishtinë 2002
“Zilja e fëmijërisë”, përmbledhje tregimesh për fëmijë, Libri shkollor, Prishtinë 2002),
“Harmonika e atdheut”, monografi për poezinë e Xhevat Beqarajt, Faik Konica, Prishtinë 2005
“Kush e shkruan poezinë”, recensione, vlerësime për letërsinë për fëmijë, Faik Konica, Prishtinë 2005,
“Universi i mirësisë”, monografi për jetën dhe veprën letrare të Ymer Elshanit, Libri shkollor, Prishtinë, 2008,
“Vel vjeshte”, poezi për fëmijë dhe të rinj, Libri shkollor, Prishtinë 2009,
“Kuvendim poetik”, antologji e poezisë shqipe për fëmijë, Libri shkollor, Prishtinë 2010,
“Mbreti nga Qerreti”, poezi për fëmijë, Botimet KOHA, Prishtinë 2015,
“Bardhosh Gaçe – etnologu,, studiuesi e pedagogu”, bashkautor me I. Spasse, F. Shkodra, MALUKA, Tiranë 2015,
“Më shumë se mbresa”, autorë dhe vepra letrare për fëmijë dhe të rinj, Libri shkollor, Prishtinë 2016,
“Kënaqësia e leximit”, autorë dhe libra, Libri shkollor, Prishtinë 2024
“Vëllai i Abetares” (2022), bashkautor me Astrit Bishqemin, ERIK, Tiranë 2022.
Është autor apo bashkautor edhe në tekstet shkollore:
Leximi letrar 9, Libri shkollor Prishtinë 2004,
Leximi 4, Libri shkollor, Prishtinë 2006,
Leximi 5, Libri shkollor, Prishtinë 2007,
Leximi letrar 6, ALBAS 2005,
Gjuha shqipe 1, Libri shkollor, Prishtinë 2021,
Shqiptarët – historia dhe trojet, për nivelin e dytë të mësimit në diasporën shqiptare, Dukagjini 2012,
Letërsi shqipe, për nivelin e parë të mësimit në diasporën shqiptare Dukagjini 2013,
Letërsi shqipe për nivelin e dytë të mësimit në diasporën shqiptare, Dukagjini 2013,
Letërsi shqipe, për nivelin e tretë të mësimit në diasporën shqiptare, Dukagjini 2014,
Përgatiti për botim:
“Letërsia shqipe për fëmijë dhe kritika për të”, botoi Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva”, Prishtinë, 2009
“Agim Deva i letërsisë për fëmijë”, botoi Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva”, Prishtinë 2016
Ka botuar artikuj dhe shkrime të shumta publicistike nëpër shumë gazeta, revieta e portale.
U nderua me çmime e mirënjohje letrare, si:
Çmimi “Vehbi Kikaj” nga komuna e Podujevës, Çmimi “Ymer Elshani” nga Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva” (2010),
Çmimi i Panairit të Librit në Tiranë si shkrimtar i vitit për fëmijë (2009),
Çmimi i Panairit të Librit në Prishtinë, po ashtu si shkrimtar për fëmijë, (2016),
Çmimi i Klubit letrar “Podguri” në Istog etj.
Me respekt dhe konsideratë atdhetare:
Berlin – Shkrimtar

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.