VIKTOR MARTINI: POLITIKA JONE NE “RRUGE PA KRYE “

0
46

Ne foto: Viktor Martini (djathtas) dhe At Pjetër Mëshkalla, shokë burgu në burgun e Burrelit!

Pena.al: Ju jetoni në SHBA por vini cdo vit në vendlindje. A vëreni ndryshim kur vini, sidomos në Shkodër?

V. Martini: Po, unë çdo vit vij në Shkoder. Për 32 vite që jam në Amerikë, e kam vizituar Shkodrën 35 herë. Në Shkoder marr oksigjen. vi me heq mallin e kthehem pa heq mallin. Në Shkodër kam shpirtin e në Amerike kam trupin. Ndryshim? Varet për çka e keni fjalën. Nëse po flisni për politikanët, pak kanë ndryshu. Kurse për Shkodrën, asht heret me fol për ndryshim, por shenjat e para për nji ndryshim pozitiv duken.

Pena.al: Po politiken “e madhe” si e shihni?

V. Martini: Politikën e madhe për të cilin më pyesni ju unë e quaj “rrugë pa krye” e jo demokratike. Në këtë rrugë pa krye të politikës, meritën kryesore e ka vetë zoti Berisha, i cili vendosi “ligjin” pushtet pa kufi, sepse mendonte se do të ishte i përjetshëm në pushtet. Po ju baj unë nji pyetje tash: a nuk mendonte edhe Enver Hoxha kështu?!

Pena.al: Që të jemi të qartë, Edi Rama, sipas sondazheve dhe analizave, e ka të sigurtë edhe një tjetër mandat, që do të thotë mandati i katërt. A të duket normale për një demokraci dhe pse ndodh kjo?

V. Martini: Për mandatin e katërt edhe unë mendoj se e ka në xhep, dhuratë nga Berisha me veprimet e tij. Partia mundet të fitojë pa kufi, po jo kryeministri që duhet të ketë limit, si fjala vjen Presidenti në Amerikë.

Pena.al: Ku mendoni se ka ngecur treni i opozitës, e cila është garante e demokracisë dhe një pasuri kombëtare për zhvillimin demokratik të një vendi?

V. Martini: Treni i Partisë Demokratike vazhdon të eci në destinacionin ku e caktoi Ramiz Alia. Kjo pasuri kombëtare asht e trajtume tepër keq në vendin tonë. Si pasuria kombëtare që është masakruar e vjedhur nga korrupsioni për 33 vjet “demokraci”.

Pena.al: Ju vini nga shtresa e ish-të persekutuarve politikë. Ku janë ata dhe kush i përfaqëson sot?

V. Martini: Unë e krijova këtë shoqatë në Shkodër. Isha kryetar per Shkodrën dhe nënkryetar për gjithë Shqipërinë. Jam perpjekur që mos të shpërdahena. Të jemi të bashkum. Pushteti  e quante shoqatën tonë rivalin kryesor, ku u përpoq me çdo mënyrë e mjet ta coptonte. Gjendja e kësaj shoqate sot asht e mjerushme sepse në Shkodër asht në krye Zenel Dranga që vrau Dhimitër Nikën i cili perfaqëson ato njerëz që kombit si vijnë ma. Po kështu kemi dhe Besim Ndregjonin në Tiranë, kryetar i bashkimeve… Le ta mbajnë këtë turp ata që pranuan coptimin e kësaj shoqate. Qeveritarëve ju intereson kjo, që mos kenë njerëz me karakter në krye të shoqatës e ti blejnë për të shitur vuajtjet e bashkvuajtësve, gjë që ka ndodh.

Pena.al: A ka nje recetë se si dilet nga gjendja e statuskuosë ku gjendet Shqipëria, sipas mendimit tuaj “amerikan”?

V. Martini: Po, ka. Mbrojtja e interesave të mbarë shqiptarëve, duke mos shitur e mos blerë votën, sepse duke shitun e ble votën kemi vra demkracinë e të ardhmen. Duhet me ik nga militantizmi pa gjykim e argument. Shkruajta në facebook se fitoren në Shkodër ja dhuruan socialistëve duke mos bërë disa punë për qytetarët, etj. Mu ngrit një nga miqtë virtualë që kishte emrin PD dhe thoshte se kemi bërë këtë e atë e këtë e atë, asnjë gabim… Ju ktheva e i thashë: qenka rehat zoti Benet Beci pra, spaska nevojë me dal një ditë në punë se ju i paskeni ba të gjitha… Më bëri menjëherë bllok.

Pena.al: Kur vini në Shqiperi, Shkodër kryesisht, si i keni marrëdheniet me miqtë, janë shtuar a pakësuar?

V. Martini: Miqtë e mirë gjithmonë mbeten miq. Miqtë më të mirë që kam janë nëpër vorre, ata mbetën të pa përlym me diktatorët, të vjetër e të rinj.

Si e shpjegoni shmangien e një përfaqësuesi të shtresës suaj, z. Alizoti për drejtues qarku?

V. Martini: Vendimi shumë i drejtë… Po çfarë deshi Alizoti te besniku i diktatorëve Berisha? Nuk e di Akoma ai se si Berisha i eleminoi një nga një të gjithë të shtresës sone? Ja një shembull i vitit ’95, kur Berishës ju akordua një dekoratë nga Boston University e unë me Bardhyl Dindin protestuam që universiteti mos të shënonte një datë të tupshme në historinë e pastër të tij. Mbasi autoritetet e Universitetit u bindën, e anuluan dekoratën dhe u shkruajt një artikull në Boston Glob. Ndër të tjera thuhej: ”Nuk falet injoranca në fushën e dijes, do të ishte më mirë mos t’ja premtonim…” Ju mjerana gjoja itelektualë, nuk e dinit kush ishte Berisha? Nuk e kuptuat ju fatin e atyre që u përjashtun nga shtresa jonë e tani përdoreni e qëndroni si një limon i shtrydhun?!..

Pena.al: Si e shikoni marrjen tw pandehur tw Kryetarit tw PD Sali Berisha nga SPAK?

V. Martini: Për ata që duan ta dinë, dihet që Berisha është fabrika e shqetesimeve të mëdha në Shqipëri. Ai ka shumë mëkate, përfshirë dhe vrasje. Milionat e pasurisë së tij tij e të familjarëve janë prova të padiskutueshme te korrupsionit. Milionere e bija. Milioner i biri.  Por është i pafajshëm nëse këto miliona pasuri i ka të trashëguara nga i jati. Populli po pret me pa durim vendimin e gjyqit sepse po ju krijohet përshtypja se mos është një lojë politike e rafinuar apo marrëveshje në tunelet ë nëndheshme e në fund të dalë i pafajshëm siç doli Nexhmija Hoxha. Jam i bindun se Amerikës nuk i mungojnë faktet për mëkatet e tij ndaj popullit Shqiptar.

Pena.al: Mos jeni më shumë seç duhet pesimist për demokracinë?

V. Martini: Ndoshta kjo vjen mbasi unë e dua vendin tim,  e të ardhmen e dua të lirë e demokratike. Këto vite pas shembjes së komunizmit nuk di si ti quaj, demokraci apo anarshi. Demokracia ne Shqipëri i ngjan atij lumit të pisët që zbret nga mali mbas një furtune e zbret poshtë duke u filtruar rrugës. Rrugë të gjatë ka bërë demokracia në vendin tonë, por mirë është gjithmonë me shpresu. E tash më vjen ndërmend një shprehje e Churchill “Cfarë nuk bën forca, e bën diplomacia e çka nuk e bën diplomacia, e bën koha patjetër”. Le të shpresojmë!

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.