DY FJALË PËR “NUMËR TEK”

0
83

Prenda Sejdia Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

P A R A T H Ë N I E :
* Libri; “NUMRI TEK” nga Kumrie Avdyl Shala .
– Shpirti plot vrull i poetes dhe tashmë edhe aktores Kumrie Avdyl Shala duket se nuk ka të ndaluar as nuk njeh stop në aktivitetet artistike e letrare po’ashtu, përkundrazi.
Poetja Kumrie Avdyl Shala vjen me vëllimin e saj të katërt poetik.
– Në këtë vëllim poetja vjen me një maturi e pjekuri poetike mbi varg, ku fjalën e ka shndërruar në hapësirë e kohë njëkohësisht.
– Fuqishëm ajo paraqet gjithë ngjyrat e mallit e dhimbjes, dashurisë e shpresës, ëndërrat e dëshirat por jo vetëm, pasi ajo shpesh vjen edhe si zë kritik.
Ajo që të bie në sy si fillim është konkretisht titulli “NUMËR TEK”
Atëherë çfarë ka Kumria numër tek, apo më saktë ç’nuk ka, e në fakt ky libër është çift pasi është pikërisht numri katër Kumrie.
Por të numërosh ‘tekat’ shohim ç’na del.
Vetë autorja për fatin e saj të mirë është tek, në familje sërish është tek, në punë na rezulton tek, nga motrat është numër tek, dhe kështu mbetet e hapur si version për të zbuluar të tjerë ‘TEK’ nga ato që e rrethojmë autoren interesante jo vetëm në aparencë.
* Sa e bukur është jeta
Kur nga faket shkëlqen buzëqeshja
Nga shkronjat, numrat qift e tek,
nga pesha e tyre
në çdo aspekt e vërteta troket.
Një tek në një cep, aty buzëqeshë
me fleta tek, në ditën teke, në vitin tek
një anëtare e shtëpisë, me numër tek
në çdo vend tek
e, fytyra i rri duke qeshë
Isha tek, mbeta tek se ngjasoj me krijuesin
Numri tek nuk zëvendësohet me çift
Që nuk mund ta shumëzosh
as ta pjesëtosh, i njejti numër mbet
Kur numri tek heshtë, hesht edhe Perëndia
Edhe unë heshta se isha tek
Desha ta trazoj detin e vdekur dhe
valët që tërheq brenda në gji
sikurse ashtu edhe,
Numri tek
“NUMRI TEK”
Numerologjia vjen si degë e shkencës, e kështu që Kumria duhet të ketë studjuar mbi këto fakte apo sekretet e tyre duke nxjerrë në shesh dhe historitë e numrit tek, e megjithatë teoritë mahnitëse thuhet se kanë nxjerrë ekuacione e përllogaritje që ashtu sikurse shifrat kanë ndryshuar botën padyshim që Numri Tek ka ndryshuar kryekëput Kumrien.
– Poezia e kësaj poeteje është e mbushur frymezime filozofike, figura reale dhe përjetime personale, si dhe përceptimin e botës saj herë të dashur e hera- herë’s shfryn dufin mbi padrejtësitë që po njeh bota në ditët e sotme.
– Ky vëllim poetik përcjell shumë mesazhe drite të cilat burojnë si gurrë nga shpirti i saj njerëzorë. Vend të rëndësishëm në këtë vëllim poetik zë Atdhetarizmi, dashuria për Komb e njerëzi.
– Temat e këtij vëllimi poetik janë të larmishme dhe me pasuri të gjërë shpirtërore, të marra nga njohuritë e gjithanëshme të trashëguara nga familja, por dhe nga zona ku është lindur dhe rritur dhe ia, po sjell disa nga ato.
1. Nuk të takova
2. Po vallëzon në vargje
3. Më re për hise
4. Sonte më dogji malli
5. Kush të mallkoi Pejë
6. Do vdes mbi gjoksin tënd
7. Pabesia
8. Të vegjël jemi para teje o zot
9. Lumturinë na rrëmbyen
10. Vdekja është më afër se këmisha
11. Heroizmi i 14 Majit 1999 masakra e fshatrave Qyshk, Pavlan, Zahaq e Llapjan – Pejë etj.
– Lloji i forcës së ndjenjës së pastër poetike vërehet tek të gjitha poezitë brenda këtij vëllimi.
Poezia e poetes ka një disiplinë të fuqishme moralizuese dhe fisnike, e përcjellë përmes vargut me mesazhe të ngrohta mirësie.
– Zëri i saj poetik është zëri i dëshirave që përkojnë me njerëzoren e të njerëzishmen, ku kjo poete me vlera unike fjalëzon me plot art dhe dashuri, plot shpresë e dritë.
Ky vëllim poetik vjen si këngë që duhet vlerësuar.
– Në udhëtimin tim nëpër poezitë e këtij vëllimi kam veçuar disa për ti sjellë më në vëmëndje.
– Si të tillë kemi poezinë e cila mban dhe titullin e këtij vëllimi të mrekullueshëm poetik:
/ Sytë e tu seç rridhnin rreze dashurie,
/ Në një fotografi, kalimthi të pashë,
/ Seç të kishte humbur në fytyrë shkëlqimi,
/ Ehh, me vete thashë:
/ Pamjes ëngjëllore i’u paska venit gëzimi
/ Seç dhuroje shpresë, jetë e krejt dashuri
/ E tashmë, ç’ka ndodhur me ty?
/ Se dikur, ishe gjithë shpresa ime,
/ Por, ndjej në shpirt aq dhembje.
”NUK KAM KOHË TË URREJ”
– Poetja Kumrie Avdyl Shala sjell mallin, brengën, çudinë përmes shumë pyetjeve, kërkon të dijë mbi ndodhitë apo ndryshimet çoroditëse tek njeriu dhe beson se e ka njohur më parë, por dhe ndjenja e thellë shpirtërore që e ngacmon.
– Aftësia e veçantë e autores për të zbuluar enigmat është kryekëput në ndjekje të ngjarjeve apo më saktë të zbulimeve seç sjell koha. Autorja, duket se nuk ka kohë për të humbur, pasi kërkon për ta shijuar ditën sepse ajo thotë se kjo jetë është fare e shkurtër, e për ta përjetuar e vlerësuar këtë ndjesi shpreh fuqishëm anën e brendshme emocionale si dhe gjetjet estetike që i jep ngjyrë vargut duke e bërë fort më joshës atë.
– Në tërë mineralin artistik ajo jep shpresë e tregohet e vëmëndshme, tregon gjendjen e saj emocionale ku shpërthen e kulluar në një përceptim fin e plot ëndje.
Tek vargjet e saj me motive pritjeje, udhëton nëpër ëndërrat e bukura, për ta fituar atë dhe pret të kthjellen qiejt.
Me ndjenjë të thellë kombëtare, vjen një tjetër poezi:
E, për ty Kosovë më djeg malli,
si nuk priu një prijës për s’mbari,
t’i bashkojë toskë e gegë,
t´i bëjë bashkë vëllezërit e vet.
Edhe një herë të lidhim njatë besë,
Mos të mbesim të pashpresë
Tokat tona vet me i udhëheqë.
Ty Kosovë ta ndërrofsha emrin,
E ty Shqipëri gjithë Kuvendin
Por kombit mos ia luajshim vendin.
Një flamur të kemi përmbi
si në jug e si në veri,
Se gjithë Ballkani është Shqipëri.
Se shtetësia është shqiptare,
S’ka shtetësi kosovare.
Kush e shpiku ketë kombësi,
për Kosovë është fat i zi.
S’ka shqiptar me dy kombësi
As n’Medvegjë, as n’Qamëri,
As n’Peshevë as n’Arbëri,
Konispol, Kosovë e Mal të Zi,
Jo se jo as Maqedoni,
as n´Greqi, as n’Itali…
Hap arkivat oj Turqi,
Vepro drejtë për shqiptari,
Mos i pafsh kufijt e tij.
“BASHKIMI I TROJEVE”
– Lufta për liri mbetet brenda shpirtit të poetes e cila vjen që nga lashtësia duke e sjellë në të tashmen e brymosur thellë tek ndjenjat e saj, ama kjo dhe për vetë faktin se autorja ka qënë pjesë e shëndetshme e UÇK, ndaj shpirti i saj atdhetarë është i mbjellë në ajrin e atdheut për ti shërbyer duke dhënë kontributin e çmuar si luftëtare por dhe shërbim të të humburve nga lufta, por dhe dëshmoi veten në art-bërje e kulturë.
– Përmes vargut ajo pasqyron zbrazëtinë që ndjen dy dekada më pas si dhe kohërat e tmerrit që kombi përjetoi, por dhe sakrificën sublime që shqiptarët e bënë për lirinë e kombit,ndaj e ndjejmë tek rreh fort pulsi i fuqishëm i atdhetarisë si një dashuri e pakufishme metaforike dhe i shpreh me vargje tejet të fuqishme me vargëzim çdo cep të Ballkanit vogël.
– Theksoj shprehjet e veçanta të kësaj poeteje me ëndërrat magjike dhe dritën jeshile të shpresës ku shpreh gjithë ndjeshmërinë e saj për Kosovë, Shqipëri e Iliridë e gjithë trevat shqiptare.
– Në mënyrë filozofike poetja ëndërron pareshtur dhe si e tillë herët apo vonë korr frutet e tyre.
Më së miri e sjell në poezinë;
Një moment vjen fuqishëm
Emocion e ëmbëlsi
Apo realizim i magjishëm
Trashëgimtare e kohës isha
Dhe shpreh ndjenjat në poezi
“TË REALIZOSH ËNDËRRËN”
Përmes këtyre vargjeve magjepse poetja sjell plot emocion madhështinë e realizimit të ëndërrës së madhe e të shumëpritur.
Bukuria e veçantë poetike zë fill tek poezitë që shpreh ëndërrat e mëdha e plot realizime.
Vargjet plot domethënie shpërthejnë në mallë, nostalgji, surprizë, ëmbëlsi ku shëndrit e gjithë strofulla e saj shpirtërore dhe plot delikatesë duke e sjellë këndshëm e ëmbël për lexuesin.
Në përmbledhjen poetike
“NUMRI TEK”
Kumrie Avdyl Shala dhuron esencë poetike, ku rrugëtimi i vargut ndriçon përmbi gërmadhat e kohës dhe aktualja reflektohet, apo ndjenja pasqyrohet thellë nga honet e shpirtit të saj të butë e të brishtë.
Në këtë vëllim gjejmë poezi ku vargëzohen plot ankth malli dhe ndjenja për nënën.
Disa nga vargjet e kësaj poezie;
Jam lodhur duke i pritur pranverat
Vallë, mund t’i festoj në gjirin tënd
të plleshëm nënë
Edhe pse je kërrusur nga malli, etur
duke më pritur me sytë e mbushur lot
Nëna, nënë na ka mbetur
“IKËM TË LAMË VETËM NËNË”
Poetja flet për nënën me mall, dashuri, ndjenjë e brengë, që i zapton hapësirat e shpirtit e të merrr me vete duke të përshirë në çdo hemisferë, skutë a periferi pasi kur flitet për nënën tunden malet, pasi është bazamenti i themelit të krijimit të njerëzimit.
Malli e dashuria për nënën, një dashuri e pashtershme e poetës vjen e vargëzuar me nota trishtimi, plot ndjenjë që ia kaplon venat tek i flet për lodhjen e dremitjen por kryesisht mallin e pashuar.
Këtë përjetim e ndeshim në shumë poezi të këtij vëllimi.
Lidhja e ngushtë me natyrën, është një faktor kyç për poeten, vendlindja dhe të afërmit, heronjtë, njerëzit në tërësi ,dashuria për liri e komb të bën përshtypje si ylber i dashurive nëpër shiun e këtyre vargjeve.
Për lexuesin vjen një vëllim i ri poetik plot freski e jetë, ndaj talenti përzihet me përvojën e maturinë e Kumries, ku dhimbja e trishtimi është mbi të gjitha forcë e shpresë, pasi poezia shqipe është në vazhdën e saj të traditës duke e pasuruar atë çdo ditë.
Siç e thashë më lart ky vëllim poetik ka trazuar fort shpirtin poetik të poetes Kumrie Avdyl Shala.
Aty është libri jetik i saj e historisë së jetuar të poetes dhe jo vetëm.
Përmes tyre projektohen trajektore, ku të gjitha formojnë historinë e larmishme të kohërave dhe kanë rëndësi të veçantë leximi.
Shpalosja e poezisë së poetes Shala nxjerr ne pah shpirtin e saj tejet human, dashuri e ndjenjë për trinomin familje-atdhe – komb.
Ndaj kuptojmë se poezia e saj buron nga thellësi e shpirtit si ndjenjë, vizion e dritë për një të ardhme më të bukur.
I uroj Kumrie Avdyl Shala dhe vëllimit të saj poetik shumë dritë dhe reflektim sa më të ndjeshëm për lexuesin duke vazhduar më tutje në kultivimin e këtij arti kaq të dashur për autoren dhe njerëzinë po’ashtu.
Udhë e mbarë librit.
Suksese autores

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.