…Që s’dita t’i puth eprorët në faqe

0
117
Fatmira Loci
DEHJE    Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
Pra, lejomëni ta pi edhe një gotë
E le të zhytem të mbytem në lot,
Veçsa ta gris këtë tis të trishtë
Ta zbraz sadopak shpirtin e brishtë,
Të shuhem, të tretem në detin e verës
Të strukem të ngjeshem si kripa mes rërës.
Andaj, dua të dehem me vetmi
E pikë për pikë trishtimin ta pi,
Për qeniet boshe, për mendjet pa dritë
Për gjithë përqafimet që m’u bënë thikë,
Me veten përballë ku horizontet nxijnë
Aty ku vetë netët ditët përpijnë…
E atëherë, kur terri fundin ta prekë
Kur sa një grusht rrokullia të jetë
Me kupën në duar, në çastet finale
Në sokakun tuaj do hyj t’kërkoj falje!
Pra, ndjesë që ju fola për fëminë e varfër
Që heshta kur silla mungonte në sofër
Që dola në mal të kullos bagëtinë
Që me ta kuvendova si t’qeshë me njerinë
Se kurrë s’m’i përqeshën arnat në bluzë
Si ta dinin se dhimbja do m’bëhej muzë.
Në hapat drejt jush, sa paskam gabuar
Për gjith’ ç’kam folur e gjith’ ç’kam shkruar,
Që s’dita t’i puth eprorët në faqe
T’i ndjek në podiume, t’zgërdhihem pa shkaqe,
Me të tjera leksione më pat rritur natyra
Me tjera parime, me tjera detyra.
Se nga krojet kristal mora shpirt dëlirësie
Vetë ajri i bjeshkës më dha frymë lirie..
Ndaj, ndjemani vetminë këtu n’mesin tuaj
Se s’munda t’ju ngjaj, se mbeta e huaj.
MALL I KRISUR  Mund të jetë një imazh i 1 person, në këmbë dhe ambiente të jashtme
Do ec me mallin nëpër shi
E le t’më lagen të gjitha letrat,
Të pakten lotët s’do t’i fshij
M’i mbulon qielli të vërtetat.
Do t’i ndjek udhët boshatisur
E kjo, aspak s’më bën çudi,
Jo vetëm moti ngjan i krisur
Por edhe malli im, për ty…
E shkruar fiks gjashtë vjet më parë. Nëntor 2016.
Jo për gja, po mu kujtu se ka prish moti 
Puthja
Nga Ndoc Gjetja
Sa gjëra të shëmtuara si grindja dhe sharja
ndodhin në mesin e rrugës së madhe
po ajo më njerëzorja
më e madhërishmja, me hyjnorja
puthja
ka mbetur ilegale.
Vjeshtë  Mund të jetë një imazh i 1 person, natyra dhe liqen
Sa e brishtë kjo vjeshtë pa ty,
sa e trishtë!
Trungut të zhdrejtë po i bien fletët
si fjalë të rrëzuara përdhe
nga moskuptimi…
Libri kapaktrashë
vdes nga mosprekja e shputës tënde,
mosputhja e buzës sime.
Qyteti zbërthen kanatet
për me flladitë lëkurën e zeshkët
që s’njeh vjeshtë.
Pritja zverdhet në pritje
e qiejt egërsuar shtrëngatash
errësohen nga krahë zogjsh në ikje,
ca flokë bore vijnë pa kohë, pa ftesë,
më pushojnë mbi baluke,
pa hiç dert se s’i dua bojërat artificiale;
më tremb kjo ngjashmëri e shpejtë
mes meje dhe lokes kokëbardhë.
Sa e trishtë kjo vjeshtë pa ty,
sa e brishtë!
Vetëm rrokaqiejt harlisen hareshëm
këto ditë të potershme
me gjeneratorë nga kohë e diktaturës
(krenarë për jetëgjatësinë e tyre!),
që vazhdojnë t’ia vrasin tingujt erës,
duke na ngopë me frymë të helmët.
Në cep të syrit
ende pikon kroi i shpresës,
mbështetur në degë të qerpikut;
ai pëshpërit:
qoftë e përkohshme kjo vjeshtë!
VALLËZO  Mund të jetë një imazh i 1 person dhe në këmbë
Mos pyet sonte për dhembjet!
Lere ujëvarën e lotëve të derdhet,
shpirtin të zbrazet,
gjaku të kullojë pikë-pikë
bashkë me helmet e së shkuarës.
Zhytu në zhurmën e heshtjes
ndiz një cigare,
kthe një gotë plotpërplot harresë
mbyll sytë, dhe…
Vallëzo!
Vallëzo me flladin e mesnatës,
zgjoje qytetin e përgjumur
me një tango hareje,
hapa çmendurie,
ulërima pasioni…
Vallëzo, gjer në dehje
gjer në prehje.
Ndanë udhës së zagarëve
(buzë lumi)
një kor bretkosash
jep koncerte madhështore
natë – për – natë,
Ata, do jenë spektatoret tu,
udhëheqësit tuaj artistikë
të qytetit pa aktorë,
pa teater!
Do jenë melodia e qytetit pa muzikë,
fjala e poetit, që ja vodhen poezinë.
Por Ti, Vallëzo!
Në djall muzika, teatri, poezia…
Tregoji botës sa e lumtur je
mes natës së errët,
në qytetin e të vdekurve
buzë lumit të zi.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.