NGA HASAN QYQALLA
Romanin “Dimri i Shekullit”, që mora në dorë, ende të pabotuar, më vuri në “siklet” të pashpjegueshëm. Kjo, ngase, që në fillim, sikur u ndjeva i “provokuar” nga përshkrimi i parë që lexova sikur edhe nga ndërtimi i strukturuar i narracionit në këtë roman. Teatri i hapur me vellon e bardhë, nuk rezulton si retë e qeta, mbase në hapsirën që shtjellohet ngjarja, dalin edhe sakrifica, që fundja janë pjesë të jetës. Por çfarë dua të them? Kujtoj në një mënyrë apo tjetrën, si arrin që një shkrimtare e paekspozuar gjer tani, të ketë ruajtur sekretin e talentit të vet? Por një fjalë e urtë gjermane thotë: “Kujdes nga oqeani i qetë, mbase nuk ia njeh thellësinë”! Zaten, Angjelina rezulton si e tillë.
Motivin e gjen nga një segment jete që e identifikon me personazhin e romanit, në mjedisin ku autorja jeton e vepron. Pra, është një histori femre, ndoshta se vet gjinia e njëtë paskan komunikimin apo njohjet e veçanta që ende nuk janë dëshifruar nga të tjerët, fundja as nga shkenca jo. Dëshifrimi nuk njeh limite, gjithnjë sipas kritikës moderne letrare. Tjetra, përshkrimi i ndërtimit të ngjarjes, që nga nisja e parë, ia del me shumë mjeshtri si në vija simetrike. Nuk gjejmë hiperbolizime apo edhe ekzagjerime, as në kohë sikur as tek ngjarja me personazhet. Një komunikim i afërt, i kapshëm dhe i sintetizuar mirë figurativisht. Mos të harroj, se gati në çdo episod të përshkruar në këtë roman, na nxjerrë apo e shoqëron me peizazhin, ku të bënë të zhytesh apo të bëhesh personazh imagjinar me frymë. Dhe kjo është specifikë që nuk reflektohet në çdo përshkrim, ndoshta. Tablot e jetës, në lexim të parë, duken të thjeshta, nga përditshmëria. Një gjë di të them, por nuk më kujtohet ku e kam lexuar, që vetëm syri i krijuesit e sheh, e vëren atë që nuk iu bie në sy njerëzve të zakonshëm. Pra, Angjelina sikur na del si një krijuese mistike, me brishtësinë e vet gjatë skenimit të e përshkrimit të personazheve… Mbase, specifikë e artit, nuk është thjeshtë një proces individual apo personal, sikur as ndonjë intimitet apo psikologji, por më tepër kujtoj është procedim i kushtëzuar social. Kjo, ngase definon apo nxjerr mbi sipërfaqe një dukuri shoqërore, pavarësisht kohës e hapësirës. Përshkruan akte, fenomene, bile të pakrahasueshme ndonjëherë, përmes personifikimit apo identifikimeve që përzgjedh vet autori. Pra, përzgjedhja është e lirë, por i mbetet besnik ngjarjes që i referohet, natyrisht edhe me figuracione por pa ekzagjerime, që dmth e ruan formatin apo grafitin konstruktiv letrar gjatë shtjellimit të narracionit në përgjithësi. E nga kjo formë ngritjeje është shkruar edhe romani “Dimri i shekullit” i autores Angjelina Marku.
Autorja përdor gjuhën të qartë, pastaj spikatë talentin që ka, e mbi të gjitha, mjeshtrinë e mirëfilltë në ndërtimin e narracionit.