Përktheu: Gladiola Jorbus
Maram al-Masri (e lindur më 1962) është një poete siriane që jeton në Paris. Ajo konsiderohet si “një nga zërat më të njohur dhe më tërheqës femërorë ” në gjuhën arabe. Poezia e saj është e drejtpërdrejtë, pa zbukurime dhe evidenton fragmente nga jeta e përditshme. Përdorimi i metaforave të thjeshta, pothuajse fëminore bie në kontrast me konvencionet e poezisë tradicionale arabe. Për më tepër, një grua që shkruan pa rezerva për seksin i dhuron gjithashtu, një nuancë të freskët dhe tërësisht spontane, poezisë së saj.
Një qershi e kuqe mbi një dysheme me pllaka të bardha
Unë jam hajdutja e sheqerkave
që shfaqen në dyqanin tënd.
Gishtërinjtë e mi bëhen ngjitës
por nuk ia dal dot,
ta lë njërën të bjerë
në gojën time.
***
Sa e pamend:
Kurdoherë që zemra ime
dëgjon një trokitje
i hap dyert e saj.
***
Dëshira më përndez
dhe sytë e mi vezullojnë.
E rras moralin
në sirtarin më të afërt.
Shndërrohem në Djall
dhe ua lidh sytë
engjëjve të mi.
Vetëm
për një puthje.
O vëllezër të njerëzishëm
O vëllezër të njerëzishëm!
O botë!
Unë pata një fëmijë.
Në bark e fsheha.
E bëra njësh me trupin tim.
E ushqeva me gjakun tim.
Jetuam ëndrrat e mia.
Këndova për të – më buzëqeshi.
E shtrëngova – pushoi së qari.
Nga krahët ma shkulën.
Kënga ndali.