Kush do t’a mendonte që në këto ditë korriku, vëmendja Italiane do të ishte në Shkodër! Fundjavën që lamë pas, Shkodra u kthye në kryeqendrën e festës në trojet shqipfolëse. “SHIFE”, Shkodra international food event, ishte ngjarja më e rëndësishme, konceptuar si një festival i ushqimit dhe pijeve, që bëri bashkë 30 restorante, ku shefat e tyre shpalosen vlerat e kulinarisë së qytetit.
I konceptuar në detaje, ky festival që erdhi nën kujdesin e kryetarit të bashkisë z.Bardh Spahia, i cili ka qënë edhe ideatori i tij, solli në Shkoder dy emra të njohur në arenën ndërkombetare në fushën e gastronomisë. Shefi i njohur piemontez, Carlo Zarri dhe kritiku italian Edoardo Raspelli, së bashku me gazetarë nga Italia për 3 ditë radhazi, zbuluan Shkodrën në disa dimensione.
Nga ndalesa në pikën turistike të Shirokës, udhëtimi me varkë përmes ujrave të liqenit drejt fshatit Zogaj, degustimi i pjatave të gatuara nga 5 shefa të kuzhinës në restorant “Pelikani kaçurrel”, e për të vijuar me prezantimin zyrtar të “SHIFE” në restorant tradita Gege e Toskë, aty ku të gjithë restorantet sollën këndin e tyre të gatimeve, dita e parë e këtij eventi u mbyll plot risi.
Ndërkohë dita e dytë nisi me udhëtimin në Theth, ku bukuria dhe magjia e Alpeve shqiptare, ndërthurur me mikëpritjen dhe gatimet tradicionale, ishin një atraksion më vete për miqtë nga Italia që eksploruan një nga trajektoret më goditëse të turizmit malor, Boge – Qafë Thore – Theth. Pasdrekja rezervoi momentin më kulmor të festivalit ku sheshi përpara bashkisë Shkoder ishte kthyer në një oaz ku gjendeshin të gjitha, gjelbërimi i malit, atmosfera e liqenit, prodhimet tradicionale ngjashëm me atmosferën e një fshati, si dhe gatimet e ekspozimet e pijeve të territorit. Të gjitha të sjella në një dekor unik, që pasqyronte shpirtin artistik dhe krijues të shkodraneve. Qindra qytetar dhe vizitor nga vende të ndryshme e shijuan këtë moment jo vetëm duke konsumuar produktet por edhe duke i fiksuar këto momente përmes shkrepjeve të aparatit.
Mbrëmja u mbyll me darkën në restorant “Elita” ku sërish nderthurja e shijeve përmes gatimeve me prodhime tipike lokale, ishte një tjetër gjetje. E paralelisht në sheshet kryesore dhe të gjithë zonen muzeale festohej me prezencen e grupeve të njohura muzikore.
Për kryetarin e bashkisë Bardh Spahia, ky organizim që do të kthehet në traditë, do t’i japë Shkodres vemendjen e merituar për t’i shërbyer sa më mirë zhvillimit të turizmit.
“SHIFE synon ta kthejë Shkodrën në një pikë referimi, jo vetëm kombëtare, por dhe rajonale dhe përtej, sa i përket kulinarisë. Iniciativa lindi gati gati spontane, si dëshirë e imja dhe prej kurjozitetit e interesit maksimal të mikut tim, Carlo Zarri për kuzhinën dhe produktet e territorit shqiptar dhe në veçanti atij shkodran. Ne kemi zgjedhur këtë mënyrë për të promovuar resurset tona që janë të shumta. Nga ato të malit, liqenit, detit që e bëjnë Shkodrën të jetë në listën e vendeve të preferuara. Nëpërmjet këtij promovimi dhe shumë modeleve të tjera duhet të stimulojmë ekonominë e bashkisë tonë, por dhe të nxjerrim në sipërfaqe vlerat dhe mundësitë e jashtëzakonshme që ofron ky territor. Ne synojmë ta kthejmë këtë event dhe shumë evente të tjera në pikë referimi mbarëkombëtar dhe madje dhe përtej. Eventi realizohet në Shkodër, por ka pasur një eko të madhe edhe në Itali dhe ka pasur një promovim të resurseve të Shkodrës dhe është kthyer në eveniment ndërkombëtar.
Ishte një prezantim i jashtëzakonshëm që mori vlerësim edhe nga autoritetet të mëdha të gastronomisë italiane dhe botërore dhe zgjoi interesin e publikut të gjerë. Ne i bëjmë thirrje të na bashkohen në këtë festë të kulinarisë. Është një festë që ndërthuret me gatimet e territorit tonë, por edhe me prezencën e artistëve tanë që do jenë pjesë e disa minikoncerteve në disa pika të qytetit. Është mënyra më e mirë për të promovuar resurset që ka territori i Shkodrës. Në fakt Shkodra ka kapacitete dhe mundësi të jashtëzakonshme akoma shumë për t’i shfrytëzuar. Turizmi ka pasur rritje nga vitit në vit. Janë gjithnjë e më shumë të huajt që zgjedhin Shkodrën, por ka akoma për të bërë në këtë drejtim, duhet të përmirësojmë promovimin e bukurive tona. Velipoja ka prurjet më të mëdha. Për të vazhduar me turizmin në Shkodër dhe pa dyshim turizmin malor i cili ka njohur rritje gjatë viteve të fundit. Këtë vit ne presim ta tejkalojmë numrin 200 mijë turistë në sezonin e verës. Shifrat flasin pozitivisht. Po fokusohemi te rritja e kapaciteteve, infrastruktura dhe promovimi”.
Ka gatuar për Sophia Loren, Michelle Obama, Armanin, etj., dhe është i njohur në gjithë botën. Carlo Zarri, tashmë ka marrë përsipër një tjetër mision, ta kthejë Shkodrën në qender të vemendjes së turistëve europian dhe më gjërë. Ardhja e tij e parë në Shkodër ishte në muajin maj, ndaj përshtypjet e tij për kryeqendrên e veriut janë tejet pozitive
“Ky event lindi nga miqësia dhe kjo është e rëndësishme. 1 vit me parë jemi njohur me Bardhin në expo Milano dhe më pas erdhi të më takojë në Cortoemilio. Une atehere se mendoja që do të behej kryebashkiak i këtij qyteti të bukur. Në shkurt me merr e me thotë se po provoj të bëhem kryetar bashkie, nëse kjo ndodh, eja më ndihmo sepse është një vend i bukur me shumë resurve dhe kemi të rinj të zote. Pastaj në prill më tha e mbajta premtimin, me telefonoi e me tha jam kryebashkiak, tani ti duhet të mbash fjalën, eja në Shkoder. Gjate 10-15 viteve të fundit kam punuar me shqiptar dhe kisha deshire ta njihja këtë territor. Në Maj kur erdha, Bardhi me njohu me kuzhinier të zot, ata kishin punuar në Itali, provova gatimet e tyre te liqenit. Ka një dëshirë të madhe për të ecur perpara, kam patur fatin ti takoj dhe kjo dëshirë duhet mbeshtetur. Dy gjëra duhen patur parasysh. Me punë në grup, nga prodhuesit tek ata që i transformojnë këto produkte, restoranti që i promovon, hoteleria qe i mirepret, kjo është një punë që ka rezultate. Organizimi ishte përfekt dhe jam i gëzuar që kam njohur kuzhinier të ri e të zotet, që duan të rrisin kuzhinën dhe produktet e territorit. Ky është një fat i madh për Shkodrën dhe Shqipërinë. Unë kam filluar duke shëtitur botën për të rritur e promovuar produktet e territorit tim si dhe traditat e zones. E këto janë unike sic i keni edhe ju në Shkoder. Pra duhet t’ja njihni botës dhe më pas është bota që vjen këtu për ti provuar dhe që i promovon kudo. Pastaj kam patur fatin të gatuaj për emra të medhenj, e të bëj eksperienca që janë kënaqësi personale. Me SHIFE kemi bërë eventin e parë të madh ndërkombëtar. Nëse nuk do të kishin qënë mundësitë nuk do të kisha ardhur. Me kryebashkiakun e kemi diskutuar cfarë duhet të bëjnë vitin tjetër. Duhet të vleresoni cfarë ofron territori e ta coni përpara. Kryetari i bashkisë më ka kerkuar që ta ndihmoj që ta kthejmë në një destinacion turistik Shkodrën në botë. Ketu i keni të gjitha, Mal, det, Liqen, prodhime të mrekullueshme. Po organizohemi me kryebashkiakun Spahia jo vetëm për vazhdimësinë e SHIFE, por edhe duke organizuar bursa për turizmin, ngjarje që do të sjellin këtu emra të medhenj, operator europian dhe ndërkombëtar të cilët do ta promovojnë Shkodren e Shqiperine dhe do ta bëjnë pikë kyce për turizmin”.
Eduardo Raspelli ndër kritikët më në zë, u kujdes të evidentojë njohjen me shqiptarët dhe shembujt frymëzues se si ata duan ta ndryshojnë vendin e tyre.
“Kam dëgjuar për Shqipërinë që në gjimnaz dhe ardhja ime në Shqipëri këto ditë është diçka e re dhe emocionuese dhe për këtë falënderoj z. Spahia që më ka ftuar.
Unë shkruaj për 13 të përditshme italiane si kronist i kuzhinës dhe puna më ka bërë të njoh disa histori të bukura të shqiptarëve që kanë arritur shumë suksese në fushën e gastronomisë në Itali. Këto ditë këtu në Shqipëri gjithashtu pata rastin të njoh shqiptarë që përpunojnë produkte me cilësi të lartë sipas traditave italiane dhe u informova se ata kishin jetuar dhe mësuar zanatin në Itali e më pas janë kthyer për të jetuar në vendin e tyre. Ata po bëjnë sipas recetave italiane produkte me ingredientë tipik shqiptarë dhe kjo është e mrekullueshme. Është më shumë se një binjakëzim! Në të dy rastet që mora shembull kemi të bëjmë me histori integrimi të jashtëzakoshme. Historitë dramatike dhe të bukura të shqiptarëve që kanë arritur suksesin më bëjnë entuziast dhe njëherësh më mallëngjejnë. Ky festival për mua ishte një surprizë dhe sadisfaksion i madh. Të shëtiturit në vende të ndryshme të mbushin jetën. Ndjehem i plotësuar se po vizitoj një vend të ri që është Shqipëria. Një surprizë dhe kënaqësi e madhe. Turizmi është një kompani që jep të ardhura duke mbajtur territorin dhe njerezit përreth tij”.
Mes atyre që shijuan bukuritë e natyrës dhe ushqimet e veçanta ishte dhe gazetarja Maria Grazia Ventura, e cila viziton për herë të parë Shkodrën dhe Shirokën. Ushqimi, njerëzit, bukurite natyrore e mahniten gazetaren
“Njerëzit janë mikpritës. U ndjeva si në shtëpi që kur zbrita nga avioni, njerëz që s’më njihni sa dëgjuan që jam italiane mu afruan dhe më dhanë këshilla. Ky vend ka potencial të jashtëzakonshëm në çdo fushë. Erdha si gazetare, po do kthehem si turiste!”
Rrugëtimi i edicionit të parë të festivalit u mbyll me një vizitë në kalanë Rozafa, prej ku miqtë nga Italia Zarri, Raspelli dhe gazetarët që i shoqëronin, panë bukuritë që e rrethojnë Shkodrën dhe njohën historinë e kesaj kështjelle të lashtë. Prej aty premtimi i tyre ishte që do të kthehen sërish për ti dhenë të gjithë mbështetjen e duhur zhvillimit të turizmit në këtë bashki. Kryetari i bashkisë Spahia dhe shefi Zarri kanë një projekt edhe më madhor për ta rritur më tej sinergjinë e bashkëpunimit për “SHIFE”, duke e mundësuar shtrirjen e tij përmes bashkëpunimeve edhe me disa komuna në Itali. Suksesi i këtij edicioni të parë është garancia se tashmë në Shkoder vit pas viti “SHIFE” do të vijë me risi dhe padiskutim do të jetë patenta autenike për promovimin dhe zhvillimin e metejshem të turizmit. Kulinaria, një tjetër arsye përse këtë verë duhët të ndalosh në Shkodër…/ CNA.al