NGA:ZANA TAKO
Politizimi i jetës njerëzore po i jep frytet e veta. Politika nuk është art, por politikbërësit aktrojnë sipas rolit që u jepet nga regjisori që ve në skenën e politikës atë skenar, i cili përgatitet nga komikë dhe jo dramatikë për jetën e njeriut. Them komikë, se politika e tyre kundër jetës njerëzore tashmë po shfaq dukuri të çuditshme dhe të ndryshme, nga ajo çka dëshiron vetë qenia njerëzore.
Të luash me jetën në skenën e politikës nuk është detyrim, por bëhet i tillë, kur politika kupton ekzistencën apo të kundërtën e saj. Nuk është njëlloj si të luash e si të mos luash në këtë skenë. Nuk është njëlloj si të ndjehesh apo të mos ndjehesh fajtor. Nuk është njëlloj si të kundërshtosh apo të mos kundërshtosh, e gjithashtu nuk është njëlloj, si të luftosh e si të mos luftosh, duke pranuar fatin të lënë pas dere si një copë strajcë me bukë të thatë e jo të ushqyeshme.
Fazat e jetës nuk janë njëlloj, ashtu si edhe mosha e njeriut nuk është njëlloj. Por të plakesh duke dëgjuar për mirëqenie e duke mos e shijuar atë, do të thotë, se politika është vrastare për mendjen dhe shpirtin e njeriut.
Politikat mbarëbotërore kanë një qëllim të përbashkët, sundimin dhe kapitullimin e fuqisë njerëzore, nëpërmjet të cilave kanë shpërdoruar besimin dhe sovranitetin e popujve. Të pakët janë ata që kanë ecur deri në gjysmën e udhës, e të shumtë janë ata që kanë dalë nga shinat e mirëqenies, duke mbjellë mosbesim dhe kundërshti, duke mos pranuar atë që ju serviret si ushqim në vaktet ditore.
Subkoshienca e njeriut, përfiton nëpërmjet energjisë së dritës fuqinë e të menduarit dhe atë të të shijuarit, mendon dhe përjeton dashurinë e pamatë të ekzistencës së kësaj dashurie, e cila frymon duke përcjellë madhështinë e saj kudo në ekzistencë. Por fryma e politikës e kundërshton këtë energji, duke shpalosur kundërshtinë e saj me atë çka na dhurohet. Kjo kundërshti nuk është metaforë në mendjen e njeriut, por është prodhim i teorisë së përfitimit individual, i cili vjen si rezultat i lakmisë dhe i kundërshtisë ndaj ligjeve të krijimit.
Nuk jemi në kohën e relativitetit të mendimeve, por jemi në kohën e kreativitetit të tyre. Mendja e njeriut prodhon aq shumë ide në një kohë të shkurtër, sa vetë fuqia që përhapet me shpejtësinë e dritës mbi qenien njerëzore. Fuqinë që merr mendimi nga kjo prodhimtari, e shpenzon duke përcjellë potencialin e saj në ndjenjën njerëzore, e cila rrit fuqishëm atë që quhet mendim i lirë në vullnet të plotë, pa e kundërshtuar ligjin e krijimit. Në të kundërt, kjo fuqi kthehet në shpërdorim të asaj që quhet besim dhe mosbesim, të cilat shpien në dekurajim ose motivim të qenies njerëzore, ndaj asaj çka kërkojmë të plotësojmë në vijueshmërinë e rrjedhës së mirëqenies në jetën tonë të përditshme. Ndaj edhe politikat njerëzore, dekurajojnë ose motivojnë, rrisin ose shpërqëndrojnë vëmendjen e njeriut, ndaj asaj çfarë ndodh rreth nesh për arsye dhe fakte të ndryshme.
Në politikë ekziston një rregull, i cili nëse nuk zbatohet prish sistemin organizativ të saj. Ky rregull quhet bindje ndaj të fuqishmit, i cili nuk lejon kundërshtitë ndaj këtij rregulli, i cili vendoset e nuk zhvendoset pothuajse në të gjitha praktikat e politikave. Nëse ky rregull kundërshtohet për arsye madhore, atëherë zhvendosja e politikbërësit katapultohet pa miratimin e shumicës, që do të thotë, se mësimi shpjegohet me punë konkrete, por jo me shkrim në letër. Kjo lloj politike vret e nuk shëndosh.
Me ligjin e politikave merret njeriu por jo Zoti. Politika nuk e njeh dhe nuk e zbaton ligjin e Krijuesit. Kjo kundërshti ka prodhuar aq shumë defekte në mirëqien e jetës njerëzore, sa pasojat po ndihen fuqishëm në këtë fund kohërash, ku shihet qartë zbatimi i ligjit Hyjnor mbi mbarë krijimin.
Nëse politikat nuk kanë kuptuar ende deri më sot, se nuk mund të shkojnë kundër asaj që vetë Zoti i Gjithpushtetshëm ka urdhëruar dhe dhuruar, atëherë ka ardhur koha që do të ndeshen me të vërtetat dhe profecitë e shpalluara nga Krijuesi ynë.
Jeta e njeriut nuk është lojë, ku politikat të luajnë role demonësh apo karagjozësh endacakë që sillen nëpër ekrane televizive duke luajtur lojë pa shije dhe bajate. Roli i vetëm që u ka mbetur, është ai i bindjes ndaj sfidës që vetë Zoti u ka vënë të përballen, me të vërtetën, që as nuk fshihet dhe as nuk mbulohet nga dheu i fëlligështisë. Kjo e vërtetë është dëshmi e gjallë për mijra e miliona njerëz në mbarë krijimin, të cilët e duan Zotin e tyre, duke shpresuar në fundin e bishës dhe në triumfin e lavdisë së Krijuesit.
Shfaqja e teatrit njerëzor është në fundin e saj. Aktorët politikanë janë në fundin e lojës së mbrapështisë së tyre. Njerëzimi do shijojë erën e lirisë dhe dashurinë që nuk mund të tradhtohet kurrë në krijim. Amen!