Nga : Zana Tako
Misionarët janë të dërguar dhe të thirrur të zbatojnë atë që u është urdhëruar. Fjala është tejet e Shenjtë dhe e përplotë. Besniku i fjalës nuk është dezertor, as kapitullues siç do të donin kundërshtitë, por është zjarr që ndizet në vatër, dhe ngroh shpirtrat kur i ftohti ua zbeh mendimin.
Të njomë në shpirt janë ata që belbëzojnë, por të rritur në shpirt janë ata që në mençuri dhe në besim mendojnë. Të plakur e të drobitur janë ata që vetvetes i besojnë, e të mefshtë janë ata që dijen e qiellit as nuk e shohin e as nuk e dëgjojnë!
Ngopja me fjalën e dijes është shenjë e mendësisë së krenarit, i cili zgjedh të zbatojë atë çka është e lehtë për t’u gjetur. Vështirësinë nuk e fut dot në xhepat e rrobës që vesh, ndaj e le mënjanë si të tepërt për dijen që ka nxënë. Varfërinë e shpirtit e shet për inteligjencë, por kjo inteligjencë i ka këmbët e shkurtra e duart e gjata, ndaj rrugën e bën të shkurtër, dhe përvetëson edhe atë që nuk i përket!
Njeriut iu besua shumë, por ky besim nuk u dhurua për vullnet të tij! Zoti besnik dhuroi gjithçka i duhet krijesës, përveç Misterit të dijes, i cili është në zotërim të të Tejetlartit që sundon fuqiplotë krijimin. Besëthyerit nuk e njohin fajin, por e lëvdojnë atë. Kjo lëvdatë nuk i shërben për larje mëkati. Mëkati është gjerdan që nuk e zbukuron krijesën para Krijuesit të tij, por kjo dije është zbehur nga të përdalët shpirtërorë, të cilët ende nuk e kanë kuptuar detyrën dhe misionin që u është ngarkuar!
Fëmija luan por jo i rrituri! E nëse i rrituri luan si fëmija, atëherë lojrat dëshmojnë se rreziku që i kanoset njeriut, është gjarpri që qëndron fshehur pas portës së çdo krijese, e cila fle dhe zgjohet, ha dhe pi, qesh e luan, këndon e flet, përqafon dhe qan, e në këtë mori ndjenjash e keqja pret tinëz për t’u hakmarrë ndaj Zotit dhe krijesave të Tij!
Misioni i të zgjedhurve nuk është lavdia e vetvetes, por është bindje ndaj Urdhërimeve në ekzistencë. Bindja nuk anashkalohet dhe nuk tjetërsohet në të kuptuar. Shkrimi i Shenjtë nuk është lodër në duar të kalamanëve. Fjalët e tij nuk përdoren duke errësuar ditën e duke ndriçuar natën! Ndërrimi i këtyre vendeve është faj i rëndë për ata që zotohen në besë, se Urdhërimet janë lavdia e qiellit dhe fitorja e Shkrimit të Shenjtë në krijim. Këtë fitore e përbaltin të gërbulurit shpirtërorë, sëmundja e të cilëve është përhapur duke mbjellë aromën e vdekjes. Vdekja është fitore për qoftëlargun, i cili dëshmon se mëkati është pjellë e mendjes së tij.
Njeriu duhet të mësojë që sa lind e derisa të ndahet nga kjo jetë, për të kuptuar ekzistencën e bashkimit me jetën e amshuar. Por këtë mësim shumë nuk e njohin e nuk e dëshmojnë. Të varfërit e pasur shëmbëllejnë me kartela sigurie pronash personale, të cilat shumëfishohen në kurriz të besimit i cili nuk është monopol i askujt! Ata që luajnë lojën e shtimit apo pakësimit në besim, nuk e njohin fushën ku luajnë! Të papriturat nxjerrin në dukje papërsosmërinë e dhurimit shpirtëror. Nuk është koha të qortojmë të diturit, por është koha të kuptojmë lojën e të diturve!
Goglat e fatit i numërojnë ata që joshen nga pasuria e të varfërve. Të majmesh me urinë e të varfërit, është turpi që veshin ata që e tradhëtojnë besimin, dhe e shkelin me të dy këmbët besën dhënë Atit dhe Birit!
Besëthyerit nuk mund të hipin në varkën e shpëtimit, pasi rrezja e dritës nuk shkëlqen për ata që e mohojnë gjakun dhe mundimin e Krishtit Zot!
Këto kohëra dëshmojnë për verbërinë dhe për mençurinë. Dallimin le ta bëjnë vetë ata që ndiejnë dhimbje për plagët e Krishtit, dhe gëzim për Lavdinë e Kryqit të Tij! Amen!