KROJET E TURIZMIT PREJ TUBASH!?

0

Ndue Dedaj    Mund të jetë një imazh i 2 persona

Kemi shkruar për kullat dhe malet e turizmit, por mbase nuk kemi shkruar sa duhet për krojet, kështu që ata kanë filluar të na humbasin nga sytë, me fjalë të tjera të “shterrin”. Kështu më ndodhi para pak ditësh në Qafë – Shpardh, ku rastësisht “zbulova” se poshtë rrugës ishte një burim dhe një gjysmëkrua, ku nuk mund të pije ujë. Aty nuk kishte pasur burim, por atë e pati krijuar një shpim gjeologjik me sondë në vitet ’70 dhe që atëherë në kodër del uji i atij pusi.
Mirëpo dora e njeriut nuk është zgjatur deri aty për të vënë një krua druri, siç i kishim dikur krojet në malet tona. Edhe aty ku krojet buzë rrugës janë rregulluar, tubi që nxjerr ujin është prej hekuri apo plastike. Ndërkohë që në bjeshkë lugjet për të pirë ujë bagtitë vazhdojnë me qenë prej druri si qëmoti!
Sa herë shkoja në Krujë, këtu e dyzet vite më parë, ndaloja dhe të një krua i vogël në qytet, që kishte mbetur ashtu si në zanafillë, kur krojet më ujin e ftohtë malit e Sarisalltikut i kishin dhënë emrin qytetit. Qyteti kishte bërë epokë historike me betejat skënderbegiane, por emrin e kishte marrë nga një krua.
Në Selitë Kroi i Bardhë jo vetëm që i ka dhënë emrin një copë bjeshke, por ka sjellë dhe një kamping për pushuesit, pasi uji i tij është kurativ. Një dorë e kujdesshme kohët e fundit e ka zëvendësuar kruan-tub me një krua pre guri të gdhendur. Tubi është kthyer në makthin e ujërave tona malore, sidomos atyre për hidrocentrale. Mirëpo turistët nuk duan tuba në kroje. Vërtet ka ecur teknologjia, por në këtë rast është e panevojshme. Edhe në pikat turistike krojet e bërë më gurë të skalitur nuk i kanë shpëtuar gjithkund tubit. Kjo është arsyeja që nuk i fotografojmë krojet, kur shkojmë në male, pasi nuk i shohim dot tubat të nxjerrin ujë!…
Ndoshta ndokush, pasi të lexojë këto radhë, mund të thotë: “Sa mirë që na e kujtove, të bëjmë ndonjë projekt e t’ia paraqesim Bashkimit Europian, se ata kanë fonde për turizmin”. As një nismë si kjo nuk përjashtohet, por fjala është për të bërë diçka të “vogël” vetë ne, secili kruan e mëhallës së tij! Sa pak kushton!… Ai që kushton më shumë në këtë rast është vullneti i munguar, atij si t’ia bëjmë? Pa gurë e drurë për krojet si të gjyshërve ka plot. Dikur shkruheshin dhe tregime për gurgdhendës korçarë që skalisnin krojet e fshatrave në male.
Të shpresojmë se do të mund t’i fotografojmë një ditë krojet jo tuba…
N. D.
_________________
Kroi i Gojanit. Foto e huazuar nga rrjetet sociale.
Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.