Vullnet Mato
Vërtitesh, si flutura
rreth një llambe nate…
Të vërej me siklet,
po s’të përgjigjem dot.
Druhem mos krahët,
me brishtësi delikate,
nga afrimi i tepërt,
mund t’i djegësh kot…
Megjithëse je lastar,
me kërcell të njomë,
dëshiron me ngulm,
ngrohtësi prej meje.
Druhem mos ndoshta,
gjethet t’i përcëllon,
flaka e oxhakut tim,
me kërcu qeresteje…
Ti nxiton natyrshëm,
prej moshës rinore,
t’i marrësh të gjitha,
papara kohës reale.
Por jo me të gjitha
shkurtimet kohore,
i shpëton qarkut elektrik
me fuqi të madhe…
Dyshoj dhe kam frikë,
deri në llahtarë,
ndoshta bukurisë që ke,
fuqinë nuk ia di
dhe më godet trurin,
bëhem lolo i marrë,
të më tallin përqark,
me ha,ha,ha, e hi,hi,hi…
Ky shkak më bën,
të qëndroj sa më larg,
t’i shmangem rrezikut
të afrimeve të tua.
Të mbetemi thjesht,
dy zëra në distancë,
jo se freskinë tënde
përçmoj, e nuk e dua.
Ndaj të dërgoj me erën,
përgëzime në lagësi,
pa më ardhur pranë,
me lulëzim të erëmuar.
Përfytyroj aromën,
që përhapin lulet si ti
dhe kujtoj pranverën,
që mua më ka kaluar…
Je fat për të tjerë,
për mua vuajtje, trishtim,
që më bën të të quaj:
“Lule mos më prek!”
Oh, mos qoftë asnjeri,
në këtë hallin tim,
mrekullinë e bukurisë,
të kem frikë se më vret!…