Përg MIMOZA STAKAJ
R.SH. – Vatikan
Më 14 tetor, kujtojmë 91-vjetorin e vrasjes mizore të fratit e studiuesit të madh, Atë Shtjefën Konstandin Gjeçovit, më 14 tetor 1929 në fshatin Zym të Hasit, afër Prizrenit. At Shtjefën Gjeçovi, françeskan shqiptar kosovar, është një nga figurat vigane që krishterimi shqiptar i fali kulturës kombëtare, i cili për kontributi e tij, radhitet përkrah gjenive të tjerë të krishterimit ndër shqiptarë, si imzot Pjetër Budi, imzot Pjetër Bogdani, imzot Gjon Kazazi, At Gjergj Fishta, At Anton Harapi e shumë e shumë të tjerë.Po e përkujtojmë figurën e tij poliedrike të rëndësishme për Kishën dhe kulturën shqiptare, me sivëllain e tij të françeskan, At Ndue Kajtazin nga Zymi, vend ku At Shtjefën Gjeçovi e dha jetën për Krishtin dhe Popullin e tij shqiptar. Ta dëgjojmë bisedën që zhvilluam me françeskanin At Ndue Kajtazin nga kuvendi françeskan i Gjakovës..Ta dëgjojmë At Ndue Kajtazin nga kuvendi françeskan i GjakovësSapo kujton emrin e At Shtjefën Gjeçovit (1874-1929), edhe më të fundmit të shqiptarëve që ka pasur rastin të bëjë qoftë edhe dy klasë shkollë, do t’i vejë menjëherë mendja te “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, mbledhur e kodifikuar nga frati i madh. Po Atë Shtjefni ishte më tepër se kaq.Një nga figurat më poliedrike që njeh historia e kulturës shqiptare, At Shtjefën Gjeçovi pati etjen e pashuar të gërmont
e nga pak në të gjitha fushat e diturisë. Mahniti me kulturën e tij Faik Konicën, i cili e përshkruan me nderim e simpati të thellë në parathënien e Kanunit; la pa mend shkrimtarin e ri modern të Shkollës letrare të Veriut, Dom Lazër Shantojën, edhe ky martir i krishterimit gjatë diktaturës, i cili i kushtoi portretin më të bukur që është shkruar për të, duke e radhitur përkrah Fishtës e Harapit. Ai mbeti në kujtesën e të gjithëve si një nga historianët, etnografët dhe arkeologët e parë shqiptarë.At Shtjefën Gjeçovi lindi më 12 korrik 1874, në Janjevë të Kosovës në një familje thellësisht katolike. Në pagëzim ia vunë emrin Mëhill e shkurtimisht e thirrën Hilë. Që i vogël shfaqi shenja jo të zakonshme zgjuarsie, prandaj famullitari françeskan, me leje të prindërve, e mori një ditë për dore dhe u nis bashkë me të për në Shkodër, në Kolegjin françeskan. Gjeçovi ishte vetëm 10 vjeç kur veshi zhgunin e murrmë, të lavdishëm, të fratit. Vijoi mësimet në Troshan, Fojnicë, Dërventë, Kreshevë, përgjithësisht në Bonjë-Hercegovinë, ku është përgatitur një pjesë e mirë e françeskanëve shqiptarë, ndërmjet të cilëve, Fishta. Më vonë françeskanët e rinj do të merrnin rrugët drejt Austrisë e Italisë.Nisi të interesohej për gjithçka kishte të bënte me historinë e popullit të vet: për fillimet e krishterimit, për arkeologji, etnografi, gjuhësi, letërsi e natyrisht edhe të hidhte në letër shkrimet e para, pa harruar kurrë se detyra e tij kryesore do të ishte predikimi i Ungjillit të Krishtit.U kthye në Troshan më 1896, 22 vjeçar, famullitar i ri me fe të gjallë e kulturë të thellë. At Shtjefën Gjeçovi predikoi Ungjillin në Rubik, Pejë, Laç-Sebaste, Zarë, Sapë, Theth, Prekal, Vlorë, Shkodër, Gjakovë e Zym, ku u ndal për pushimin e mbramë! Kulmin e krijimtarisë e arriti në vitet 1900, kur u bë i pranishëm në të gjitha fushat e kulturës e të arsimit.Shkroi në të tria gjinitë letrare, mblodhi këngë, përralla, mite, doke e zakone popullore e, mbi të gjitha, atë që do ta pavdekësonte, “Kanunin e Lekë Dukagjinit” monument i gjuhës dhe i kulturës së Kombit Shqiptar, për të cilin Universiteti i Lajpcigut i dha titullin “Doktor i shkencave in honoris causa”.At Shtjefën Gjeçov mblodhi gojëdhana, zakone, visar gjuhësor. Përgatiti monografi shkencore historike, etnologjike, arkeologjike, petagogjike, kodifikoi të drejtën zakonore shqiptare, shkroi artikuj publicistikë, hartoi tekste mësimore, krijoj një koleksion të pasur arkeologjik, shkroi drama e tragjedi, poezi e romane, përktheu letërsi botërore në gjuhën shqipe e vepra fetare, përgatiti vëllime me dokumente për historinë e popullit shqiptar, shkroi artikuj e studime historike.Po kujtojmë disa prej veprave të tij: “Dashnia e atdheut”, drama “Agimi i qytetnisë”, “Shqiptari ngadhënjyes”, “Përkrenarja e Skënderbeut”, botimi i “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, vepra “Trashëgime trako-ilire”, “Jeta e Shën Luçisë, Shna Ndou i Padues, Atil Reguli” – përkthim i lire i dramës me 3 akte të Pjetër Metasatasit, “Vazja e Orleans-it ose Joana D’Ark” mbas A.F. prej Bergamos dhe vepra e fundit teologjike “Shpërblesi i botes ase Jeta e Jezu Krishtit”, të cilën e shkroi me qellim që të mësojë dhe edukojë popullin në frymën e gjuhës shqipe dhe në frymën e dashurisë së Jezusit.Shumica e veprave i mbetën në dorëshkrim. Madje edhe “Kanuja” u botua pas asaj dite ogurzezë të 14 tetorit të vitit 1929, kur ra nën plumbat e tradhtarëve, duke shuguruar me gjakun e vet bucat e asaj toke, për të cilën kishte shkrirë jetën, të cilat nuk lageshin për herë të parë me gjak frati.Ai vetë pati mbledhur, sipas të gjitha kritereve, të dhënat për të lartuar në altar një tjetër frat shqiptar, At Luigj Paliqin, martir i fesë e i atdheut. E ndërmjet shkrimeve të shumta kushtuar At Gjeçovit, po kujtojmë se për të është shkruar edhe një monografi me titull “Shtjefën Gjeçovi: Jeta, vepra” me autor Ruzhdi Matën. Gjithsesi shkrimet më të besueshme për të janë ata që mbajnë nënshkrimin e sivëllazënve të tij françeskanë, të cilët e njohën nga afër, sidomos At Pashkë Bardhit, historianit të fretërve.Duke kujtuar sot At Gjeçovin, bëmë vetëm një skicë të shpejtë të një figure që i ngriti vetvetes me vepra një monument të pashterueshëm nga koha, sepse françeskani At Shtjefën Gjeçovi ishte dhe mbeti pishtar i gjallë i ndriçimit të historisë dhe kulturës së kombit të tij, të cilat u bënë për të pajë shpirtërore dhe qëndrese deri kur dha edhe frymën e fundit.“Giuha e nji komit s’kaa t’ndalun, as nuk
mûnd t’ndâlet kurr”. “Sa mûnd t’mêndohet dielli pa dritë, aq mund t’mêndohet komi pa giuhë” . Ai i bën të ditur patriotëve të tij vlerat e gjuhës sonë, pasi ajo… “âsht nji gjâa sênd qi nuk mûnd t’blehet, nuk shitet e nuk ndrrohet; nji sênd âsht, qi do t’ruhet si nji gur i çmue, do t’ruhet si nji dhântii e posaçme e Perendîis e si nji trashigim i t’parvet tonë… do t’ruhet si drita e synit. Kjo dhântii… âsht giuha shqype”. E mbyll paragrafin, duke vendosur në fund këtë aforizëm: “Sa mûnd t’mêndohet dielli pa dritë, aq mund t’mêndohet komi pa giuhë”