Meri Mezini
U ula këmbë kryq te porta e nënës,
babait i them në heshtje më fal,
kudo në oborr janë duart e nënës,
çdo pemë e ujitur nga lotët e saj.
Ulur këmbë kryq te pragu i portës,
syri kërkon prindërit të jenë gjallë,
çdo cep i mbushur me dhimbjet e tyre,
gjithë jetën do digjem për ta do kem mall.
Kërkoj kudo një kujtim nga nëna,
asnjë jastëk me aromën e saj,
asnjë shenjë e tyre nuk është asgjëkundi,
diçka prej tyre, do më nxirrte mall.
Piktura pafund varur në mure,
fotot e prindërve nuk di ku janë,
asnjë kujtim s’kam sot prej tyre,
sytë e përlotur shpirtin e vrarë.
Ditët kalojnë e kujtimet rriten,
gjithmonë për prindërit malli do më marrë,
kur janë gjallë harrojnë detyrimet,
pas vdekjes së tyre,
kërkojnë ç’na lanë.
Ulur këmbë kryq te pragu i nënës,
në lotët e mi,
gjej bekimin e saj,
vdesin një ditë prindërit e dashur,
në parajsë shkojnë me shpirtin qelibar…