LAMTUMIRË DALIP GRECA

0
Zemra e Dalip Grecës ndaloi përgjithmonë, u shua një ikonë e Diellit, Vatrës e gazetarisë shqiptare në Amerikë….
Sokol Paja    May be an image of 2 people, people standing and suit
Zemra e Dalip Grecës ndaloi përgjithmonë. Ikona e shtypit të shkruar shqiptar në Amerikë, Editori epokal i Diellit 2009-2021, vatrani i veçantë, patrioti i spikatur, veprimtari i dalluar, njeriun që komuniteti e deshi dhe respektoi aq shumë, s’do jetë kurrë më fizikisht mes nesh. Ai ia dorëzoi shpirtin e tij Zotit të gjithësisë duke na lënë pas trashëgiminë e tij të pasur e kujtimet e dhimbshme e të paharrueshme. Sot më shumë se kurrë Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, të gjithë vatranët e Shqiptaro-Amerikanët i shprehin mirënjohje, nderim, respekt e vlerësim për punën e jashtëzakonshme që Dalip Greca bëri në Diell e Vatër për 12 vjet dhe në komunitetin shqiptar prej më shumë se dy dekada. Ai luftoi dhe punoi fort për idetë dhe idealet e tij.  May be an image of 1 person and text I palodhur, i kudondodhur, i urtë, punëtor, sistematik, fisnik e largpamës. Ngjalli gazetën Dielli, rifreskoi qelizat e Federatës Vatra, transformoi çdo realitet ku ai u bë pjesë, guxoi dhe u investua maksimalisht për të realizuar atë për të cilën ai besoi. Media shqiptare në Tiranë, Prishtinë, Shkup e çdo trevë shqiptare sot e nderon Dalip Grecën për kontributin e lartë për katër dekada me radhë që ai dha intensivisht në median shqiptare. Z.Greca kultivoi në media një stil të veçantë teknikash dhe vlerash dhe nga duar e tij kanë dalë ajka e gazetarisë së sotme shqiptare. Dalip Greca ishte një patriot, profesionist dhe një njeri shumë i zoti. Dalip Greca mishëroi gjatë gjithë jetës së tij vlerat dhe vyrtytet më të larta të shqiptarit të mirë. Në çdo moment Dalip Greca ishte simbol i sakrificës, durimit, qetësisë, urtësisë, mençurisë, thjeshtësisë dhe këmbënguljes. Z.Greca gjatë punës së tij të mrekullueshme arriti të kalonte në shumë sfida duke pasur gjithmonë sukses dhe duke krijuar modele të shëndosha e të qëndrueshme si në Diell, në Vatër e në komunitetin shqiptar në Amerikë. Dalip Greca për katër dekada udhëhoqi me integritet moral, qytetar e profesional mediat ku punoi. Perveç punës së madhe dhe gjurmëve të pashlyeshme që z.Dalip Greca ka lënë në Diell, ai më herët ka qenë një gazetar shumë kurajoz, i ndershëm, i drejtë dhe menaxher i shkëlqyer te gazeta Ora e Fjalës, Republika, Illyria dhe bashkëpunëtor në shumë media kombëtare në Tiranë e hapësirën mbarë shqiptare. z.Greca ka qenë një penë e spikatur në diasporë duke memorizuar me qindra personazhe të historisë sonë kombëtare e diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara e jo vetëm. Dalipi ishte një zë i fuqishëm dhe i pa kompromentueshëm. Ai kultivoi dhe transmetoi vlerat dhe vyrtytet më të larta mediatike dhe njerëzore. Duke qenë zëdhënës i Vatrës, gazeta Dielli, nën drejtimin e z.Greca kreu misionin me paanësi, korrektesë e profesionalizëm në kohë të vështira. Dalip Greca me të gjithë ata që punoi ishte një bashkëpunëtor besnik, një familjar shembullor, një shqiptar i dalluar në diasporën e Amerikës. Miku ynë i shtrenjtë Dalip Greca pasi udhëhoqi me profesionalizëm të lartë, përkushtim të veçantë e pasion të dalluar vendosi të largohet duke na lënë përveç lotëve e mungesës, një trashëgimi të jashtëzakonshme e kujtime të përjetshme. Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, Komuniteti shqiptar, miqtë dhe familja do i jenë përjetë mirënjohës Dalip Grecës për veprimtarinë e tij dinjitoze dhe të shkëlqyer mediatike, njerëzore, kulturore, vatrane dhe patriotike. Të gjithë ne do të jemi mirënjohës përherë ndaj Dalip Grecës për frymën e bashkimit, të bashkëpunimit, të patriotizmit e të mirëkuptimit që kultivoi dhe transmetoi në Diell e Vatër për 12 vjet e komunitetin shqiptar në Amerikë prej më shumë se 2 dekada. Kontributi kolosal që la për të gjithë ne Dalip Greca pas largimit të tij në amshim do jenë një pasuri e çmuar për Vatrën e komunitetin shqiptar. Dalip Greca shërbeu me ndershmëri, përkushtim dhe shumë pasion. Ai ishte kurdoherë i gatshëm për të sakrifikuar dhe kontribuar si në ditët me diell dhe në ditët me shi. Me emrin e Dalip Grecës lidhet një histori shumë e rëndësishme e Diellit në Amerikë duke u kthyer në një media shumë serioze, dominuese dhe prestigjioze në botën shqiptare dhe jo vetëm. Dalip Greca ishte një intelektual i rrallë, një personalitet i shquar shqiptar i diasporës, një gazetar me dhunti të veçanta, një usta i pashoq. Gjurmët e pashlyeshme në gazetat Ora e Fjalës, Republika, Iliria dhe punën e jashtëzakonshme në Diell e në Vatër e kthejnë në një emër të paharruar në historinë e medias shqiptare në diasporë e trojet shqiptare. Ai u nderua me dekoratën Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut prej Presidentit të Shqipërisë, nga Konsullata e Kosovës, shoqata e organizata në diasporë për kontribut të çmuar në media dhe komunitetin shqiptar. Në vlerësim të veprimtarisë së shquar kombëtare dhe kontributit të vyer shumëvjeçar si gazetar, publicist e drejtues mediesh, emri i Dalip Grecës do shkruhet me gërma të arta në historinë e medias shqiptare e diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
I paharruar kujtimi, veprat dhe trashëgimia publicistike e njerëzore që Dalip Greca na la me ikjen e tij në përjetësi.
FALEMINDERIT PËR GJITHÇKA..17.05.2022.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.