Miq demokratë.
Sot marr guximin të kërkoj prej Jush votën dhe besimin Tuaj për Kryetar i Partisë Demokratike të degës Shkoder.
Ky guxim dhe kjo përgjegjësi qytetare vjen pas një dualiteti të vjetër në mes dëshirës dhe mundësisë, në mes kontributit dhe pjekurisë politike, në mes kërkesës së shumë miqve demokrat dhe hapësirës për një nisëm të tillë.
Një nisëm e tillë më është kthyer në bindje sot pas 31 viteve kontribut në PD dhe një opozitarizmi (edhe vetëm në një sektor siç është arsimi) në këto 9 vite opozitë të vështirë, nga qëndresa dhe kontributi idealist dhe nga besimi se një marrje e tillë përgjegjësie është kontribut dhe jo privilegj,është sakrificë dhe vlerësim për mua.
Unë do kërkoj votat e gjithë atyre demokratëve që në vitin 1991 më ngjallën guximin për të besuar në ndryshimin dhe shpresen tek Partia Demokratike,të cilat u mundova t’jua shpërblej me kontributin tim si gazetar në gazeten e tyre të parë.
Do kërkoj votat e gjithë atyre që së bashku qëndruam dhe mbrojtëm Partinë Demokratike në vitin e mbrapshtë 1997 prej sulmit e rebelimit komunist.
Votat e atyre të nderuarve anëtarë që qendruam së bashku në ditët më të vështira në opoziten e pas 1997-tës do jenë një krenari dhe vlerësim për mua.
Por do kërkoj edhe votat e atyre që erdhën në PD pas 2005-sës dhe treguan se e meritonin të vazhdonin ringjalljen e saj,por edhe ato të pas 2013-tës e në vijim.
Do të kërkoj votat e gjithë miqve dhe kolegëve që u njohëm në qendrat e votimit apo tavolinat e grupeve të numërimit në kalvarin e gjatë të zgjedhjeve,mitingjet dhe tubimet e shumta në 31 vjet.
Pres të marr voten e anëtarëve të thjeshtë apo miqve me të cilët kontribuam gjatë në departamentet e PD-së dhe në seksionet apo grup seksionet tona.
U kërkoj me kurajë dhe drejtpërdrejtë voten për kandidaturën time gjithë të zgjedhurve lokal, ishkryetarëve dhe deputetëve me të cilët dhe për të cilët kam kontribuar në fitoret e tyre dhe të PD-së.
Mbi të gjitha do kërkoj votat e gjithë atyre që në 31 vite nuk u larguan dhe e braktisen asnjëherë PD-në dhe së bashku vazhdojmë të jemi kolona vertebrale e saj.
Duke qenë i bindur se pozicioni i kryetarit të një Dege të partisë nuk është i kondicionuar me politikbërje qendrore, themeli i punës sime do jetë i përqendruar në :
– Krijimin e një klime besimi dhe bashkëpunimi në mes të t’barabartëve me antarësinë.
– Evidentimin,rritjen dhe bashkëpunimin me të gjithë antarësinë për fitoren e rradhës në zgjedhjet e pushtetit lokal për ti paraprirë ndryshimit te madh të pushtetit ekzekutiv.
-Rikthimin pranë strukturave të PD-së apo si konsulent vlerash në parti, të pasurisë së madhe që ka qyteti ynë, akademikëve dhe profesoriatit të Universitetit të Shkodres “L.Gurakuqi”, por edhe qindra intelektualëve të shumtë që qyteti ynë ka, e që “çuditërisht” nuk kanë gjetur hapësira në partinë e vlerave të cilën e krijuan dhe i besuan.
-Një vend dhe hapësirë idesh e kontributesh për të gjithë themeluesit,qëndrestarët,kontribuesit dhe idealistët që fatmirësisht i njohim dhe janë të gatshëm për kontribut.
-Luftë mediatike me denoncimin e veprimtarisë së mazhorancës dhe informimin e qytetarëve për gjithçka dhe për çdo gjë.
Kam fatin e madh që nuk jam peng as i të shkuarës dhe as i të sotmes , sikurse edhe emrin tim nuk e kam ngritur as mbi pritshmëri dhe as mbi aleancat perverse me grupime të ndryshme ,por me punën time të ndershme,me filozofinë time se kontributi për komunitetin nuk është krenari por detyrë, me motivin se kontributi në Partinë Demokratike është përmbushja e amanetit fisnik të trungut tim familjar, ndaj vota e juaj e dhënë për mua të dashur miq,do ju krenojë dhe do ju kthehet në kontribut të përbashkët.
Faleminderit gjithsecilit prej Jush dhe suksese e ardhmëri Partisë Demokratike !