LIBRI, CENSURA, BASHKËPUNIMI, MIQËSIA

0
Rita Filipi
(Një rrëfim që e bëj për herë të parë publikisht)
Me Prof Sabri Hamitin më lidhin më shumë se 25 vjet bashkëpunim dhe miqësi. Në kohën kur punoja si redaktore e teksteve të letërsisë në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor, libri i parë me të cilin dhe filloi bashkëpunimi ynë (1994) ishte “Letërsia e vjetër shqipe”. U entuziazmova nga stili i tij krejt ndryshe prej analizave letrare skematike asokohe. Po libri me të cilin u dashurova dhe kalova nëpër tërë ato peripeci ishte “Letërsia Moderne Shqipe”. Ishin vitet 1998/1999; u ndalua e u censurua nga grupi i miratimit në shtëpinë botuese dhe në ministrinë e arsimit për shkak të konceptimit të moderuar me të cilin trajtoheshin autorët dhe veprat e gjysmës së parë të shekulit XX, si dhe se disa prej tyre paskishin qenë fashistë apo antinacionalistë. Aq e bindur isha që ai libër duhej patjetër të ishte në shkollat tona, sa dhashë dorëheqjen nga puna e shtetit dhe hapëm ALBAS-in, falë edhe nxitjes së partnerit tim dhe bashkëthemeluesit të kompanisë, Latif Ajrullait. Libri i parë i botuar yni ishte “Letërsia Moderne Shqipe”, e cila u kthye shumë shpejt në një bibël në duart e mësuesve të letërsisë. Ndonëse dilnin disa urdhra nga ministria e atëhershme që ky libër ishte i ndaluar në shkolla, mësuesit vazhduan t’ua rekomandonin nxënësve dhe nuk u tërhoqëm ne, po u detyrua shteti të bënte një tërheqje pa zhurmë dhe shumë shpejt ngriti grupin e autorëve për trajtimin e kësaj periudhe. Më ka mbetur në mendje një shprehje e profesorit kur i thosha: “Jemi të pafuqishëm në konkurrencë; dhe ai ma kthente: Mos u mërzit, ajo ç’ka kam bërë unë është punë e shumë viteve; të tjerët do e shkruajnë për 2 muaj” 🤗 Dhe vërtet libri ynë u bë i pakonkurrueshëm. Nga puna me prof. Sabri Hamitin bëra një fakultet të dytë, si edhe mësuest e letërsisë, që filluan të punojnë me këtë libër, me të cilin edhe nxënësit nisën ta shohin letërsinë shqipe nga një këndvështrim tjetër, i cili i ndihmoi më pas për të kuptuar rrjedhat regresive që mori letërsia shqipe e realizmit socialist në gjysmën tjetër të shekullit. Edhe sot e kësaj dite trajtime të tilla që standardizuan studimin e veprave dhe autorëve si Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Ernest Koliqi, Gjergj Fishta, Faik Konica, Migjeni etj. mbeten bashkëkohore e përdoren nga mësuesit, ndërsa studimet e plota nga pedagogët në universitete. Ndihem me fat dhe përherë e frymëzuar për miqësinë dhe bashkëpunimin e vyer që kam me prof. Sabri Hamitin, një figurë e shquar akademike shqiptare, dhe jo vetëm kaq, po me një karakter model burri, që nuk të zhgënjen kurrë.
(Nuk përmenda emra të përvetshëm, se qëllimi im është të nxjerr dukurinë e censurës së librave që thyejne skemat apo atë që, ndonëse në punë shteti, secili duhet të luftojë për individualitetin dhe profesionalizmin e vet)

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.