Kaloi rinia, po ikën beqaria, pa nuse te shtëpia

0

Nga Gjekë Gjonaj

Gjatë një vizite që i bëra   kohë më parë një mikut tim më shprehu shqetësimin e tij  të madh se nuk po i martohet djali  i cili i ka afruar të pesëdhjetat. “ Vitet po kalojnë.  Unë dhe bashkëshortja po plakemi.  Me pa durim po presim një nuse  në shtëpi. Të  lumturohet djali ynë, por  edhe  të ketë kush të kujdeset për ne, sepse  na ka rënduar pleqëria. Gëzim më të madh për ne nuk do të kishte sesa   djali ynë të martohej e të krijonte  familjen. Por, nuk po bindet edhe pse, për mendimin tim, i ka  kushtet  ekonomike  për martesë. Është i arsimuar. Ka kryer fakultetin.  Është në marrëdhënie pune. Pagat  mujore i ka  të mira.  I arrirë edhe në karrierë. Dhe, vazhdon të jetë beqar. Kjo  pritje e tij kaq e gjatë  për të gjetur partneren e jetës  na ka goditur fort ne prindërve.  Aq sa nuk kemi qetësi e rehati as ditën as natën”  më thotë miku im  i përlotur.   Jemi në shekullin XXI. Tani , siç po e  përjetoni  edhe ju vetë, çdo gjë  ka ndryshuar. Asgjë nuk është si më parë. Pra, as martesa. Edhe ne shqiptarët kemi vendosur që t’i themi  jo traditave  të vjetra të kërkimit të dorës për partnerë siç ndodhte tradicionalisht. Martesa pas të 30-tave  është bërë  një tendencë  gjithnjë e më shumë në rritje edhe tek ne shqiptarët”, iu përgjigja, duke  e ngushëlluar atë.Rrëfime të ngjashme  të vonesës së martesës të këtij burri intelektual mund të dëgjosh në shumë  familje shqiptare në Mal të Zi,   në  fshatra e në qytete.   Tani , pas gjysmë shekulli, termi martesë   është vjetruar.  Çiftet po martohen më pak në ditët e sotme. Për pasojë kemi   kaq shumë beqar/e.  Ka fshatra shqiptare në Malin e Zi të cilat kanë mbi 70 beqarë/e. Sikurse ka edhe  të tilla  fshatra që  nuk ka pasur  asnjë kurorëzim  për  më shumë se 40 dekada, sepse ato janë boshatisur plotësisht. Në një bisedë   gojore   që kam zhvilluar  miqësisht me disa  beqarë e beqaresha në Malësi dhe Ulqin  për arsyet kryesore  të beqarisë së tyre  kam fituar  përgjigje të ndryshme, si:

  • Jetoj në fshat  dhe vajzat  më shumë preferojnë qytetin.
  • Jam i papunë. Nuk kam të ardhura të sigurta financiare.
  • Unë thjesht nuk dij  të josh palën tjetër.
  • Me të vërtetë do të doja  të gjej një partner, por nuk di si ta bëj atë.
  • Më ka ngjallur frikën pandemia që ka përfshirë  botën.
  • Gëzoj një jetë të lirë dhe nuk kam nevojë për askënd.
  • Nuk di të kuptoj  kur dikush më pëlqen, por gjithashtu nuk  di të jap një sinjal interesimi.
  • Dua të mbështetem tek forcat e mia.
  • Kam një anëtar të familjes së moshuar  për të cilin duhet të kujdesem.
  •  Dua të përqendrohem tek karriera.
  • Kam frikë të lë prapa krahëve emocionet e pasionet e dashurisë, e  t’u lë vendin  problematikave martesore.
  • Të jetuarit vetëm sjell më shumë përfitime.
  • Jeta martesore është një barrë për mua.
  • Dëshiroj të qëndrojë  e fokusuar tek liria dhe puna ime.
  • Ende nuk e takova personin e përafërt me ndjenjat e mia.

Këto dhe arsye të tjera  tregojnë përse çiftet  po martohen më pak dhe më vonë.  Ky fenomen jo vetëm tek shqiptarët, por tashmë global  është lajm i keq, të paktën  për ata që ende besojnë  se martesat dhe familja e shëndetshme   formojnë themelet e një shoqërie të civilizuar. Familjet e lumtura rrisin fëmijë të lumtur.Edhe Ati i Shenjtë, Papa Fraçesku kohë më parë, përmes një video mesazhit të publikuar nga Rrjeti Botëror i Lutjeve të Papës, në bashkëpunim me Dikasterin Vatikanas për Laikët, Familjen dhe Jetën,   ka thënë  se  martesa është gjë e bukur, duhet durim, por ia vlen. “Ia vlen të rrezikosh”: pavarësisht se martesa është “udhëtim impenjativ, nganjëherë i vështirë, nganjëherë edhe konfliktual”, “të martohesh e ta ndash jetën me dikë është gjë e bukur”. Papa Françesku përmes  kësaj porosi  dëshiron t’i inkurajojë të rinjtë ta ndërmarrin këtë udhëtim “për gjithë jetën”, në të cilin ka një aspekt qendror: dhëndri dhe nusja nuk janë vetëm, sepse “Jezusi i shoqëron”.  “A është e vërtetë ajo, që thotë dikush, se të rinjtë nuk duan të martohen, veçanërisht në këto kohë të vështira?”, pyet Papa, i vetëdijshëm për problemet dhe ndërlikimet e lidhura edhe me pandeminë. “Martesa – thekson ai – nuk është vetëm akt shoqëror: është thirrje që vjen nga zemra, është vendim i vetëdijshëm për gjithë jetën e kërkon përgatitje të veçantë”. Për këtë arsye, është i rëndësishëm shoqërimi i çiftit nga ana e krejt bashkësisë së krishterë: Ju lutem mos e harroni kurrë! Zoti ka një ëndërr për ne, dashurinë e, na kërkon ta bëjmë tonën. Le ta bëjmë tonën dashurinë, që është ëndrra e Zotit. E, të lutemi për të rinjtë, që përgatiten për martesë me mbështetjen e bashkësisë së krishterë: që ata të rriten në dashuri, me bujari, besnikëri e durim. Sepse për të dashur duhet shumë durim. Por ia vlen”, është shprehur Papa Fraçesku

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.