Jonuz Delaj, magjistari i lahutës nga Malësia e Madhe/ I fundmi i Eposit të Kreshnikëve

0

Jonuz  Delaj është lahutari më i rrallë në Malësinë e Madhe. Ai është një trashëgimtar i vërtetë  i traditës, historisë dhe krenarisë së lashtë të Eposit të Kreshnikëve.

Prej 64 vitesh Jonuz Delaj nuk resht duke i kënduar e shkruar këngë Malësisë, historisë së saj të lavdishme, traditës, kulturës e personazheve më të rëndësishëm në shekujt e gjatë të Malësisë.

Jonuz Delaj në moshën 6 vjeçare filloi t’i binte lahutës, në një moshë kur lahuta ishte më e madhe edhe se vetë artisti. Këtë instrument muzikor e ka trashëguar nga babai dhe gjyshi që ishin mjeshtra të lahutës.

Lahuta dhe pushka ishin binom i çdo familje malësore. Fëmijët në atë kohë bëheshin ose të pushkës ose të lahutës. Fëmijëria e Jonuz Delajt ishte e lidhur jashtëzakonisht me kuvendet e burrave, logun apo organizimet mes fshatrave.

Fisnikëria e malësorëve ishte e jashtëzakonshme. Dashuria për atdheun ishte frymëzim së bashku me këngët e trimërisë, lufta për të mbajtur pushtuesin larg trojeve shqiptare. Krenaria e të papushtuarit, dëbimi i shovinistëve dhe mbajtja në mënyrë të shenjtë të tokave të të parëve, ishin elementi dallues dhe frymëzues në këngët e Jonuz Delajt.

Kënga e parë e kënduar prej lahutarit Jonuz Delaj quhet: “Këta nizamët e shqiptarisë” që i dedikohej djemve shqiptarë të marrë peng prej Turqisë.

At Gjergj Fishta ishte element frymëzimi për çdo malësor. Jonuz Delaj në moshën 10 vjeçare lexoi kryeveprën e Fishtës “Lahuta e Malësisë” origjinale dhe arrinte të thoshte qindra vargje në koncerte e ansamble.

Jonuz Delaj është dekoruar me Dekoratë e Klasit të Tretë nga Kuvendi Popullor si interpretues i vlerave kombëtare, folklorike dhe trashëgimisë kulturore.

Kënga e fundit që ka krijuar lahutari Jonuz Delaj është për emigrantët shqiptarë e titulluar: “Prej mërgimit më erdhi një fjalë”.

Jonuz Delaj  vazhdon të krijojë çdo ditë duke i kënduar Malësisë, figurave të saj, e ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së saj.

I harruar prej  të gjitha pushteteve, ai nuk u zemërua kurrë, por në zemrën e tij dhe shpirtin e artit kultivoi dashurinë për Malësinë e tij, atë që nuk e braktisi kurrë.

Çdo këngë ka historinë e saj të veçantë tregon Jonuz Delaj. Pabesia e komunistëve ndaj Kelmendit ishte e frikshme. Kelmendasit janë mësuar gjithmonë me pabesi që nga osmanët  e deri nga serbët e komunistët në fund, shpreh pikëllim lahutari. Jonuz Delaj i ka kënduar Marash Ucit (një figurë e lartë trimërie nga Brigjet e Hotit), Oso Kukës, Atë Fishtës, Ciklit të Kreshnikëve, Martesa e Halilit, Isa Boletinin, Ali Pashë Gucinë, Nores së Kelmendit, Mem Smaljit, Prek Calit, Nik Lek Pepës, Sali Manit etj.

U ka kënduar ngjarjeve që kanë shënuar Malësinë, qëndresës heroike të Kelmendit çka e bëjnë këtë lahutar kaq të dashur për Malësinë e malësorët.

Leu Prek Cali mbi  këto kreshta

Fjala e tij ushtoi sa bjeshka

Atje në Londër ky dai

Mos mi shtyj gur e shefi

Mos ma shkelni vendin tem

Se ua baj vorrin në Kelmen

Foto Jonuz Delaj, Lahutar

Sipas Lahutarit Jonuz Delaj, At Gjergj Fishta erdhi në Malësi jo vetëm  për meshën e shenjtë por për t’i kënduar e shkruar  malësorëve të Malësisë, bijve heroikë dhe atyre që kanë lënë jetën për Kelmendin e krejt Malësinë.

Fishta u shkroi malësorëve dhe fisnikërisë e trimërisë së tyre mbi  20 mijë vargje. Lahuta ime thotë Jonuz Delaj nuk i ka kënduar gjithkujt, por bijve të veçantë të Malësisë dhe historisë së saj.

Lahuta është më e vjetër se Cikli i Kreshnikëve. Lahuta ishte një sinjal kushtrimi si kënga maja krahut për raste të veçanta për malësorët që të mos diktoheshin  nga shkjau.

Kënga e lahutës dhe kënga maja krahut ishin sinjale të veçanta komunikimi, një gjuhë specifike e fshehtë mes malësorëve që sinjalizonin njëri-tjetrin në raste rreziku.

Edhe në komunizëm nuk i këndoi kurrë partisë dhe udhëheqjes por vetëm Ciklit të  Kreshnikëve dhe trimërisë e historisë së Malësisë e malësorëve.

Vetë misioni dhe specifika e lahutës si instrument muzikor e shpëtoi nga censura dhe shërbimi ndaj partisë e udhëheqjes së kohës. Lahuta i këndonte trimërisë së malësorëve, kënga e lahutarit frymëzonte malet dhe malësinë e trimërinë, i nxiste në luftë  patriotët për të luftuar për atdheun e trojet e tyre.

Në çdo luftë, në çdo kuvend burrash, në çdo betejë, lahuta i frymëzonte malësorët kundër sllavëve dhe osmanëve. Çdo katund ka pas lahutarët e tij në Malësi. Lahuta, fyelli, zymarja ishin tre instrumentet muzikor më të përdorur në Malësi.

Jonuz Delaj veçon lahutarët më në zë të Malësisë: Nua Biboçi, Prek Gjon Luca, Martin Llesh Smajlaj, Vera Qosaj, Pretash Nilaj e disa të tjerë që e kanë trashëguar traditën e lahutës në Malësi.

LEXO EDHE:  Reportazh- Art në mur/ Njihuni me të riun korçar që po frymëzon të rinjtë me pikturat 3D

Sipas Jonuz Delajt, Sali Mani solli i pari çiftelinë në Malësinë e Madhe dhe i këndonte fshatit, trimërisë së malësorëve, jetës së  përditshme dhe personazheve të thjeshta frymëzuese të jetës së përditshme.

Së bashku me Sali Manin kujton lahutari Jonuz Delaj, shkonim nga Malësia në Shkodër në këmbë për të kënduar në koncerte.

Ne lidhëm një miqësi të fortë. Si dy instrumentat e çiftelisë e lahutës që janë bashkë, ashtu edhe ne ishim  një binom i pa ndarë.

Me Sali Manin kemi shkuar në çdo festival në Gjirokastër, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi etj. Fakti i qëndrimit besnik të boshtit kreshnik të Lahutës”, shpjegon lahutari Delaj, më shpëtoi nga kënga për udhëheqjen komuniste.

Jonuzi i rritur me sokolat e bjeshkës mësoi t’i binte edhe fyellit, zymaresë e çiftelisë.

Lahutari Jonuz Delaj ka qenë pjesëmarrës i festivaleve ndërkombëtare në vitin 1973 në festivalin Ballkanik në Ohër të ish-Jugosllavisë, në Ankara të Turqisë, në festival Europian në Venecia, në Bolonja dhe turne të rregullt në viset shqiptare të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi e Preshevës. Lahutari Delaj tregon me krenari se në Prishtinë, vitin që shkoi së bashku me lahutarë të tjerë kanë krijuar Festivalin e Lahutarëve në hapsirën mbarëshqiptare.

Lahutari Jonuz Delaj është një mbrojtës i flaktë i vlerave të hershme të lahutës në media të shkruara dhe audiovizive.

Lahutari Jonuz Delaj sulmon dhe UNESCO-n që e ka cilësuar lahutën element të trashëgimisë kulturore serbe.

Lahutari Delaj citon At Fishtën: Serbët në Ballkan erdhën dy shekuj mbas nesh dhe shprehimisht, kur ne vazhdonim qytetërimin për dy shekuj, ata erdhën nga shpellat Urale të Rusisë.

Në 30 vitet e demokracisë janë vitet  më të zymta të artit dhe kulturës shqiptare. Sidomos të pjesës folklorike që përbën identitetin tonë kombëtar, shprehet i zhgënjyer lahutari Delaj. “Tradita dhe historia në muzikë është lënë në harresë prej qeverive në vazhdimësi.

Shteti duhet t’i ruaj me fanatizëm këto tradita. Sot ky komb është në rrezik, po humbet identitetin kombëtar. Që nga librat në shkolla e deri te mbështetja shtetërore për artin janë në nivele alarmante.

Nuk kujdeset askush as per individin as për artin, nuk ka kinema, shtëpi kulture, zero investime për artin”. Në përfundim të bisedës, lahutari kreshnik Jonuz Delaj, na lë një amanet patriotik: Ruani patriotizmin siç e ruani prej më shumë se tash një shekulli.

Mësojini fëmijëve shqip. Duajeni atdheun dhe mos e harroni kurrë historinë dhe identitetin tuaj shqiptar.

Shqipëria është vendi i paradokseve. Ka qenë, është dhe fatkeqësisht, nuk ka shenja që do të ndryshojë as në të ardhmen. Jonuz Delaj, pa më të voglin dyshim, është nga rapsodët më të mirë por edhe të njohur në të gjithë Veriun, e aty ku njihet lahuta, mund të konsiderohet edhe si “profesor” i kësaj vegle muzikore.

Në të gjitha vendet normale të botës, një figurë e tillë do të kishte të zgjidhur jo vetëm jetën e tij, në kuptimin ekonomik, por edhe të nipërve.

Në fakt, rapsodi Jonuz Delaj na tregon një realitet krejt tjetër, jo i vetmi për figura të shquara të artit, kulturës e sportit sidomos.

Jonuz Delaj për të nxjerrë bukën e gojës punon edhe si saldator edhe pse tashmë në një moshë të thyer aq më tepër një artist i madh i folklorit shqiptar ndërsa pensioni i tij është vetëm 100 euro.

Janë disa breza që janë rritur, krenuar e argëtuar me artin e talentin unikal të Jonuz Delaj por edhe qindra të tjerëve artistë në mbarë vendin.

Një pyetje e thjeshtë, në rastin e Jonuz Delaj: A ka një brez të ri që po trashëgon traditën e lahutës? Apo, pasi na e morën dhe e regjistruan në UNESCO, nuk ka intereson më ky instrument unikal?!

Jonuz Delaj ka përfaqësuar me dinjitet Malësinë e Madhe, Qarkun e Shkodrës, Veriun e Shqipërisë e më gjërë, për dhjetra vite. Është duartrokitur nga mijëra spektatorë por pavarësisht kësaj jeton me vështirësi.

Nuk ka aspak vlerë të kujtohemi për Jonuzin e qindra të tjerë artistë, atëherë kur të mos jenë më mes nesh. Nuk i bën nder as Malësisë së Madhe që të mësohet se një rapsod i këtij kalibri, me pension qesharak 100 euro, duhet të punojë saldator për të siguruar jetesën.

Duhet të kujtohemi sot sepse nesër do të jetë vonë. Një tufë lule apo kunorë nuk do të sherbejë për mbuluar anashkalimin për së gjalli. Jonuz Delaj është një magjistër i lahutës!/CNA.al

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.