NGA : NDUE LAZRI
Fushata elektorale dhe zgjedhjet ne Shqipëri mbaruan. Si qytetar i thjeshte,që nuk i përkas asnjë partie politike, më gëzoi fakti që procesi zgjedhor shkoi përgjithësisht qetë dhe rezultatet dolën relativisht më shpejt se herët e tjera. Kjo tregon se populli është ndërgjegjësuar dhe nuk iu bindet atyre që kërkojnë të ndezin sherre e incidente në momente të tilla të rëndësishme,siç janë zgjedhjet e lira.
Më bëri përshtypje një foto nga KZAZ në Sarandë, e cila edhe më nxiti për këtë shkrim,sepse unë nuk jam analist politik, por gazetar i thjeshtë. Në përfundim të numërimit të votave, ku fituese doli PS, kandidatja për deputete e PD, INA ZHUPA shkon e përqafon Ministren e Financave ANILA DENAJ, duke i uruar asaj fitoren dhe duke pranuar humbjen e saj.
Ky sportivitet është shprehje qytetarie dhe kulture demokratike, çka jemi mësuar ta shikojmë në botën perëndimore si një gjë krejt normale midis rivalësh në zgjedhje, por jo në Shqipëri ku rivali politik konsiderohet shpesh herë si armik.
Do të ishte gjë e mirë që gjeste të tilla të shkëmbeheshin edhe midis liderave kryesorë të dy partive të mëdha, PS e PD, ku secili të njohë rezultatin e zgjedhjeve e humbësi të urojë fituesin për punë të mbarë në shërbim të popullit. Klima që mbjellin liderët transmetohet edhe tek populli. Më bëri përshtypje, gjithashtu, qëndrimi modest dhe dora e shtrirë për bashkëpunim e Erion Veliajt në Vorë apo në Tiranë, ku ai ishte mbase projektuesi kryesor i fitores së PS në ate qark. Vetëm në Vorë ka vajtur 15 herë brenda një muaji, çka iu shpërblye me fitore. Nuk e konsideroj shprehje urtësie daljen e Liderit të djathtë Lulëzim Basha, i cili deklaronte edhe atëherë kur humbja e PD po shihej qartë, se kutitë që do sjellin fitoren tonë do hapen më vonë. I pritëm më kot ato kuti, por rezultati mbeti i njëjtë. Mendoj se PD ka nevojë për një revolucion të brendshëm, çka duhej ta kishte bërë që përpara fushatës elektorale, për t’u kthyer në atë forcë elektorale që duan zgjedhësit e saj. Vetë numuri i pakët i votave që mori ish-lideri demokrat Sali Berisha, i kapërcyer në vota nga disa deputetë të tjerë blu, tregon se vetë elektorati i djathtë i kërkon ato ndryshime drastike në gjirin e PD, duke i evituar shumë nga ata elementë të cilët koha i ka lënë prapa.
Megjithatë kjo është çështje e brendshme e PD. Rezultati i këtyre zgjedhjeve është pasqyrë konkrete e lidershipit që ka secila parti.
Me keqardhje kam lexuar në shumë komente fjalë fyese nga me të rëndat drejtuar elektoratit të majtë për votën e tij. Ashtu si edhe zgjedhës të majtë në përgjigjet e tyre kanë përdorur fjalë banale e fyese. Kjo është shprehje e intolerancës dhe e mungesës së kulturës demokratike. Rivali politik nuk fyhet e as nuk mposhtet me fjalë, por mposhtet me votën e lirë e demokratike.
Uroj që në Shqipëri,pas zgjedhjeve, të mbretërojnë paqeja e mirëkuptimi dhe fitimtarët të mos dehen nga fitoreja, por kokulur të punojnë për të mirën e të gjithë shqiptarëve, pavarësisht se cilit elektorat i përkasin.