(Ndërmendje medituese, kushtuar Pjetër Gacit)
Nga: Zija Vukaj
90 vjet më parë, më 27 mars të vitit 1931 u lind Pjetër Gaci, një nga emrat më të shquar të muzikës shqiptare; violinist, pedagog, por mbi të gjitha kompozitor pothuajse i të gjitha zhanreve muzikore, që nga koncerti për violinë e orkestër, i pari në historinë e muzikës sonë, balada, muzikë filmash, kantata, valle simfonike e muzikë filmash, si dhe mbi treqind e pesëdhjetë këngë, shumë prej të cilave u vlerësuan me çmime. Në të tilla raste jubilare është bërë zakon të përmenden shifra dhe fakte nga jeta dhe vepra e artistit dhe kjo natyrisht është e drejtë. Por për shkak të një asociacioni që më ka lindur para ca vitesh teksa po sodisja lumin e Bunës dhe më pati dhënë nxitjen për të shkruar meditimin e mëposhtëm, po e postoj sot me funksionin e homazhit.
Shkodra ka lumin e vet Bunën, që është si një aortë. Kur shkon njeriu aty në çdo orë të ditës mahnitet. Një stacion i mrekullueshëm meditimi. Lumenjtë janë mistikë; janë tituj të pafund veprash artistike; ata shënojnë ecjen e kohës; shënojnë rrjedhën e jetës; lajmërojnë ndërrimin e brezave; tregojnë përjetësinë dhe përkohshmërinë tokësore. Ngulem në vështrimin e rrjedhës së Bunës, poshtë parmakëve të urës, shoh ‘perpetuum mobil-en’ e jetës tokësore. Mendoj: “Sa vetë e kanë parë para meje këtë magji? Sa vetë janë mahnitur nga kjo rrjedhë e heshtur? Nga kjo dinamikë jete që natyra shpalos përpara mendjes gjysmake të njeriut? Sa vetë kanë “zënë mend” nga kjo zgjuarsi e heshtur? Nga ky libër jete- i hapur dhe i mbyllur njëkohësisht? Transparenca e ujit më lejon të kundroj ekuilibrin e çuditshëm të natyrës apo magjinë e dorës së krijuesit. Pluskojnë në ato rrjedha tufa larvash peshku që ngjajnë si mjegullnaja, si nebuloza kozmike. E mendoj veten si peshkatar. Më sillen rrotull sa e sa hije të hijshme peshkatarësh që kanë peshkuar para meje mbi këtë urë të këtij lumi jetëdhënës, që nuk ka nevojë të quhet Danub, për të qenë një lumë i përjetshëm melodie. Nëse Danubi i dhuroi Shtrausit meloditë e veta, Buna i dhuroi prehjen, frymëzimin, qetësinë, misticizmin dhe transhendencën një peshkatari perlash që quhet Pjetër Gaci. Silueta e këtij artisti të madh duket sikur ka mbetur e skalitur dhe rri pezull mbi parmakun e kësaj ure të vjetër dhe të re të lumit Buna. Dhe kjo urë e ky lumë magjik janë dëshmitarë të lindjes së sa e sa motiveve efemere muzikore, që gjenia e këtij artisti i bëri të përjetshme dhe ua dhuroi njerëzve për t’i shijuar përjetësisht. Këto motive, që u kthyen në krjime brilante, mua më pëlqen t’i konsideroj si perla të peshkuara në lumin tonë të melodisë me emrin BUNA, nga ky Nadir i muzikës shqiptare, me emrin Pjetër Gaci.