Nga:Besmira Uruçi
Esmeralda Uruçi ka lindur më 27 mars 1961 në qytetin e Shkodrës. Ajo rrjedhë nga një familje qytetare, intelektuale e patriotike në të cilën u rrit e u formua. Mësimet e para i kreu në shkollën “Xheladin Fishta” ndërsa shkollën e mesme e përfundoi në gjimnazin “29 Nentori” të qytetit të Shkodrës.
Esmeralda Uruçi ka kryer studimet e larta për ekonomi dhe jurisprudence me rezultate shumë të mira. Pas përfundimit të studimeve, ajo filloi jetën akademike duke dhënë mësim për afro 30 vjet, në Universitete të ndryshme të vendit. Ajo ka dhënë mësim në disa kurse bazë të fushës së ekonomisë si mikroekonomi e makroekonomi, ekonomiksi menaxherial, ekonomi ndërkombëtare e të tjerë.
Është autore e shumë teksteve universitare të cilat janë shfrytëzuar nga studentët dhe pedagogët, në universitete të ndryshme të Shqipërisë dhe të Kosovës.
Ajo ka patur një aktivitet të dendur shkencor e pedagogjik si dhe ka marrë pjesë në Konferenca Ndërkombëtare, ku ka mbajtur referate e kumtesa shkencore shumë prej të cilave janë botuar, në revista të njohura jashtë Shqipërisë.
Esmeralda Uruçi ka dhënë një kontribut të çmuar patriotik, gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Banesa e saj në Shkodër ishte një nga qendrat kryesore, për pritjen dhe sistemimin e shumë familjeve kosovare që u dëbuan nga pronat dhe shtëpitë e tyre. Në shtëpinë e saj, ajo së bashku me familjen strehoi 16 shqiptarë, refugjatë nga Kosova.
Gjatë gjithë periudhës së luftes çlirimtare, në shtëpinë e saj u vendos selia e shoqatës atdhetare kulturore “KOSOVA”. Personalisht ajo dhe familjaret e saj dhanë një ndihmesë të veçantë në dërgimin e fëmijëve kosovarë në shkollat e qytetit si dhe kompletimin e tyre me mjetet e nevojshme mësimore. Gjithashtu, ajo dhe të afermit e saj ndihmuan në plotësimin e nevojave mjekësore të shumë familjeve kosovare të strehuara në familjet e Shkodrës, të rrethinave, si dhe të shtruara në spitalet e qytetit.
Pas luftës në Kosovë, me fillimin e kontakteve në fushën e arsimit, Esmeralda Uruçi ishte ndër pedagoget e para që dha mësim në disa universitete të Kosovës si dhe dërgoi atje tekste universitare, ku ishte autore dhe bashkëautore me profesorë të tjerë nga Shqipëria.
Ajo ka qenë aktive edhe në veprimtaritë patriotike që u zhvilluan në vitet e para të pavarësisë në Kosovë duke marrë pjesë gjithashtu në konferenca shkencore që janë mbajtur në Institutin Albanologjik të Prishtinës si dhe në disa universitete në Kosovë.
Gjatë veprimtarisë së saj pedagogjike e shkencore Esmeralda Uruçi merr pjesë në shumë konferenca jashtë Shqipërisë si në Slloveni, Mal të Zi, Kroaci, Itali, SHBA, Rumani, Bullgari etj.
Ajo ka mbajtur pozicione të rëndësishme, në fushën e arsimit, të kulturës, të politikës e të financave shqiptare.
Ajo ka qenë Lektore, Zv/Dekane, Dekane e Zv/Rektore në disa universitete të vendit si Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Universiteti “Zoja e Këshillit të Mirë”, Universiteti “Iliria” në Kosovë, etj.
Esmeralda Uruçi ka qenë gjithashtu Drejtoreshë e Marrëdhënieve Publike në Bankën Qëndrore të Shqipërisë, si dhe Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Duke qenë në këtë post në vitin 2000, ajo realizon dhe nënshkruan marrëveshjen e parë midis Republikës së Shqiperisë dhe Kosovës në fushën e kulturës.
Mbresëlënës është kontributi i Esmeralda Uruçit në Universitetin “Luigj Gurakuqi” e veçmas, perpjekjet e saja për hapjen e Degës e më pas të Fakultetit të Ekonomisë pranë këtij universiteti.
Për vite me rradhë, ajo zgjidhet edhe anëtare e Këshillit Bashkiak të Shkodrës si dhe mban detyren e Zv/Kryetares së tij.
I veçantë ka mbetur kontributi i saj në fushën e Arsimit e të Kulturës duke përgatitur me qindra studentë në disa universitete të vendit, si dhe duke ndihmuar në formimin shkencor e pedagogjik të pedagogëve të rinj.
Esmeralda Uruçi ka mbetur në memorien e të gjithëve, si një qytetare e shkëlqyer, pedagoge shumë e aftë dhe e përgatitur, një grua e kulturuar dhe me njohuri të thella, një intelektuale me të cilën mund të krenohet Shkodra dhe bashkëqytetarët e saj.
Ajo e ka nderuar vendin në aktivitete ndërkombëtare, pedagogjiko-shkencore e politiko-shoqërore.
Jetëshkrimi i saj është me të vertetë i kompletuar dhe impresionues.
Në këtë përvjetor të lindjes, ne fëmijët dhe Babai jonë e kujtojmë Nënën tonë të paharruar me mall, dhimbsuri e krenari të madhe; shokët, kolegët e bashkëpunëtorët e kujtojnë me nderim e mirënjohje si misionare të kultures e arsimit në Shqipëri.
Esmeralda Uruçi do të kujtohet gjithmonë për kontributin e vyer që ka dhënë në formimin arsimor, kulturor e pedagogjik të rinisë shqiptare. Ajo do të kujtohet gjithmonë si një personalitet i shquar që ka mbetur në memorien e të gjithëve për profesionalizmin e spikatur, drejtimin me kompetencë të punëve, kontributin dhe vlerat e larta në shërbim të Kombit shqiptar.
Ajo ra në krye të detyrës dhe u nda nga jeta më 21 Mars 2012.
NË DRITË TË VETËTIMËS
Pranë pallatit tënd,
Nën një çadër rrinim,
Shi me erë binte,
Retë në qiell nxinin.
Heshtja kishte rënë,
Buzet ishin tharë,
Në dritë të vetëtimës,
M’dhe puthjen e parë.
Kanë kaluar vite,
Më e embla mbeti,
Kot ti u përlote,
Nuk u bë qameti.
Don Zhuan i krisur,
Pas teje kam mbetur,
Derisa të vdes,
E dheu të m’ketë tretur.
POST-MORTUM
Kam shumë-shumë mall,
E nga malli vuaj,
Të lutem e dashur,
Nga varri më shkruaj.
Fëmijët janë rritur,
Eni është bërë burrë,
Besa ndritë si dielli,
S’të harrojnë kurrë.
Tre zëra fëminorë,
Kanë mbushur shtëpinë,
Dy janë bilbila,
E tjetra gardalinë.
E di shoh ëndrra,
Deri në të zbardhur,
Ato që kanë ikur,
Kurrë s’kanë ardhur.
Sido që të jetë,
Me shpresë jetoj,
Një tufë me trëndafila,
Digjem ta dhuroj.
Ndaj bëhu e gjallë,
Të pres e të kujtoj,
Me imazhin tënd,
Në dritë të syve rroj.
ËNGJËLLIT QË FLUTUROI NË QIELL
Natë të qetë s’mund të ketë,
Derisa ti në qiell ndriçon,
Drita jote çan retë,
Vjen tek unë e më përvëlon.
Shënim: Tre poezitë e mësipërme i kam marrë nga libri i babait tim,
Dashamir Uruçi
, « Në dritë të vetëtimës”, kushtuar nenes time, Esmeralda Uruçi.
Besmira Uruçi
Shkodër, 27 Mars 2021