Ish-ministri i LSI-së, Ylli Manjani ka sulmuar Zv/Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe të Euro-azisë, Matthew Palmer, duke ndjekur kështu shembullin e ish -shefit të tij Ilir Meta, që ka sulmuar më herët ndërkombëtarët.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Manjani nuk beson se Palmer është i zhgënjyer nga BE sepse nuk hapi negociatat me Shqipërinë.
“3 habere nga Amerika. Zoti Palmer tha dje se “… SHBA janë të zhgënjyer pse BE nuk i çeli negociatat Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut”. Po dje, Zoti Palmer tha se “…BE duhet të heqë vizat Kosovës. Gjithashtu dje u lëshua edhe raporti vjetor i DASH (vendit ku merr rrogën Palmeri), ku thuhej se “Shqipëria nuk ka as standardet minimale për të luftuar drogën e trafiqet.
Të tre mesazhet qëndrojnë. I kemi në të gjithë në kurriz dhe i mbajmë me kosto të jashtëzakonshme.
Por që të besoj se Palmeri na qenka “i zhgënjyer” e kam të pamundur”, shkruan Manjani.
Sipas të njëjtit, janë disa çështje që BE nuk i toleron aq kollaj dhe le pastaj ti mbështesë siç ka bërë zoti Palmer.
“Fjala vjen zgjedhjet moniste, kriminalizimin me zor të opozitës apo shkatërrimin e pushtetit gjyqsor të cilat i ka mbështetur Palmeri, BE i ka të papranueshme. Them BE jo detyrimisht Giggi e ndonjë shok e shoqe tjetër…
Së dyti, BE jo vetëm nuk toleron por e ka në kurriz ekonominë e drogës dhe të trafiqeve me të cilën mbijeton Shqipëria. Ndërkohë që kjo ekonomi zhvillohet nën vëzhgimin e rrepte e të detajuar të shtetit të zotit Palmer.
Por ky i fundit nuk ka asnjë fjalë për të thënë.
Së treti, zoti Palmer dhe ambasada këtu nuk janë korrekt as me raportin zyrtar të DASH, në ato që thonë. Tjetër thonë e tjetër gjë lënë me shkrim. DASH thotë ka drogë, zyrtarët e tij thonë ka reformë e progres….
Së fundi, zotit Palmer nuk i shkon hiç të shqetësohet për vizat e shqiptarëve të Kosovës në BE, për sa kohë që ai dhe shteti i tij i vënë viza të gjithë shqiptarëve kudo që janë. As që u shkon mendja ti heqin vizat që kanë vetë në dorë, por u shqetësokan për viza që lëshon Europa!!!
Edhe aleatë edhe me viza nuk shkon!
Nejse në gjithë haberet e djeshme një gjë del qartë, se kjo Amerika nuk paska gjë në dorë për hallet që kemi. Thjesht na ofron një zhgënjim, të cilin e kemi vetë me bollëk”, përfundon reagimin, Manjani./CNA.al