SHITJA E SHPIRTIT!

0
Analiza – Faqe 44 – Bashkimi i Shqiperise
Midis nesh janë edhe disa shkrimtarë që çuditërisht dhe me vetëdije të plotë lejojnë të jenë të përdorshëm, të manipuluar, të lakueshëm dhe vetëm kur në fund e shohin vetën në baltë, atëherë sikur u del gjumi, e që shpesh është një zgjim i vonshëm, pasi kjo ndodh kur të ketë perënduar “dielli” i tyre. Pra, janë ata shkrimtarë që shpesh i shohim tek e fusin hundën aty ku nuk e kanë vendin, ndaj dhe u shkon kot shqisa e nuhatjes së të keqes.
Këta shkrimtarë të dëgjueshëm janë personalitete pa individualitet dhe me bosht kurrizor tejet elastik. Të përkulshëm deri në tokë vetëm e vetëm për ndonjë botim si një gomë për të qëndruar (përkohësisht) mbi ujë, bëhen shembulli më i keq i komunitetit të shkrimtarëve. Pikërisht ky soj i shkrimtarëve ka bërë që edhe ata pak shkrimtarë me dinjitet ta humbin respektin, por edhe disa atribute, me të cilat dikur ishin të dalluar në shoqërinë shqiptare.Ti shitesh djallit apo të shesësh djallin për pak famë? – Opinion.al
Të jesh i kontrolluar dhe të pranosh të “vallëzosh” sipas muzikës së dikujt që kredo të tij ka vetëm biznesin dhe asgjë tjetër, vërtet është një nënshtrim dhe një varësi që nuk ka të bëjë asgjë me rolin e shkrimtarit të vërtetë, i cili, siç na tregojnë shembujt e shumtë, shpesh ka qenë tmerr për regjime të ndryshme, por edhe guximtar që, duke mos kursyer as jetën, ka qëndruar në ballë dhe është kujdesur për fatin e kombit.
Mjafton ta kujtojmë gjeneratën e artë të artistëve çek, në krye me Havelin, të cilët me shumë sakrifica arritën të çlirohen nga prangat komuniste, duke u bërë një model i intelektualit të pathyeshëm. E kundërta e këtij modeli, fatkeqësisht është modeli i përçudnuar i disa të ashtuquajtur shkrimtarë shqiptarë që bëhen vegla të imta të atyre që sa herë që e do nevoja i shtrydhin mirë e mirë, edhe atë në skenë të hapur ku asnjëherë nuk lëshohen perdet dhe ku asgjë nuk ndodh prapa, por në skenë të hapur dhe ku nga çdo anë është e dukshme shfaqja e thjeshtë.
Këta shkrimtarë duhet ta kuptojnë një gjë: nuk çon peshë emri, prapa të cilit mëtojnë të dallohen, përkundrazi më i rëndësishëm është dinjiteti që gjithsesi të mban vertikalisht drejt realizimit të synimeve të vërteta, të cilat paraprakisht përballen me shumë sfida të natyrave të ndryshme, por që në fund megjithatë, vjen lehtësimi shpirtëror.
Natyrisht, shkrimi është një rrugëtim i gjatë, i mundimshëm dhe me dhimbje të brendshme shpirtërore dhe në një mënyrë e gjithë kjo bën fisnikërimin e individualitetit, i cili një ditë patjetër se arrin te e vërteta. Ndërkaq rruga e shkurtër, është vetëm një depërtim çasti apo një mashtrim optik.
Sepse, shkrimtari i vërtetë gjithnjë shqetësohet nga dhimbjet e brendshme shpirtërore ku zënë fill idetë dhe assesi nga ata që kanë qëllime të kamufluara, përkatësisht që djallit ia veshin rrobat e engjëllit. Shitja e shpirtit do të thotë ta tradhtosh veten, t’i tradhtosh idealet dhe ëndrrat për t’u bërë një ditë shkrimtar si Kadareja, Kraja, Agron Tufa dhe të tjerë që kanë dëshmuar se janë individualitet me dinjitet të qëndrueshëm.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.