Rrëfime dhe dëshmi të mbledhura nga Gjeto Kolë Uci – Camaj • DEDË GJON UJKA I VUKSANLEKAJVE, HEROI QË U PËRJETSUA NË EPIKAT MË LEGJENDARE TË KOMBIT TONË

0

 

Nga Rita Shkurtaj  Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Në Malet e Malësisë ishte traditë që burrave më të zëshëm të kohës t’u këndohej kënga me LAVDË e historia e tyre t’u përcillej brezave si model virtytesh burrnie, trimnie, fisnikërie, bese e bujarie.
Kështu, kënga ishte dhe mbeti e vetmja dëshmi që shekujt u lejuan malësorëve të memorizojnë në kujtesen e tyre kolektive, historitë dhe ngjarjet e tyre të vërteta, për të mos humbur në pluhurin e harresës.
Epika ndër ta mbeti e vetmja dëshmi e gjallë, pasi erërat politike ua ndaluan përdorimin e penës që të shkruajnë në gjuhën e nënës. Dhe jo më kot ka mbetur fjala se: “malësorët paten HUTË e ZEMËR për me luftua por nuk paten penë me shkrua historinë e tyre” edhe pse gjaku i tyre përgjatë shekujve u derdh lumë me mbrojtë trollin e vendin e t’parëve.
Edhe në motet më të vështira të egzistencës kombëtare, qëndresa e trimave malësor për “jetë a vdekje, ja lirinë”, ishte vendimtare për fatet e Kombit, ku shumë prej tyre e dhanë jetën në beteja frontale me armikun në viset e Malësisë.
Fund shekulli XIX dhe fillim shekulli XX në historinë e Shqipërisë shënon një pikë kthese të lavdishme qëndrese, në favor të lirimit dhe të ruajtjes së tërësisë teritoriale shqiptare, ku sërish rolin kryesor e luajti uniteti malësor, i cili zgjoi një frymë të re atdhetarie dhe mobilizoi rreth vetes bijtë e bijat vullnet mirë, pa ndasi e përkatsi fetare, por me interesa të larta atdhetarie, duke e kthyer Malësinë në një kështjellë të pamposhtur para botës dhe qëllimeve ogurzeza të pushtuesit.
Me qindra ishin këngët që e përshkruajnë këtë moment historik, shumë prej të cilave zunë të kthehen në referenca si trashëgimi gojore e pa shkruar. E tillë është edhe kjo rapsodi kushtuar qëndresës së malësorëve në betejen e Qafës së Uglit në 1911 -tën.

Kah po vjen era barotit,
N’Vuksanlekaj në Mal t’Hotit.
N’Vuksanlekaj u ba nami,
Me tabor ka msy Sulltani.
Ded Gjon Ujka me vllazni,
Na i del para ksaj ushtri.
Po kah don ti kah Malsia,
Se k’to janë trojet e mia.
Po ta jap besen e Zotit,
S’ke hi gjallë ti, n’mal të Hotit,
N’at Qafe t’Uglit kercet pushka,
Po lufton jaj Ded Gjon Ujka.
Gjon Tom Hasi trim si zana,
Paska hy nder nizama,
Thotë Sultanin se durojmë,
Pa gjak Hotin nuk e Ishojm.
Çka ka toka që gjimon,
Pjeter Zeku ç’po lufton,
Si vetima i bjen nizamit,
Lek Martini shqipe malit,
Kerset pushka e Lek Martinit,
Lufton djemet e Traboinit.
Kush ja nxuni turkut priten,
Jaj Nik Ujka me Luc Niken,
Shumë nizamat i kanë damtua,
Municion shokve tue e çua.
Kush lufton si era e malit.
Lek Gieloshi i Gielosh Franit.
Krisi pushka pa ia nda,
Njaj Luk Nika kenka vra,
Nik Gjeloshi bani gajret,
Njaty Nika paska mbet,
Ded Gion Uika trim i rrallë,
Disa plumba e kanë marrë,
Gjon Tom Hasi po viket,
Ded Gjon Ujka paska mbet,
Vaj me det për kët’ far’ trimit,
S’ja la t’shoqin Traboinit.
Gjon Tom Hasi trim dragua,
N’at Qaf Ugel ka marua.
Kajmekani ban medet,
Shumë ushtria em paska mbet’,
Mallkua kjoft mbreti Stamollit,
Çi na çoi n’mal të Hotit,
Kushtrim çon era e barotit,
Çou të fala Malsia e Hotit.

Falë kësaj game të gjërë këngësh rapsodike, një rol shterrues për këtë moment historik ka Kryevepra “Lahuta e Malësisë” me autor At. Gjergj Fishtën, i cili duke iu referuar këtyre këngëve legjendare që këndonin rapsodët rreth oxhakut të kullës, nën dritën e pishës, guxoi të përshkroi në vargje epike të gjitha ngjarjet historike të asaj kohe, të cilat i dëgjoi vetë në konaqet dhe katundet e moçme nëpër Malësi, gjatë shërbimit të tij meshtarak të pas vitit 1905, kohë kur zuri të ngjizej edhe “Lahuta e Malësisë”.
Në vargjet e At. Gjergj Fishtës përshkruhen ngjarje e bëma trimash që lanë gjurmë të lavdishme në këtë moment historik të identitetit kombëtar. Pikërisht nga këto përshkrime mësohet se Malësia e zhuritur nga betejat frontale nuk u fituan pa gjak.
Në lumin e vargjeve të tij tek “Lahuta e Malësisë” përmenden shumë malësor për akte heroike të pa krahasueshme, por ka edhe nga ato ngjarje të asaj kohe, të cilat edhe pse të veshura me shumë lavdi, ceken në mënyrë empirike ose anashkalohen nga përshkrimi historik, duke u lënë në harresë edhe pse këta heronj në memorjen kolektive zënë vënd nderi në pjedistalet më të larta të lirisë.
E tillë është edhe jeta e vepra e njërit prej krerëve të Kryengritjes së Malësisë të quajtur Dedë Gjon Ujka i Traboinit – pinjoll i familjes Vuksanlekaj, ku në vargjet e Fishtës përmendet përciptas…

– Dedë Gjon Ujka e Marash Daka,
– Burra lé për çark t’martinës,
– Fjalën fjalë, besën çelikut,
– Ballë për ballë, e jo mbas shpinës,
– Msue me i rà në luftë armikut…

Në të gjitha ato kontribute njerzore dhe qëndrese heroike të Dedë Gjon Ujkës së Vuksanlekajve edhe pse qenë ndër më heroiket në Periudhën e Rilindjes Kombëtare, mbeten të memorizuara vetëm në kujtesën e malësorëve, duke mos iu dhënë vlersimi i merituar nga qarqet akademike të dy shteteve ndërkufitare, ku shtrihet sot Malësia e Madhe, Shqipëri – Mali i Zi, kjo për faktin se në të dy këto “ish shtete” komuniste, familjet feudale u konsideruan si familje armike të popullit, ndaj edhe historia dhe kontributi i tyre jo vetëm që u çensurua dhe tjetërsua, por edhe i përndoqen politikisht si elemente të rrezikshëm për pushtetin e secilit shtet, gjatë gjithë periudhës komuniste, aq sa t’i shpronsonin, internonin dhe zhveshnin nga çdo lloj përgjegjsie sociale.

• PO KUSH ISHTE DEDË GJON UJKA?

⁃ Mbështetur mbi gojdhëna të bashkohasve të Ded Gjon Ujkës, të mbledhura nga Gjeto Kolë Uci në një bllok shënimesh vite më parë.

Sipas të dhënave të shkruara në këtë rrëfenjë të shkruar, thuhet se Dedë Gjon Ujka ka lindur në gjysmën e dytë të shek. XIX, në Vuksanlekaj të Hotit.
I rritur nën hijen e kullës hijerëndë prej guri dhe mësimeve të pleqve të moçëm të stërvitur me përvojën e jetës, u mbush me virtyte burrnie e trimnie që në moshë të re.
Me të mbushur moshën e djalërisë, falë mprehtësisë së mendjes, shpejt zuri vënd në kuvende, duke kapërcyer edhe rrathët e rradhës së kuvendit të të moshuarve, tek të cilët i zinte vënd edhe fjala, sidomos kur diskutohej për çështet më të nxehta politike që po i merrnin frymën Malësisë.
Dedë Gjon Ujka aso kohe përfaqsonte DEREN e Vuksanlekajve në kuvende, një nga familjet më në za për kohen, e cila veç përbërjes së saj shumë antarëshe, gëzonte prona e gja të gjallë sa asnjë tjetër familje në Malësi të Madhe, gjë që e dëshmojnë edhe sot, muret dhe kullat e Sarajeve të Vuksanlekajve në Hot të Malësisë së Madhe.
Veç gjëndjes ekonomike, kjo familje dallohet edhe për emancipimin kulturorë tejet të rrallë në Malësi të Madhe, çka e dëshmojnë edhe varrezat e Vuksanlekajve, të cilat në vetvete ruajnë ndikimin e hershëm Iliro – Pellazg, ku si askund tjetër, kultura shpirtërore e tyre vjen natyrshëm, e gërshetuar me qëndresen dhe aktualitetin bashkkohorë të këtyre malësorëve në këtë periudhë. Me këtë frymë dhe vlera humane u rritën bijt dhe bijat e familjes së Vuksanlekajve edhe pse presioni politik i ndoqi e përndoqi për ta ligshtua qëndresën e tyre si malësor me virtyte e vlera të larta njerzore, ku uniteti familjar i mbante të lidhur fort, pas atij krahinor e kombëtar.
Ky fat e rroku edhe Dëdën, të birin Gjon Ujkës së Vuksanlekajve, të cilit me peshën e moteve mbi supe iu shtua edhe barra e përgjegjsisë për të mbrojtë familjen e për të nderu kullen, fisin e trollin e të parëve, detyrë të cilën e mbajti me nder deri në pikën e fundit të jetës së tij, ku mbeti heroikidht në betejë me turqit në Qafen e Uglit.
Dedë Gjon Ujka në memorjen e malësorëve bashkëkohas të tij, vjen me tipare të theksuara të një kreshniku malsor.
Në këtë përshkrim autori u referohet gojdhënsve të mbledhura nga bashkohasit e tij, pleq të shtyrë në moshë, por me mëndje të kthiellët, nëpër viset e Malësisë së Madhe, ndër ta:

– Gjon Gjek Lucaj nga Trieshi,
– Kolë Dedë Preli (Nikollaj) nga Trieshi,
– Pjeter Uc Gjoni Camaj nga Vuksanlekajt e Hotit,
– Nikoll Preka Dushaj nga Traboini,
– Haxhi Mustafa (Bajraktar i Hotit,)
– Zenel Shabani (Probatin i Dedës të përcjella nga familjarët e tij.)

Referuar gojdhënave të këtyre pleqëve, thuhet se Ded Gjon Ujka i Vuksanlekajve të Traboinit ishte fort i njohur në Malësi për qëndresë e besë malësori.
Rod mirë e njeri i drejtë, por edhe i rreptë me armikun, të cilit i bënte ballë herë i vetëm e herë me vllazni, duke iu dalë në pritë shpesh herë ushtarëve turq, të cilët vinin të mblidhnin haraçin (detyrimet) në Malësi, apo të kryenin shërbime e arrestime me ferman zyrtar. … “Me tramë e merrnin rrugën ushtarët, prej frikës se Deda mund t’u kishte zanë pritë tek Shkami i Kuq mbi Podgoricë (në veri të Podgoricës)”.
Për këto dëme të herë pas hershme, Veziri i Shkodrës i thërret krerët e Malësisë në një takim të detyruar dhe i pyet; po kush po m’i vret ushtarët tek Shkami i Kuq? Në këtë moment Deli Meta Bajraktari i Hotit, tuj e njoftë mirë zemër luanin i kthehet; fol djali i Vuksanleke!
Atëherë Deda me atë maturinë që e karakterizonte, i kthehet butësisht Vezirit; Zotni, kur e punon shpinë a e punon me të ra pikat e shiut në hujen a në taten? Në këtë moment Veziri mundohet me kuptu mendimin e hollë të këtij malsori dhe për mos me acaru zemërimin e krenëve të Malsisë, detyrohet të bëjë paqe me ta.
Sipas pleqve thuhej se Ded Gjoni Ujka kishte vulen e vet (mhyr i personalizuar,) e cila njihej nga të gjitha Bashkimet e Krerëve të Maleve të Malësisë e ma gjanë.
Për të ruajtur saktësinë e dëshmisë së pleqve që përmban dorshkrimi, thuhet se: diku pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (mbas Marsit të vitit 1878,) Ded Gjon Luli me disa shokë sulmuan një gazermë (çertifikatë) turke, ku i vrasin disa ushtar.
Mbas disa ditësh ushtria otomane sulmojnë Hotin, ku e bajnë shkrumb e hi, duke vra e plaçkitë popullsinë e pafajshme.
Thuhet se Ded Gjon Ujka ishte i fuqishëm ekonomikisht dhe ushtarakisht, çka e bante të besueshëm edhe në rrethin e tregtarëve më të mëdhenj. Për t’i majtë frymën gjallë Hotit, Ded Gjon Ujka merr gjithë bereqetin e hambarëve të Toptanëve dhe ia ndau Hotit.
Lufta, hallet, jeta e keqe, bani që malësorët e Hotit të bien në pikë të hallit që nuk po munden me i kthye borxhin të zotit. I gjindur në vështirsi me mikun që i kishte ra në qafë, e nga ana tjetër me vllazninë e Hotit, që nuk kishin asnjë mundsi me e kthy detyrimin , Ded Gjon Ujka detyrohet të shesë pronat e veta për t’i paguar borxhin Toptanëve.
Ai shiti tokën në Kamicë, dy dugaja në Shkodër, një palë mullinj, një bjeshkë dhe dy dygaja në Podgoricë. Në dëshminë e pleqve, Ded Gjon Ujka ishte shumë aktiv në kuvende. Ai mori pjesë me krerët e Malësisë në Kuvendin e Greçes, siç e quajnë malësorët “12 kalemat” e “Librit të kuq”, apo 12 kërkesat e otomanvet.
Ded Gjon Ujka është një nga personat ma gjallnik që u angazhua për përgatitjen e një Kryengritje me Krye krerët e gjuhës, Kombit dhe Atdheun.
Me klerikët katolik, me Mehmet Shpendin, Ujkë Dushin, Gjeto Markun, Smajl Martinin e shumë patriota të tjerë. Në këtë lëvizje u përfshinë edhe me kushërinjt e tij Nikë Prelocin, Mirash Hasin e Smajl Markun, duke iu kushtuar totalisht kryengritjes të gjithë. Pleqt tregojnë se kur autoritetet turke hetuan se çka po ndodhte në Malsi, filluan t’i mësyjnë me ushtri. Shumë nga kryengritësit u zunë rob.
Disa i masakruan, disa i burgosën e disa të tjerë i internuan në Anadoll. Ndër ta ishte edhe Smajl Martini, Bajraktari i Grudës, të cilit simbas pleqve, as sot e kësaj dite nuk i dihet ku i ka eshtnit.
Në krye të javës Ujk Dushi e Mirash Hasi u orjentuan mbas kishave. Simbas pleqve ky ishte edhe organizimi i parë i malësorëve për Kryengritjen e Madhe kundër otomanëve.

• BETEJA E MADHE DHE E PËRGJAKSHME E KRYENGRITJES NË QAFË TË UGLIT

Simbas asaj që u tha ma vonë Pasha pëgatiti mijëra forca ushtarake për me nënshtruar malësorët të cilët i lëshoi si një “shëm blete” në drejtim të Maleve të Malësisë.
Birimxhi taborret i nisi për në Hot. Ndërkohë Dedë Gjon Ujka organizon vllazninë e Vuksanlekajve, kushtrimit të të cilit i bashkohen për jetë a vdekje 32 burra të rrinj e të vjetër.
Në këtë betejë Dedës i bashkangjitet edhe shoku e vëllai i tij i pandarë, Gjeto Marku i Rapshës.
Po simbas pleqve në këtë betejë moren pjesë kryengritës nga të gjitha malet e Malësisë. Nga Hoti, nga Gruda, Trieshi, Koja, Kastrati, Shkreli etj. Kryekomandant i kryengritësve malësorë në këtë betejë të përgjakshme kundër taborreve turke, ishte Dedë Gjon Ujka. Në këtë kushtrim, për t’u ardhë ndihmë vllazenve malësorë, u bashkuan edhe gratë e vajzat e Vuksanlekajve të Hotit.
Ato banin barot, të plagosur e në shumë raste luftonin bash si burrat, kur në llogore kishte mbetë i vrarë luftëtari.
Lufta ishte shumë e përgjakshme e pasojat fatale. U dogjen kulla e frangji që u kishin rezistu shekujve.
Lufta u fitua por me dame shumë të mëdha. Në këtë betejë të përgjakshme peten (mbetën) rreth 20 hotjanë të vdekur e shumë malsuer të tjerë.
Birinxhi taborret u shkatruan. Për gjallë vetëm komandanti me dy a tre ushtar. Ai kishte thanë se: kam luftuar boll e kam fituar shumë beteja, por për të paren herë kam pa ka komandojnë në luftë LUAJ E LUANESHA, kjo në prezencë të Zenel Shabanit të Kastratit, i cili për tu dhanë zemër fatosave të lirisë e mos me i humb kurrë nderi, derës së Vuksanlekajve, e ka kuvendë me qindra herë pas asaj lufte sa kje gjallë.
Kjo kryengritje u vulos me gjakun e Kryekomandantit të saj, Dedë Gjon Ujkës së Vuksanlekajve, i cili ishte edhe një nga udhëheqësit më të ndritur të Kryengritjes së Malësisë së Madhe. Në këtë betejë Deda mbeti i vrarë bashkë me katër djelmni të derës së Vuksanlekajve.

Të vrarë:
– Ded Gjon Ujka Kryekomandant
– Gjon Toma Hasi
– Gjek Martini
– Nikë Gjeloshi
– Lukë Nika

Të plagosur:
– Lucë Nika
– Nikë Ujka
– Pjeter Zeku
– Lekë Martini
– Lekë Gjeloshi
Të gjithë kushërinj të afërm të derës se Vuksanlekajve.

• DEDË GJON UJKA DËSHMOR I ATDHEUT

Për figura më të shquara dhe më të lavdishe të popullit tonë mirënjohja kolektive nuk është kurrë e mjaftueshme, prandaj memorialet dhe shtatoret që zënë sheshet, shkrimet dhe simpoziumet shkencore, librat apo dokumentaret kushtuar atyre, marrin kuptim sa herë që lakohen e sillen në vëmëndje. Kujtohen e nderohen për heroizmin, për sakrificën, për qëndresen dhe besën e dhënë ndaj Atdheut për të cilin nuk kursyen as jeten e tyre. Betimi i tyre për “jetë a vdekje, ja lirinë” dhe rënja e tyre në fushëbetejë, bën që këta heronj, Fatosa të Lirisë të shquhen përjetsisht si “DËSHMOR TË ARDHEUT”. me apo pa vendim zyrtar. Një vënd nderi në altarin e lirisë, të zyrtarizuar edhe nga institucionet zë edhe Dëshmori Dedë Gjon Ujka i Traboinit, pinjoll i familjes Vuksanlekaj.
Shpallja e Ded Gjon Ujkës Dëshmor i Atdheut nga Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë me 15.08.2020, është një nga vendimet më sublime që një institucion shtetëror ndërmerr për të lartësuar këtë figurë të shquar të popullit tonë i cili ra heroikisht në betejen më të përgjakshme frontale gjatë kryengritjes së Malësisë në pranveren vitit 1911 në Qafen e Uglit.

I PËRJETSHËM QOFTË KUJTIMI I TIJ NË JETË TË JETËVE!

– Gusht 2024

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.