REFERENDUMI PËR QEVERISJE TË KONSOLIDUAR DHE PRESIDENTEN E VENDIT

0

Votimi i qytetarëve të Kosovës në zgjedhjet e parkohshme parlamenatre të cilat u mbajtën me 14 shkurt, dëshmuan se qytetarët e dëshirojnë ndryshimin, sepse janë ngopur me partitë politike të cilat kanë qeverisur tash dy dekada në Kosovë. Ky votim plebishitar për LVV, duke fituar më shumë vota se të gjitha partitë tjera konkuruese  ishte përgjigje ndaj atyre subjektëve politike të cilët kanë keqpërdorur pushtetin, përmes korrupcionit e aferave korruptive për interesa personale e klanëve të ndryshme. Pra, ky votim iu tha   ndal talljeve të tyre me qytetarët, duke i nënçmuar e  trajtuar ata si shërbetorë duke  luajtur me dinjitetin e tyre, që është në kundërshtim më shtetin ligjor dhe të demokracisë së konsoliduar.

Nga:Nail  Draga

Në këto zgjedhje LVV së bashku me iniciativën qytetare të V.Osmanit, nuk e kishin lehtë sepse kundër tyre ishin të gjithë si parti politike, media, gazetarë dhe klane të ndryshme, sepse ata ishin në mbrojtje të interesave të tyre. Por, më së fundit  qytetarët u vetëdijësuan, nuk lejuan të mashtrohen sepse kanë qenë dëshmitarë të korrupcionit e  keqpërdorimit të pushtetit e të  parasë publike për interesa personale, partiake e klaneve të ndryshme. Dhe ky demoralizim ishte një forcë morale e qytetarëve për të mbeshtetur ata të cilët nuk ishin në pushtet dhe janë të pa korruptuar, duke iu mundësuar atyre ndryshimin e qeverisjës funksionale  në favor të qytetarëve sipas parimeve të demokracisë pluraliste.

Dy votime plebishitare

Organizimi i zgjedhjeve, fushata parazgjedhore, votimi dhe numërimi i votave  në një kohë rekord nga ana e KQZ, qytetarët e Kosovës, treguan kulturë demokratike, duke qenë  leksion i demokracisë   për vendet e tjera në regjion e sidomos për Shqipërinë. Qytetarët që morën pjesë në votime dëshmuan përkushtim maksimal duke votuar në mënyrë plebishitare për LVV me 47.85% duke qenë fitorja ma e thellë e një subjekti politik në Kosovën e pasluftës, duke tejkaluar LDK në vitin 2001, kur u votuan me 45.65% nga qytetarët. Janë këto dy raste plebishitare, që realisht ishin një referedum i cili ndonëse nuk është i legalizuar ligjerisht qytetarët me votimin e tyre e legalizuan një proces të tillë popullor.

Në pritje të rezultateve definitive

Rezultatët preliminare të zgjedhjeve paralementare të 14 shkurtit u publikuan nga KQZ brenda shtatë orëve, duke shpallur edhe fituesin e zgjedhjeve, ku partia e parë doli LVV me 47.85%, e dyta PDK 17,41%, LDK 13.08%,  AAK 7.43%, LS 5.54% dhe NISMA 2.6%. Nga numri i përgjithshëm i votuesve prej 1.794.862, kanë votuar 816.421 votues ku nga to të vlefshme kanë qenë 791.288(97%), ndërsa dalja në zgjedhje ka qenë 45.49%. Por, duhet cekur se këtyre të dhënave iu mungojnë votat nga diaspora, votat me kusht dhe personave me nevoja të veçanta, nga del se numri i përgjithshëm do të rritet gjithnjë, që do të publikohet gjatë ditëve në vijim. Vetëm kur të publikohen rezultatët definitive dhe të bëhet çërtifikim i tyre atëherë do të kemi një përmbledhje komplete, ku hapet rruga për mbledhjen konstituive te Kuvendit të Kosovës  dhe formimit të Qeverisë së re.

Kandidatja për presidente më e votuara

Në pamundësi për të zgjedhur presidentin e shtetit, direkt nga qytetarët, në këto zgjedhje dy kandidatë janë prezentuar si kandidatë të mundshëm për presidentin e Republikës së Kosovës. Përmes listës së deputetëve nga LVV kandidate ishte V.Osmani ndërsa nga AAK, ishte R.Haradinaj. Dhe në sajë të votava të numëruara deri tash   V.Osmani dual deputetja ma e votuar me rreth  250.000 vota, ndërsa  R.Haradinaj, përmes AAK-së ka marrë vota më pak së  partia e tij.

Nuk ka dilemë se votimi plebishitar për LVV, si dhe votimi për V.Osmanin, paraqet dëshmi për suksesin e referendumit i cili duhet të respektohet nga të gjithë deputetet e tjerë në Kuvendin e Kosovës. Sipas kushtetutës presidenti i Kosovës duhet të votohet nga deputetët në Kuvendin e Kosovës, ku duhet të jenë të pranishëm 80 deputetë. Nëse me rastin e parë, apo edhe të dytë kandidati nuk arrin votat e duhura, atëherë votohet për  të tretën herë, ku janë të mjaftueshme 61 vota, por në kuvend duhet të jenë të pranishëm 80 deputetë si kuorum i nevojshëm. Nëse nuk realizohet ky parashikim, atëherë  vendi shkon në zgjedhje të reja.

Mbeshtetje  pa kushte

Duke marrë parasysh se kandidatje për presidente V.Osmani më parë ishte në kuadër të LDK, jo si antare  e thjeshtë, por në cilësinë e nënkryetarës si dhe deputetja më e votuar në këtë listë në zgjedhjet e tetorit të vitit 2019, ajo duhet të mbeshtetet pa kushte nga deputetët. Sepse kemi të bëjmë me një personalitet me qendrim  parimor, duke iu mbetur besnik premtimeve parazgjedhore qytetarëve dhe elektoratit votues të LDK-së. Por, një qendrim i tillë të tjerëve iu pengonte, andaj ate e shkarkuan nga pozita e nënkryetarës dhe më pas e përjashtuan nga LDK. Ishte ky një veprim absurd  përjashtues, duke  dëshmuar se në LDK, nuk ka ekzistuar demokracia e brendshme duke eliminuar mendimin ndryshe. Por, duke mbrojtur parimet personale e ato partiake  ajo në zgjedhjet e 14 shkurtit iu bashkangjitë  LVV, duke  dëshmuar mbeshtetjen popullore me rreth 250.000 vota. Dhe ishin qytetarët që e mbeshtetën masivisht, duke ia marrë gjysmën e elektoratit të LDK-së, duke e vendosur këtë parti në rezultatin më të dobët në historinë e saj.

 

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.