Një nga figurat më të shpërfillura në skenën bashkëkohore letrare, Ricardo Eliecer Neftalí Reyes Basoalto zgjodhi pseudonimin Pablo Neruda në nder të shkrimtarit çek Jan Neruda
Pablo Neruda, “poeti më i madh i shekullit të 20-të”, siç e quajti Markezi, ishte diplomat dhe politikan kilian, fitues i çmimit “Nobel” në vitin 1971. U lind më 12 korrik, 1904.
Një nga figurat më të shpërfillura në skenën bashkëkohore letrare, Ricardo Eliecer Neftalí Reyes Basoalto zgjodhi pseudonimin Pablo Neruda në nder të shkrimtarit çek Jan Neruda. Përkufizuar si përfaqësues i kanonit perëndimor nga kritiku Harold Bloom, shkrimtari kilian është autori i më shumë se njëzet përmbledhjeve me poezi në të gjallë të tij, pasuar nga shumë të tjera pas vdekjes.
Jo vetëm krijues pjellor, por edhe politikan i përkushtuar, Neruda aderoi veçanërisht në kahun komunist dhe mendohet se vdekja e tij nuk ndodhi për shkaqe natyrore. Në vitin 2013, pas më shumë se 40 vjetësh, u zhvarros me qëllim sqarimin e misterit të vdekjes. Disa mbështesin, se edhe pse poeti ishte në një fazë të avancuar të kancerit, sësish nuk ishte në grahmat e fundit të jetës; të tjerë janë të bindur për vrasjen e Nerudës, çka mund të ketë ndodhur përmes injeksioni fatal, kryesisht për arsye politike.
Poezitë e tij që luhaten nga realizmi në surrealizëm shpërthejnë në zemrat e njerëzve, pikërisht për shkak të fuqisë tërheqëse të imazheve që ai ofron, gjuhën e thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë. Vlerat që përcjellin poezitë e Nerudës janë paqja dhe dashuria, dy komponentë esencialë të jetës që e bëjnë atë të pastër dhe të lirë. Për këtë arsye Neruda beson se poezia mban një forcë revolucionare, e aftë për të transformuar mendjet dhe për të përhapur paqen. Poezia përhap dashurinë dhe vëllazërinë kundër atyre që duan të shkatërrojnë pastërtinë e jetës. Përçmon tiranët dhe pushtetin ndaj më të dobtëve, gjë e cila e pengon lirinë. Mesazhi i thellë që ai përcjell është se dashuria nuk është e bukur, dashuria është e errët dhe gjithëpërfshirëse, është misterioze, plotësisht e paparashikueshme.
Veçanërisht e rëndësishme është përmbledhja “Njëzet poema dashurie dhe një këngë e dëshpëruar”, antologjia e dytë e lirikave që i dekretoi Nerudës emërtimin e poetit. Edhe pse vetëm 19-vjeç, poeti na tregon një dashuri shpirt-copëtuese, melankolike. Një udhëtim brenda ndjenjave që përfundon me një këngë të dëshpëruar.
Ndjeshmëria, poezia, dashuria dhe ndjenja, janë komponentët e Pablo Nerudës. Është quajtur shpesh “poet-piktor” i vërtetë, sepse ashtu si piktori ai e përshkruan realitetin nëpërmjet fjalëve. Ndërmjet pasionit, butësisë dhe sinqeritetit, autori kilian shkruan:
Mund të shkruaj vargjet më të trishtuara sonte.
Të shkruaj, për shembull: “Nata është yjësuar
Dhe drithëruesit, të kaltrit yje, atje larg”.
Era e natës sillet në qiell dhe këndon…
…
Mes modeleve të tij, Walt Whitman, të cilin e përmend në mënyrë të përsëritur, dhe poetin e madh francez, Artur Rëmbo, duke filluar midis surrealizmit dhe realizmit, përzien stile të ndryshme për të arritur në unike. Nga ana tjetër, aftësia e lindur për të përzier ekspresivitetin e ndryshëm është tipike për kreativitetin amerikanojugor, i orientuar drejt pranisë dhe shumëllojshmërisë kulturore të disa grupeve etnike, prej nga poeti ishte një nga përfaqësuesit më të mirë. Për Nerudën, poezia është paqe. Poeti lind nga paqja, si buka krijohet nga mielli. I dashuruar pas poezisë së gjërave të vogla, ai shpreh pothuajse të njëjtën zbrazëti montaliane, të humbur, në mëshirën e çrregullimeve ekzistenciale.
Në odat e para ai përshkruan pikërisht ato gjëra të vogla dhe të thjeshta që rrethojnë qenien njerëzore dhe që mund të duken të parëndësishme, por që marrin një vlerë të pazëvendësueshme. Për shembull, vera është “djali i gjelbër i tokës”, një pije thuajse magjike, lidhës dashurie dhe miqësie. Angazhimi politik, pasionet dhe vizionet melankolie të gjërave të vogla janë karakteristika e poetikës së Nerudës. Në përvjetorin e lindjes, shkrimet e tij janë më të gjalla se kurrë, duke konfirmuar madhështinë e autori, i cili me anë të lirikave diti të përjetësojë fjalët e ndjenjat.