Më 4 nëntor 1990, don Simon Jubani i thirrur nga një banor, i cili jetonte pranë varrezave katolike të Rrmajit, kremtoi një meshë të shkurtër për pak të pranishëm. Asgjë nuk ishte organizuar, njerëzit ndodheshin aty, pasi po përkujtonin të dashurit e tyre të ndjerë. Gjithçka përfundoi në pak minuta, ndërsa lajmi ishte përhapur shumë shpejt. Don Simoni bashkë me qindra qytetarë shkodranë organizuan përgatitjet për meshën e parë, e cila do të kremtohej pas 1 jave, më 11 nëntor. Kjo ngjarje riktheu lirinë e besimit pas 23 vitesh ateizmi shtetëror.