Plot 114 vjet ma parë në oborrin e Kishes së Shkrelit, ditën e Shenkollit, 9 Maj 1908, parardhësit tanë t’u festu festën e Shenkollit.Ndaj dhe unë si i Shkrel festoij , dhe uroj Gezuar Shenkolli Maijn! G. V.
Nga Ndue Bacaj
Çdo njëri që ka sado pak njohuri për historinë e Institucioneve të Besimit Kristian (Katolik) në Malësinë e Madhe e më gjerë ka dëgjuar më dhjetar apo qindra herë emrin e Kishës së Shkrelit, një emër famëmadh e më histori qindra vjeçare besimi e qytetërimi. Kisha e Shkrelit është e ndërtuar (por edhe rindërtuar) pikërisht aty ku e shohim sot në fshatin Bzhete (te Poshtme). Historia e Kishës së Shkrelit ndër shekuj ka kaluar në mes dallgëve e stuhive që sollën motet, dhe që u përplasen jo pak në faqet “Shkëmbore”të maleve dhe kodrave të krejt Malit, Fisit, Bajrakut apo organizimeve të tjera krahinore apo shtetërore të Shkrelit. Për të “formësuar” një histori të shkurtër të Kishës së Bzhetes,që është edhe qendra e Famullisë së Shkrelit, fillimisht po “kujtojmë” një trashëgimi gojore më vlera që qarullon edhe sot në Shkrel e Malësi e cila thotë se, kur erdhi në pushtet dinastia e Bushatlinjëve shqiptare ( Pashallëku i Shkodrës), edhe besimtaret e palëkundur Katolik e ndien veten më të pavarur, më të lirë e më të qetë, jo vetëm në punët e tyre ekonomike, por edhe në ndjekjen dhe ushtrimin e zakoneve, dokeve e mbi të gjitha të traditës të besimit Kristian.Në këto vite (gjysma e dyte e shekullit XVIII dhe fillimi i shekullit XIX), në trojet e Malësisë e më gjerë kemi edhe një seri ndërtimesh apo rindërtimesh të objekteve të kultit Katolik (të ndaluara ndërkohe nga pushtuesi otoman).Në këto kohë trashëgimia gojore na tregon se për ndërtimin e Kishës Shkrelit (në mendojmë të rindërtimit), që ishte njëkohësisht edhe qendra e vetë famullisë kishte pasur mosakordance në mes përfaqësuesve të fshatrave dhe katundeve të Shkrelit, që kërkonin secili ta kishin qëndron e famullisë në katundin e tyre… Në mes këtij “debati” aspak koherent ishte rënë dakord vetëm më një zgjidhje: Që kisha e famullisë të Shkrelit të ndërtohej pasi të pyeteshin sivëllezërit e tyre mysliman të Zagores, dhe aty ku të pleqërohej nga këta burra të urtë, të pranohej prej të gjithëve. Dhe ashtu u bë, dhe sivëllezërit e tyre mysliman të Zagores pasi studiuan të gjitha rrethanat mënduan që Kisha –Famulli të ndërtohej (apo rindërtohej) në Bzhetë, pikërisht aty ku është sot, pasi siç gjykuan ata, ky vend i përkiste jo vetëm traditës shekullore, pozicionit impozant, por mbi të gjitha ky vend ishte më i përafërti (dhe barabarti) në largësinë e Katundeve e Fshatrave të Shkrelit, nga qendra e famullisë së tyre, ndaj kështu u veprua. Në e dimë se historia e institucioneve të Besimit Kristian është mjaft e hershme, ku të paktën që në vitin 387 në Shkodër e Malësi ka të dokumentuara objekte të kultit Kristian… (Fulvio Kordinjano, SHQIPËRIA, përmes veprës dhe shkrimeve te misionarit te madh Italian At Domeniko Pazi.1847‐1914 ). Por në po u referohemi vetëm disa studimeve apo dokumenteve që tregojnë diçka nga historia e Kishës së Bzhetes, apo më sakte Kishës së famullisë të Shkrelit…… Në Berzhetë (Bzhetë N.B.), 450 metra mbi nivelin e detit në të djathtë të Përroit Thatë, gjendet famullia dhe kisha e Shkrelit kushtuar Shënkollit, një nga Shenjtorët ‐ pajtor të fisit. Sot të çon aty një rrugë karroce prej 36 km nga Shkodra….( Ermanno Armao. Vende., Kisha, Lumenj, Male e toponime të ndryshme të një harte të lashtë të Shqipërisë Veriore, fq. 43…Hartat janë të hartografëve Coronëlli dhe Canteli dhe u përkasin viteve 1688 – 1691 ). Nga libri i sipërcituar sipas hartave të fundit te shekullit XVII, mësojmë emërtimet e shkruara të asaj kohe, të atyre vendeve që bënin pjesë në Famullinë e Shkrelit: Sagora (Zagora ), Vreli ( Vrithi ), Bersceta (Bzheta)… Dedagni o Pedagni (Dedaj), Giuani ( Xhaj ), Dzuaj (Ducaj) e deri Loeia (Lohja).
Në këto katunde apo fshatra mësojmë se kishte Kisha më të vogla, që i kushtoheshin edhe Shnaprendes (si në Vrith), por edhe Shënkollit, ku në Lohe (Kocaj) ka qenë një Kishë e tillë, rrënojat e së cilës mund të shihen edhe sot…(po aty fq. 69, 79 dhe 148..) Famullia e Shkrelit është e pasqyruar edhe në relacionet (e vitit 1745) të misionareve të Dioqezës apo Ipeshkevisë së Shkodrës, ku nëpërmjet këtyre relacioneve mësojmë jo vetëm për gjendjen e kishave, por dhe për banoret e asaj kohë të famullisë sipas fshatrave… Famullia e Shkrelit larg në vijë të drejtë nga Shkodra, duke i rënë nga Gruda (e re) e Rashi 6 orë…..Në ketë famulli numërohen fshatrat që vijojnë: Reçi, larg nga Rioli ( Rrjolli) një orë, numëron 16 shtëpi katolike më 186 frymë, kisha e famullisë i është dedikuar të Shelbuemit.Lohja, larg nga Reçi gjysme ore, numëron 35 shtëpi katolike më 309 frymë. Ka kishën e famullisë ushtuar Shën Nikollës. Ka patur edhe një tjetër kushtuar Shën Gjergjit, por të dyja janë shkatërruar. Zagora, largë nga Lohja rreth gjysme ore, ka 21 shtëpi katolike më 184 frymë. Kisha e famullisë është ajo e Shën Nikolles. Dedanji (Dedaj), larg nga Zagora gjysme ore, numëron 38 shtëpi katolike më 357 frymë. Kishën e famullisë e ka të dedikuar Zojes së Këshillit Mirë, kisha është e zbuluar, ka një kambanë 30 librash. Duzanji (Ducaj),larg nga Dedajt rreth një orë, numëron 24 shtëpi katolike më 133 frymë. Kisha e famullisë është ajo e Shën Nikolles. Gioanji (Xhajt) në Shkrel, larg nga Ducajt një çerek ore, ngjitur më Bzheten…Shtëpi katolike 8 më 65 frymë. Kisha ka qenë e Shën Nikollës.Bashieta (Bzheta) e Poshtme, larg nga Dedajt një orë,dhe nga Xhajt gjysme ore, numëron 7 shtëpi atolike më 69 frymë. Kisha e famullisë është e Shën Nikolles. Bashieta (Bzheta) e Sipërme, larg nga ajo e Poshtme gjysme ore, numëron 21 shtëpi katolike më 191 frymë. Kisha ka qenë e Shën Nikolles. Boga, larg nga Bzheta e Sipërme dy orë e gjysme. Numëron 39 shtëpi katolike më 267 frymë. Kisha e famullisë është kushtuar Shënaprenës. Verinsi ( Vrithi), larg nga Boga tre orë, numëron 52 shtëpi katolike më 412 frymë. Kisha e famullisë kushtuar Shënaprenës.(Nevila Nika. Dioqeza e Shkodrës gjatë shekullit XVIII, sipas dorëshkrimeve arkivore, Dokumenti .8. viti 1745. faqe 155 – 156 ). Famullia e Shkrelit është edhe në vëmendjen Ipeshkvit të njohur të shekullit XVII, Imzot Pjetër Bogdani, i cili pasqyron disa herë gjendjen e famullisë e banoreve të sajë, por në zgjodhëm letrën nr.132 datë 3 maj te vitit 1669,ku ndër të tjera shkruan : “…Hoti, Kastrati dhe Shkreli ku jetojnë shumë të krishterë kanë mbetur pa Prift… dhe për ketë kërkohet nga Kongreata për ti dhënë dy misionarë., ndër të cilët Don Nikë Vladanjin, sepse nevojat janë të mëdha dhe njerëzit vdesin pa sakramëntet e Shënjta…”(Pjeter Bogdani, Letra dhe Dokumente, përgatitur nga O.Marquet fq.226‐ 227 )… Nga një studiues shkodran, njohës i mirë i historisë së Kryeipeshkevisë së Shkodrës mësojmë se në vitin 1775, kishte rënë tre muaj rresht shi i madh….dhe atëherë Dom Jak Tanushi (Zorba) ndërton Kishën e Shkrelit… (Gjush Sheldija., Kryeipeshkevia Metropolitane e Shkodrës. Dioqezat Sufraganë, shënime historike, fq. 31 – 32.) Po nga ky burim në faqen 33, mësojmë se jë Mortajë e madhe kishte rënë në Shkodër e Shkrel dhe në krye të shërbimit fetare e shoqërore vdes ndërtuesi (apo ndoshta rindërtuesi) i Kishës në vitin 1817 në Shkrel..” Studiuesi i njohur njëkohësisht edhe famullitar për disa vite në Famullin e Shkrelit (në vitet e demokracisë ) Dom Nikë Ukgjini shkruan “…Që të ketë ekzistuar edhe më herët Kisha katolike në Shkrel dëshmon edhe Frano Bardhi në relacionin e vet, dërguar Selisë së Shenjtë në vitin 1635, ku ndër të tjera thotë se Shkreli ka pasur Kishën e vet kushtuar Shën Nikollës dhe ka shërbyer për 56 shtëpi dhe 520 banorë. Po kështu sipas gojëdhënave kisha të vogla të kohës së mëvonshme, ka pasur edhe në Greben, Sterkujë, Zagorë në mëhallën e Kolajve, ku sot janë varrezat në Zhaje, të Brija e Fierkuqes dhe në Ducaj, ku ekziston edhe sot e kësaj dite. Burimet për dy kishat e hershme të Shëna Prenës e Shën Nikolles mund të komentohen mbi faktin se, krahina e Shkrelit ka pasur dhe ka dy festa kushtuar këtyre dy shenjtorëve ; festa e Shën Nikolles që kremtohej më miq, kurse Shëna Prenja më tepër feste e bjeshkatareve..”(Dom Nikë Ukgjini, SHKRELI, një vështrim historiko‐kulturor, fq.69. ) Po nga ky studiues mësojmë se në famullinë e Shkrelit kanë shërbyer një plejadë e tërë famullitaresh patriot, por edhe studiues, shkrimtarë e veprimtarë të Binomit të pavdekshëm FE dhe ATDHE…ku në mes kësaj plejade që është e dokumentuar të paktën që në vitin 1847 po veçojmë: Dom Ndoc Nikaj (në vitet 1892‐1893), D. Aleksander Sirdani, Imz. Luigj Bumci. D.Kolec Prenushi, D.Ndre Zadeja, D. Nikollë Gazulli, At Anton Luli, D.Ciril Cani, D.Pjeter Gruda e tjerë, dhe i fundit D. Ndoc Volaj, deri më 9 prill 1967 në çmendurinë ateiste të komunisteve … (më shumë shih po aty në fq.72‐74). Mjerisht pjesa më e madhe e detyre famullitarëve patriot u pushkatuan, burgosen apo syrgjynosen si mos më keq …ashtu siç e PËSOI vetë Kisha e Bzhetes (famullia e Shkrelit) dhe gjithë objektet e kultit në Malësi e Shqipëri. Kjo Kishe ndonëse u tjetërsua kishte një fate disi më të mirë se shumë Kisha apo objekte të tjera kulti që u rrafshuan më kulm e themel… Ringjallja ndonëse vonoi, ajo erdhi, dhe pas 23 viteve e gjysme (më 24 nëntor 1990 ) At Konrad Gjolaj THA MESHËN E PARË, Meshë e cili bekoi “rikthimin” e besimit tek Zoti, për një jetë të re, më të ngjashme më atë që predikoi vet Jezu Krishti më doktrinën e tij që tashmë është jo vetëm Besim, por edhe qytetërim, dhe lum kush e “prekë” ketë dhuratë të Zotit, që natyrisht edhe historia e Kishës së Bzhetes (Shkrelit) e ka në themelet e saja prej Shekujsh…