Nga: Enver Cakaj
Të gjithë kërkojnë ndonjë punë,kërkojnë ndonjë lekë,kërkojnë…e çfarë nuk kërkojnë.Cipa e faqes u është bërë si shuall opinge.Një femër nga Tepelena më beri mik në FB dhe kur i thashë t’i dërgoja një libër më tha: “Të kam dhjerë librat,po a ke të më dërgosh ca euro!” Po ne,ne çfarë kërkojmë? Unë i kërkoj Bashkim Koçit mos ka ndonjë material për të shkruar.Të njëjtën gjë bën dhe ai.Dhe me to diganisemi.Por unë tani kërkoj një shok.Po,po kërkoj një shok.Nuk po e kërkoj me fenerin e Diogjenit.Ai është kudo,nëpër faqet e shtypit,nëpër libra,mes shokëve.Mirëpo unë e dua këtu,këtu,ku kemi nisur të zhgarravisim.I pari na u largua Sefedin Çela,që i jepte dritë edhe diellit.Na iku Iljaz Kapxhiu,që me humorin e tij na bënte t’i harronim hallet e dhimbjet,na u largua Riza Bregasi,na u largua dhe ndonjë,që bëri mirë që u largua,na u largua Bashkim Koçi.Më mbeti vetëm Sefedin Methoxha,me të cilin çeplendisesha.Po tani që edhe Sefedin Methoxha na iku befasisht? Jo,nuk ka ikur asnjë prej tyre,se gëdhihemi e ngrysemi me shkrimet dhe humorin e tyre.Kam një linjë të përhershme me Bashkim Koçin,që i flas e më flet.Dhe kjo ma largon vetminë.Mirëpo unë dua atë Bashkim Koçin,që të ulemi nën hijen e rrapeve te Sorkadhja.Atje t’i shoshitim temat e projektet e shkrimeve dhe librave.
Gazetar nuk të bën shkolla,por pasioni.Bashkim Koçi e kishte pasionin dhe vullnetin që në moshën më të re,por…Skraparit nuk i duheshin gazetarë aso kohe.Bujqësia donte agronomë,se Skrapari kishte vetëm Servet Dervishin agronomin e parë e të vetëm.Sa herë binte vrugu në hardhitë,binin telefonat dhe Serveti nisej në këmbë në ato rrugë pa rrigë.Bashkimin e nisën në Institutin e Lartë Bujqësor në Tiranë.Në vend të rreshtave të shkrimeve do të mësonte për rreshtat e pemëve e drithërave të bukës.E para ishte buka.Por njeriu po të ketë vullnet bëhet çfarë të dojë.Shumë agronomë e inxhinier nafte u bënë shkrimtarë,pse të mos bëhej i tillë dhe Bashkim Koçi.Atje,nën hijet e mollëve të Prishtës u ul e filloi të shkruante.Nuk kishte rëndësi se çfarë shkruante,po aty niste rruga e krijimtarisë.Gërma,gërma e fakt pas fakti,një ditë Bashkimi na befasoi që me shkrimet e para në organet e shtypit serioz.Gazetari i mirë lipset të jetë guximtar,ndryshe le ta lërë lapsin për ata që kanë guxim.Kjo gazetaria ka gjëra të çuditshme,se je i detyruar të bësh shkrim kritik për atë që të ka punësuar! Do t’u tregoj një rast nga jeta ime. Unë punoja në aparatin e Komitetit Ekzekutiv të rrethit dhe kritikoja Kryetarin e komitetit! Dhe ai më thirri e më tha:”Mos ke luajtur menç?” Jo,i thashë,kur të kritikoj ty kam kritikuar të gjithë aparatin,ku jam dhe vetë brenda.Atëherë u ndamë duke qeshur.Të njëjtën gjë bëri Bashkimi,prandaj e dua e veçoj dhe e kërkoj.Nëse shkruajmë ndonjë kritikë,do të thotë se korrigjojmë ndonjë metodë pune,që cënon popullin.Gazetari është opozitar me të gjithë ata që i kundërvihen popullit kushdoqofshin.Tani nuk ka më gazetarë profesionistë,por partiakë.Injorojnë veten për interesa.Bashkimi e di dhe e ka provuar,se edhe gazetarët kanë opozitarë.Ata që kritikohen nuk lënë gur pa lëvizur për të shpëtuar,po nuk e dinë që shpëtojnë si batakçinj.E kam këtu shkrimin për peripecitë që ka hequr Bashkim Koçi për një shkrim.Por Bashkimi ka aftësi e kulturë dhe di si e çfarë duhet shkruar.Dhe qëndroi me të dy këmbët ndaj sulmeve.Ky është gazetari që na duhet.Unë e kam provuar vetë,kur m’u sulën të dy aparatet e partisë e pushtetit dhe e gjithë kooperativa bujqësore e Turbëhovës për një shkrim kritik.Bënë disa letra që të vija të jepja llogari,po unë qëndrova,kurse ata ulën kokat kur morën vesh të vërtetën. Prandaj e dua Bashkimin se është si unë,atë që bën e mbron me dinjitet e nuk bëhet lëngëtyrë.Të njëjtën peripeci pati dhe Sefedin Çela kur punonte te gazeta “Jehona e Skraparit”,por nuk e vari kokën,qëndroi si burrë Skrapari.
Të më kuptoni,nuk është ky Bashkimi i plotë.Unë saikur,sepse kaq mban ky libër.Bashkim Koçi është vetë një libër i tërë,që sa herë ta shikojnë të ngrihen në këmbë dhe t’i përulen në shenjë nderimi! Ku ta dish,ne që shkruajmë jemi të ngacmuar dhe ndonjë herë edhe mund ta plotësojmë portretin e tij!