Të dielën në qytetin historik të Cetinjës, në Mal të Zi, kanë protestuar mijëra vetë kundër paralajmërimit se më pesë shtator në manastirin e këtij qyteti do të bëhet inaugurimi i mitropolitit, në këtë vend, të Kishës Ortodokse Serbe, Joanikije. Demonstruesit u shprehën se ‘nuk do të lejojnë këtë akt të nënshtrimit simbolik të Malit të Zi nga ana e Serbisë’. Protestuesit e tubuar në kryeqytetin e lashtë malazez thanë të dielën se inaugurimi i klerikut Joanikije në postin e mitropolitit të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi pikërisht në këtë qytet ‘do të ishte simbol i pranimit të pushtimit’. Duke kundërshtuar zhvillimin e ceremonisë në manastirin e Cetinjës, demonstruesit shpjeguan se ata nuk ia ndalonin patriarkut serb Porfirie të bëjë promovimin e mëkëmbësit të tij në ndonjë objekt tjetër të ngritur nga kisha e Serbisë në Mal të Zi, por nuk do të lejojnë që, sikurse u shprehën ata, ky akt pushtues të bëhet në kolltukun e Shën Petarit në Manastirin e Cetinës që është simbol shumëshekullor dhe i përjetshëm i qenies dhe lirisë shpirtërore, shtetërore e kombëtare malazeze.Protestuesit, po ashtu, nënvizuan se Mali i Zi mund të mbijetojë vetëm si shtet evropian, euroatlanitk, qytetar dhe shekullar që ka për të respektuar të drejtat e të gjithë atyre të cilët jetojnë në të, pa marrë parasysh përkatësinë fetare dhe kombëtare, parime këtë mbi të cilat edhe u ripërtri Mali i Zi më 2006 kur shpalli pavarësinë nga Serbia.Kisha Ortodokse Serbe ende nuk e ka konfirmuar e as përgënjeshtruar paralajmërimn se pikërisht në Manastirin e Cetinjës do të bëjë inaugurimin e mirtropolitit të vet, por zyrtarë të lartë në Podgoricë, përfshirë këtu Kryeministrin Zdravko Krivokapiq dhe zëvendësin e tij, Dritan Abazoviq, kanë lënë të kuptohet se personalisht do të marrin pjesë në këtë ceremoni që ka ngritur tensionet ndëretnike, ndërfetare e ndër-politike në Mal të Zi. Në qeverinë malazeze të zgjedhur dhjetorin e vitit të kaluar, shumica e ministrave janë të afërt me Kishën Ortodokse Serbe, me propozimin e së cilës është zgjedhur edhe Kryeministri Krivokapiq. Atë e ka votuar koalicioni i përbërë nga Fronti Demokratik pro-serb e pro-rus, Demokratët dhe Lëvizja Qytetare ‘URA’. Shkarkimi i ministrit të Drejtësisë, për shkak të mohimit të gjenocidit në Srebrenicë, ndërkaq është pasuar me plasaritje serioze brenda koalicionit në pushtet dhe vëzhguesit në Podgoricë nuk përjashtojnë mundësinë e një krize qeveritare që do të ketë për pasojë krijimin e një koalicioni të ri ose çuarjen e vendit në zgjedhje të reja./Klan Macedonia/