Mali i ZI/Forumi Shqiptar: Mandiqi nxit urrejtje, heshtja e Millatoviqit dhe e Spajiqit shqetësuese

0
Processed with MOLDIV

Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, së fundmi ka treguar se mbetet një albanofob i pakorrigjueshëm dhe është për t’u habitur që askush nga autoritetet më të larta shtetërore nuk është deklaruar për këtë, thuhet në reagimin e Forumit Shqiptar.

Forumi i udhëhequr nga Nik Gjeloshaj ka reaguar pas njoftimit të OJQ-së Serbe në Mal të Zi për organizimin e protestës në sheshin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Tuz.

“Pasi sulmoi shqiptarët në Mal të Zi me retorikë luftënxitëse, kryetari i Kuvendit tani ka shkuar një hap më tej dhe ka aminuar thirrjen e disa bashkatdhetarëve të tij për të agjituar dhe për të tentuar të na provokojnë edhe më shumë”, thonë ata në reagim.

Forumi Shqiptar thotë se nuk do të lejojë që të shkaktojnë provokime të tilla apo të ngjashme.

 “Megjithatë, Forumi Shqiptar me veprime institucionale do të japë kontributin maksimal që shovinizmi i nxitur nga kryetari i rastësishëm i Kuvendit të mos ketë vend në Mal të Zi. E gjithë kjo është pasojë e retorikës së papërgjegjshme dhe luftënxitëse të përdorur nga Mandiq”, thuhet në deklaratë.

Ata shtojnë se për ta është befasuese që as kryeministri Millojko Spajiq e as presidenti Jakov Millatoviq nuk janë deklaruar dhe nuk kanë reagim adekuat ndaj kërcënimeve luftënxitëse që kanë ardhur ditëve të fundit.

 “Mandiq ende nuk është ndjekur penalisht për gjuhë urrejtjeje dhe kërcënime ndaj shqiptarëve, pas kërcënimeve që ai i ka dërguar së fundmi kreut të Forumit Shqiptar, Nik Gjeloshaj, rreth thyerjes së dhëmbëve dhe shkarkimit nga puna. Në fund ai kërcënoi dhe ushtroi presion ndaj autoriteteve për të ngritur procedimin dhe tani është zgjeruar dhe ka bërë thirrje për arrestimin e të gjithë shqiptarëve”, thuhet në deklaratën e Forumit Shqiptar.

Forumi Shqiptar u bën apel të gjithë qytetarëve, sidomos bashkëqytetarëve që etnikisht i përkasin popullit serb, që për interesa të të tjerëve dhe të ulëta ngrenë tensione, qëllimi i vetëm i të cilave është të na largojnë nga rruga evropiane dhe një të ardhme më të mirë dhe më të begatë për të gjithë ne.

“Gjithashtu, as nuk kemi thirrur dhe as do të thërrasim askënd për festim dhe përdorim të simboleve që identifikohen dhe që janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Malit të Zi, sepse të drejtat që ne i kërkojmë për veten nuk do t’u mohohen kurrë të tjerëve, siç do të bënte Mandiqi. Respektimi i të drejtave të të gjithëve dhe rruga europiane e Malit të Zi janë postulatet bazë të politikës së Forumit Shqiptar”, përfundon deklarata e Forumit Shqiptar.

MA

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.