Kryetarja në detyrë e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, ka deklaruar se nuk figuron në listën e kandidatëve të miratuar nga Komisoni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD-së, pasi është vet tërhequr nga gara , për disa arsye.
Përmes një deklarate, pas publikimit te listës për bashkinë e Shkodrës, Ademi, ka bërë një bilanc për 7 vitet në krye të kësaj detyre, duke u shprehur se ‘gjykon se futet në garë me një avantazh përballë të gjithë kolegëve të tjerë’ për disa arsye që i ka cituar në deklaratën e saj, ndaj dhe refuzon të marrë pjesë.
“Unë jam kryetarja në detyrë e Bashkisë së Shkodrës. Për shkak të këtij pozicioni, të pozicioneve të mëparshme publike që më janë besuar por edhe për shkak të angazhimit tim dhjetëravjeçar në Partinë Demokratike, kam vendosur të mos marr pjesë në “primaret” që do të zhvillohen me 30 janar 2022 për përcaktimin e kandidatit për kryetar bashkie në Shkodër. Gjykoj se futem në garë me një avantazh përballë të gjithë kolegëve të tjerë.” shprehet Ademi.
Ndërkohë e pyetur nga mediat, nëse do të pranonte një propozim të Lulzim Bashës për në bashkinë e Shkodrës ajo është shprehur që kreu aktual i PD-së as nuk guxon për t’i bërë një propozim të tillë.
“E kam ndarë mendjen se ku jam. Jam kundër zotit, Lulzim Basha. Jam e pozicionuar pa interesa. Nuk i shkon mendja Lulzim Bashës të ma thotë këtë, as nuk guxon” është shprehur Ademi.
Për kandidatët në Primaret e Komisionit të Rithemelimit, Ademi theksoi se ka qenë mbështetëse për to.
Komisioni i Rithemelimit sot ka përpiluar Primaret, në gjashtë degët e partisë ku do të mbahen zgjedhjet e pjesshme lokale. Emrat janë bërë publik ditën e sotme, ku janë bërë të ditur kandidatët që do të garojnë në votimet për Dibrën, Durrësin, Lushnjën, Rrogozhinën, Shkodrën dhe Vorën.