Vlerat e gjuhës artistike të shkrimtarit Hamit Gurguri

0

Nga Gladiola Jorbus

  1. Gurguri – një talent natyror, i gërshetuar me studimin, kuriozitetin dhe përpjekjet

Hamit Gurguri, një autor që ka lënë gjurmë në letrat shqipe, prozator, anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve në Suedi, përkthyes. Ai lindi në fshatin Godanc të Drenicës në vitin 1949. Arsimin fillor dhe të mesëm i kreu në vendlindje, ndërsa Fakultetin Juridik në Osijek të Kroacisë. Prej disa dekadash jeton në Borås të Suedisë.Gurguri është lëvrues i gjuhës amtare, por ruan disa tipare të gegërishtes, mbështetur në parimet se dialektalizmat i japin kolorit veprës, karakterizojnë gjuhën e personazheve, krijojnë një ligjërim më të shkujdesur dhe janë më afër rrëfimit popullor.Dialektet duhen konsideruar si vlerë e thesar i një populli apo pasuri shpirtërore e kulturore, ashtu si dhe letërsia që krijohet e mbështetur në idiomat e tyre.Shkrimtari Gurguri është ushqyer që në vogëli me tregime që kishin subjekt historinë e vendit të tij dhe ato kujtime e kanë shënjuar përgjatë gjithë jetës. Duket se pesha e tyre ka rrugëtuar gjatë mbi supet e vogëlushit kurioz që u bë një burrë i mençur.Nëse ke fatin të jesh lexues i veprës së tij, do të ndjesh se e kaluara shfaqet dhe rikthehet me forcë nën mesazhet se ‘ Çdo shenjtor ka një të kaluar e çdo mëkatar ka një të ardhme’ ose ‘Kushdo që harron të kaluarën është i dënuar ta përjetojë sërish atë’. ‘Nish, Jerusalemi im II’ është shkruar me shumë ndjenjë e dhembje, nën ndikimin e një këndvështrimi origjinal.Në këtë roman vihet re stili i veçantë i Gurgurit, personazhet e kuruara me kujdes dhe të pasqyruara me dritëhijet e sakrificat e tyre; subjekti i mirëvendosur në kohë dhe në hapësirë.Krijuesi Hamit Gurguri nuk resht së kontribuari në letërsinë shqipe me dokumentimin e ngjarjeve historike, me guximin dhe mëvetësinë e lirisë gjuhësore.Tek ai si shkrimtar vihen re përpjekjet për të shkruar në një gjuhë të pranueshme dhe të kuptueshme për të gjithë, një gjuhë në të cilën ai shpreh talentin e tij përmes fjalës artistike që perceptohet semantikisht dhe estetikisht prej të gjithë shqipfolësve.

 

 

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.