( Kujtime )
Nga: Filip Guraziu
Lajmi i bujshëm që Papa Gjon Pali II do të vizitonte Shqipninë dhe Shkodrën ishte përhapë kudo nëpër botë tue krijue nji atmosferë shprese dhe entuziazmi të papamë për shqiptarët e në veçanti për shkodranët. Krahas problematikave të panumurta dhe gati të pazgjidhshme (ose pjesërisht të zgjidhshme) që delshin çdo ditë në punen e Bashkisë, filluem të mendojmë edhe për organizimin e pritjes së njeriut, që për momentin, ishte njeni ndër ma të lavdishmit e Globit.
Gjatë Marsit u organizue në Kryeministri në Tiranë, nën kryesinë e Sekretarit të Presidencës Z.Kolec Topallit, nji takim ku merrshin pjesë ministra të qeverisë Meksi si dhe kryetarët e bashkive të Tiranës dhe të Shkodrës me qëllim koordinimin sa ma të mirë të organizimit për pritjen e Papës.
Bashkia e Shkodrës, qysh në fillimin e punës, pat përcaktue me konkurs kombëtar dhe me aprovim të Këshìllit Kulturës së qytetit, ku bajshin pjesë 40 persona të zgjedhun për intelektin e tyne, Stemen dhe Flamurin e qytetit të Shkodrës tue dhanë shëmbullin e parë për bashkitë e tjera në ket drejtim. Unë pata shkue i pregaditun në mbledhjen e Qeverisë, ku paraqita programin e pritjes së Papës në Shkodër së bashku me mbështetjen financiarë që u kerkonte prej Qeverise Shqiptare. Më kujtohet që ndërmjet të tjerave deklarova se rrugët qëndrore të Shkodrës do të ishin të zbukurueme me degë lari ( dafina) dhe kudo do të ishin shpalosë tre flamuj së bashku; flamuri Kombëtar Shqiptar, ai i Vatikanit si dhe flamuri i qytetit të Shkodrës. Për çudinë time, disa ” personalitete ” pjestarë të Qeverisë Shqiptare filluen me qeshë dhe me ironizue faktin që së bashku me dy flamujt do të ishte edhe ai i qytetit të Shkodrës!; paditunia e tyne nuk më la shije të mirë, por ndoshta ishte hera e parë që kuptojshin se çdo qytet në botë ka pasë dhe ka flamurin e tij…! Biseden e pati mbyllë Kolec Topalli tue deklarue se miraton propozimin e Kryetarit të Shkodrës për flamujt dhe për programin ne përgjithësi, mbas kësaj, të gjithë heshtën!
Java para datës 25 prill 1993 pat qenë programue me aktivitete kulturore:
– Çfaqje në Teatrin Migjeni të nji drame mbi jetën dhe vepren e Papës
– Ekspozitë fotografike për 70 vjetorin e Garës së Parë Çiklistike në Shqipni.
– Inaugurim i përfundimit të punimeve për rikthimin e palestrës në Kishë; të Prenden mbasdite, 23 Prill 1993, në mjedisin madhështor të Kishës së Madhe u paraqit para publikut shkodran, që kishte mbushë plot e përplot mjedisin e kishës, koncerti koralo-orkestral ‘Messia” – Haendel me përformancën e artistave të Teatrit të Operas dhe Baletit, Tiranë. Mbetet i paharruem emocioni i asaj nate që mbrriti kulmin me finalen ‘ Alleluia’ dhe simbas shembullit të Dom Zef Simonit (Nji ndër katër ipeshkvit që Papa shuguroi me 25 Prill 1993) të gjithë u çuem në kambë.
-Të shtunden mbrama ( 24.04.1993) për me krijue atmosferë gëzimi qytetare, para sheshit të Teatrit Migjeni u zhvillue nji koncert me muzikë bashkëkohore dhe kangë të zgjedhuna prej kangëtarve ma të mirë shqiptar, mbarimi i koncertit u shoqnue me shpërthime “të papame” të fishekzareve në qiellin e Shkodrës.
Të kënaqun se çdo gja shkoi mirë, por të lodhun dhe të emocionuem prej stresit të pregatitjes dhe të aktivitete javore, mbas koncertit të gjithë u drejtueme në shtëpijat tona. Kishim nevojë për pak orë pushim para ditës së neserme, mirpo nuk ndodhi ashtu; rreth orës 22.00 me telefonuen prej Argjipeshkvisë se me kërkojshin për nji problem që nuk mund ta diskutojshin në telefon. Atje, me treguen se në minutat e fundit, për arësye sigurie, ishte ndryshue programi i ardhjes së Papës ne Shkodër; programi fillestar parashikonte ardhjen me elikopter të Papës prej Rinasit që do t’u ulte te fusha e Divizionit Ushtarak , përballë Spitalit Civil, ku qenë ba zbukurimet të shumta dhe cilësore, me parullë të madhe për mirëseardhjen si dhe ishte vendosë nji tribunë ku 100 fëmij do të këndojshin, për nderim të mikut të rrallë “Hymnin e Gëzimit” të Simfonisë së Nantë – Bethoven. Po ashtu pat qenë zbukurue edhe rruga prej Divizionit deri te Kisha e madhe me parulla , dafina dhe flamuj. Varianti i ri që parashikonte ardhjen e Papës me veturë prej Rinasit i hidhte poshtë të gjitha pregatitjet e masipërme. Më erdhi keq dhe u dekurrajova, tanë mundi dhe sodisfaksioni i punës po shkonte kot…, megjithate në ora 23.00 të natës organizova nji takim me shtabin e organizimit të pritjes pranë Bashkisë, pjesëmarrja qe plotë. Aty u dhane udhëzime të reja, puntorët punuen tanë natën, spostuen tribunen e korit së bashku me instalimin e fonisë përballë pozicionit të ish Kishës së Zojës, ku do t’u bekonte vendosja e gurit të parë në themelin e Kishës së re prej Papa Gjon Palit të dytë. Rrugën deri te Kisha e Madhe e zbukuruen pjesërisht, pra bane të pamundunen dhe për kët u jam shumë mirënjohës atyne që dhane kontribut tue sakrifikue për nderimin e Papës , por edhe të mikëpritjes shkodrane!. Duhet kujtue me mirënjohje edhe gadishmenia dhe solidariteti i papamë i të gjithë personave, pa dallim fetar, të ngarkuem me detyra për ate eveniment, nuk mbaj mend se u dha dy herë nji porosi, çda gja realizohej si me shkop magjik.
Erina ( vajza) dhe djali i Gjovalin Stefës u përzgjodhën për dorëzimin e dhuratave që Bashkia kishte pregaditë për ardhjen e Papës; nji tubë me lule dhe nji kuti gjysë e hapun me ” kryq dhe shpatë” të punueme me filigranë argjendi prej mjeshtrit Tonin Radovani i cili nuk pat pranue shpërblim prej Bashkisë. Së bashku me dy fëmijtë të veshun me kostume kombëtare, shkuem te sheshi përballë themeleve të Kishës së Zojës të shkatërrueme prej komunistave. Për kënaqësine time sheshi ishte zbukurue mjaft mirë, dekorin e zbukurojshin dhe sheshin e gjallnojshin ma teper se çdo gja, të 100 fëmijtë e korit. Axha, Tonin Guraziu i cili kishte pasë ardhë prej shumë ditve në Shkodër për me qenë i pranishëm në Kishën e Madhe gjatë ceremonisë së shugurimit të katër Ipeshkve të rij shqiptar, më pat ndihmue me shkrue në italishten ceremoniale ato pesë rreshta, të cilat do të ia lexojshe Papës për me i dhanë mirëseardhjen në qytetin e Shkodrës.
Programi parashikonte që unë si përfaqësuesi i qytetit me ” shirit në qafë” do të ishe i pari dhe i vetëm, larg të tjerëve, për dhanien e mirëseardhjes. Sapo vetura e blindueme papale, kaloi urën e Bahçallekut unë i dola përpara simbas programit, vetura u ndalue dhe mbasi i putha dorën Papës i dhashë mirëseardhjen në italisht në qytetin Shkodrës. Kur u afruem te sheshi përballë ish Kishës së Zojës, kori e fëmijve, i drejtuem prej mjeshtrit Kujtim Alia, filloi me këndue ‘ Hymnin e gëzimit ‘ – Bethoven. Muzika, dhe cilësia e korit të fëmijtë i terhoqën vëmendjen Papës i cili u emocionue, ai përshndeti dhe përkdheli disa fëmijë. Përshndeti gjithashtu personalitetet që i kishin dalë përpara e mandej krejtë i vetem u drejtue te elteri i improvizuem te themelet e kishës së zojës, u lut në qetësinë e tij dhe bekoi vendin e shejtë. Mbasi u kthye afër nesh, më erdhi momenti në të cilin unë së bashku me dy fëmijtë do ti dhurojshim peshqeshet. Më kujtohet se ju drejtova me këto fjalë italisht : “Shejtni, ju dhuroj dy simbolet ma të shejta të shqiptarve; kryqin dhe shpatën e princit Gjergj Kastrioti” dhe vazhdova: ” Shpresojmë se ardhja e juej në Shqipni ka me ia ndryshue fatin vendit tonë”- ai m’u përgjigj me buzë në gaz ” Se Dio vuole ” .
Hypëm të tanë nëpër makina dhe u drejtuem drejt Kishës së Madhe. Jo vetem Shkodra, por i tanë veriu Shqiptar ishte ate ditë në rrugët e Shkodrës, njerëzit të disiplinuem si kurrë ndoj herë, përshndetshin dhe brohoritshin ” Rroftë Papa”. Kur korteu i makinave mbrriti para Kishës së madhe, Papa së bashku me njerëzit që e shoqnojshin hyni në Arqipeshkvi. Unë shkova te vendi i im mbrenda në Kishë që ishte e mbushun plot e përplot. U ula te poltrona e parë në rreshtin e parë, djathtas kishe Presidentin Berisha, majtas korridori dhe Nanë Tereza. Personi i protokollit të Presidencës erdhi e më tha: liroja poltronen, ku unë ishe ulë, Presidentit! E mora me mend se ai donte me e nderue Presidentin tue e ulë sa ma afër Nanë Terezes. Mirpo unë ishe Kryetari i Qytetit dhe e dijshe mirë se simbas protokolleve të tanë botës, në krahun tim të djathtë u donte me qëndrue personi ma i randësishëm që kishte ardhë mik në qytetin tim, prandej iu përgjigja se nuk los prej vendit. Personi i protokolli të Ministrisë së jashtme, që duket kishte kuptue ndërhymjen e atij të Presidencës, erdhi menjiherë e më tha: Kryetar mos luej prej vendit, sepse ky asht vendi i yt!
Isha shumë i tensionuem dhe i emocionuem prej këtij evenimenti unikal në histori (asnjiherë nji Papë nuk kishte vue kamben në tokën shqiptare). Ceremonia fetare u zhvillue normalisht, u shuguruen prej Papës katër Ipeshkvi të ri Shqiptar, atmosfera ishte e veçantë, muzika – sublime; këndojshin së bashku korista prej Prishtinës, Tiranës dhe Shkodrës nën drejtimin e mjeshtrit Gjon Kapedani.
Mbasi mbaroi mesha, Papa Gjon Pali i dytë doli në balkonin e ndërtesës së Arqipeshkvisë, në mes të katër Ipeshkve të porsa emnuem, dhe përshndeti popullim e Shkodrës. Mbas fjalimit, Papa dhe të tjerët rreth tij, u futën mbrendë në Arqipeshkvi ku hangrën drekë së bashku dhe simbas atyne që kam ndigjue, Papa pat qenë shtri me pushue. Ajo që duhet kujtue asht episodi i fjalimit të Papës për të dytën herë në balkonin e ndërtesës së Argjipeshkvisë; mbas pushimit Papa rastësisht kishte pa prej dritares sheshin përpara Argjipeshkvisë dhe ishte çuditë se ende ishte plot e përplot me popull. Natyrshëm kishte pyetë: pse qëndojnë te gjithë këto njerëz në shesh dhe mbasi kishte marrë përgjigjen se populli nuk largohet pa përshndetjen përfundimtare, ishte emocionue prej dashunisë që kishte kuptue prej popullit dhe kishte dalë për te dytën herë në balkon për me falenderue popullin e Shkodrës jashtë programit dhe protokollit , ngjarje që dëshmon kënaqësinë dhe emocionin e Papës për mikëpritjen në Shkodër.
Koordinatori i programit më komunikoi se shkuemjen në Tiranë, Papa do ta bante me elikopter që ishte në pritje te fusha e divizionit dhe se përfaqësuesit e institucioneve të Shkodrës ishin të rekomanduem për me qenë prezent në oren 15.30 në vendin e nisjes për me i dhanë lamtumirën Papës.
Në orën e caktueme dhe në vendin e caktuem, rreth 15 persona, ishim të rreshtuem për përshndetjen e largimit të Papa Gjon palit II. Kur erdhi vetura papale dhe Papa u ul prej saj, ktheu kryet kah na, na përshndeti të gjthëve me dorë dhe më thirri: ” Sindaco venga qua”, unë shkova me hap te shpejtë, i putha dorën dhe Papa vazhdoi: ” Sindaco, ti ringrazio per la calorosa accoglienza ” – ” Santitá, La ringrazio con cuore” ishte përgjigja e ime. Sodisfaksioni që pata në ato momente mbetet i paharruem, ky ishte dhe mbeti ” Fletë lavdërimi ” ma emocionues i të tanë jetës time!
( Shkrimi asht pjesë e librit tim ” Dromca kujtimesh” që së shpejti del në qarkullim)
FG
Shenim: Bashkangjitun këtij shkrimi po paraqes edhe nji video te shkurtë me foto që kam muejt me mbledhë prej internetit, pra nuk janë fotot e mia. Nëqoftëse dikush shqetësohet qe ia kam paraqitë ne video fotot pa i marrë leje, i kërkoj të falun dhe i premtoj se sapo të marr sinjalizim për shqetësimin e tij, menjiherë do ti eleminoj fotot. Faleminderit për mirëkuptimin.