UNË DHE 95% E SHQIPTARËVE NË TË NJËJTAT KUSHTE “DO SPIUNONIN” SI KOLIQI E CAMAJ !

0

Nga: Prëlë Milani
Koliqi dhe Camaj ndonëse heretik na lanë trashëgim një bigë monumentale letrare që ndriçon këtë vend të terrtisur prej njerëzve sherrxhinj e shpirtvegjël. Akoma pa u kërkuar falje për syrgjynosjën e përbaltjën ideologjike. Akoma të pavlerësuar për punën e tyre kolosale në dobi të botimeve letrare dhe albanologjike. Akoma të paragjykuar dhe te padëshiruar në tokën e tyre një shigjetë rrufeje në qiellin pa re u dogji këmishën e shtatit “dragonjve” gegë duke i çveshur lakuriq në sy të të gjithëve. Tare është në korsinë e tij gazetareske jashtëzakonisht i zoti për kapjën dhe drejtimin e disa agjensive dhe fondacioneve bereqetplote që s’merret vesh se çfarë pjellin: Një “rilindas” i dhjamosur, anglishtfolës shumë i mire, që nuk dihet se nga hyn e ku del. Një publicist grenxë pa kurrfarë talenti letrar, shpesh herë i gjendur në qendër të vëmendjes se debateve të nxehta pse jo edhe sfidant në sajë të koleksioneve dokumentare të vjela prej arkivimeve te huaja që ne akoma merrën si llokum me arra. Do të plakej e vdiste Tarja ndër vegime dhe zor se do arrinte një analizë të plotë te veprave letrare akoma te pa lexuara të korifenjve Koliqi-Camaj. Me disa faqe (fotokopje) nga burimet e “shenjta” të CIA-s tashme të deklasifikuara Tare me një të shtënë pushtoi të gjitha mediumet e rrjetet sociale Me këtë “studim” policor aspak letrar ka bombarduar kryq e tërthorë me pyetje sugjestive. Tare hodhi “bombën”mediatike duke zbuluar Koliqin e Camajn si poliagjent të shërbimeve të huaja që komplotuan kundër Shqipërisë së Enver Hoxhës. Natyrisht kur merr rriskun të eksplorosh në pjesët e pazbuluara e ndër gëmusha do gjesh edhe mbetje lëndësh plasëse, edhe leshra të lara e të pa lara.
1-Tare shigjetari për herë të parë publikon deklaratën e bashkëpunimit të Camajt me Sigurimin e shtetit shqiptarë qe mban datën .10.05.1948, ndërkohë që ai ishte arrestuar pesë ditë më parë.
-Nuk vihet në dyshim që nënshkrimi ishte kundër vullnetit të tij. Nuk vihet në dyshim se Camaj nuk e donte atë regjim. Fakti flet vetë se kishte punuar kundër tij, prandaj për të shpëtuar kokën zgjodhi të keqën më të vogël që paska qenë një dramë e madhe e paditur qe e ka ndjekur nga pas si hije e zeze në të gjallë e në të vdekur.
2- Zoti Tare po të drejtohem duke te barazuar me vetën time:
– Po të kishim qënë në vend të djaloshit Camaj, të mihur në hu, të kërcënuar për jetë ose me burg të rendë, mos vallë do flijoheshim si martirë apo do të nënshkruanim?!
3- Zbiriluesi Tare them se gabove kur e quajte paburrëri ose dobësi karakteri kur deklarove: Camaj spiunoi profesorët e tij Pader Fausti, Pader Dajani, Pader Roza. Ata janë arrestuar me 31 janar të vitit 1946, dënuar më 22 shkurt, dhe ekzekutuar me 2 mars 1946, kurse Camaj dëshmoi për ta me 1948 mbasi ata ishin kalbur. Mos vallë kaq naiv duhej të tregohej Camaj sa ta hante për të vdekurit, ndërkohë që nuk ka shpifur ndaj tyre veç ka përsëritë atë që ata kanë deklaruar se ishin të betuar për përmbysjën e regjimit komunist.
3-Edhe sikur Camaj të qëndronte në Shqipëri dhe në Dosjen e tij të informatave nuk do kishte asnjë informacion veç me një deklaratë të tillë nuk mund të quhej bashkëpunëtor i sigurimit pasi ajo dosje do arshivohej si e pavlefshme dhe agjenti do skualifikohej si i papërshtatshëm .Arratisja e Camajt rrezon përfundimisht dëshirën e tij për të bashkëpunuar me sigurimin e shtetit dhe dëshirën e çdo kujt për ta quajtur si të tillë.
4-Zoti Tare keni të drejtë kur pohoni se Zbulimi Sekret Shqiptar, në atë kohë, kishte ndërtuar një platformë sekrete për hedhjën me mision jashtë kufijve të Shqipërisë të informatorëve të saj, pasi u përgatiste kjo procedurë e njohur si “Ilegalët”, të cilët në kontekstin e kohës ishte përdorur gjerësisht nga NKVD (KGB) sovjetike në Europën Perëndimore, ishte përshtatur edhe nga Sigurimi në operacione kundër Jugosllavisë dhe më gjerë
Kur publikon një studim kaq të nxehtë dhe delikat nuk mund të flitet me supozime
-Camaj ishte “Ilegal” ku është burimi, dosja që e vërteton këtë? Ju nga fillimi deri në fund i referoheni burimeve bruto kofideciale të Cia-s një pjese të pakonfirmuara, të mbledhura në rrugë operative nga agjentet e saj.
5-Ju Zoti Tare bini në kontraditë me vetvetën dhe na futni në një qerthull nëse kemi të bëjmë me agjentin “Ilegal ”shqiptar Camaj apo agjentin e dyfishtë dhe të UDB-s. I referoheni Cias që thotë: Camaj ishte anëtar në “Komitetin e Prizrenit” (në ekzekutiv) . Shkollimi, karriera në universitet, puna në Radio “Beogradi” madje dhe martesa me bukuroshën Nina Bogdanoviç ishte dhuratë e UDB-s. Me përçmim të kamufluar shtroni pyetjën: Si ka mundësi që një mësues nga malet te arrijë aq lart? Ju harroni se Camaj ishte një qenie inteligjente me dhunti fenomenale , një star alpin me bukuri madhështore që labirinteve të shkencës dhe udhëve të bardha letrare ishte i gjithë pushtetshëm. Silleni e pështilleni në tymin e supozimeve dhe në fund detyroheni ta pranoni se nuk e dispononi Dosjen e tij personale si agjent UDB-s. Ju i referoheni një burimi të një shërbimi tjetër dhe nuk dispononi dokumentin e origjinës.
Ky “Kim Filbi” ynë akademik i niveleve të larta çfarë veprimtarie konkrete spiunazhi, ka kryer ? Rekrutim, vjedhje e informacioneve të klasifikuara, diversion ideologjik, nxitje e akte terroriste, përgatitje për agresion të armatosur, apo survejim të shqiptarve të UDB së?
Për deri sa nuk keni asnjë provë të tillë atëherë pse gjithë ky nxitim dhe “sihariq” për diçka të pa konfirmuar. Po sikur ky dokument të mos ekzistojë ku do i çoni gjithë këto tonelata neverie që mbolle në hapësirën mediale shqiptare, për dy shpirtra të fikur në dhe të huaj? Nderkohë Martin Camaj në pamundësi të prehej në Shqipëri la amanet që gurin e varrit t’ja merrnin nga vendlindja. Ndërsa në tokën e tij edhe për së vdekuri vazhdon diskriminimi poshtërues. Zoti Tare sa te përgojosh burimin e financimi i të botimeve elitare të “Shejzave” dhe studimet e qendrës Albanoligjike të Mynuhut ku evropianet e letrave mësuan të flasin shqip, a mos do ishte me udhës të shpjegoni sa para janë investuar per parku Parkun Kombëtar te Butrintit dhe ku kanë shkuar ato ?
6- Zoti Tare po të drejtohem përsëri pa të dalluar nga vetja
Po të ishim në të njëjtat pozita si Camaj mos vallë do ishim aq burra të çmendur sa pas një aventure të mundimshme të ktheheshim në ferrin që kishim lënë pas, apo të hidhnim një firmë?! 95% e të arratisurve politik që kështu kanë qënë të dënuar nënshkruanin . Kështu do kishim vepruar unë edhe ju, madje edhe mbi 95% e shqiptarëve që sot rrahin gjoksin e shfryjnë duke thënë: Jazek për Koliqin dhe Camajn. Po hyre në një udhë të tillë dramatike nuk kishte kthim prapa. Kthimi do thoshte tragjedi. Është fakt se regjimi i Titos është treguar “bujarë” në afrimin dhe stimulimin e elitave shqiptare. Pa përmendur emra konkret kemi me dhjetra e dhjetra akademik , profesorë dhe letrarë kosovarë që shkëlqyen dhe kanë ndjekur të njëjtën udhë si Camaj. Tamam siç thoni ju në diasporën shqiptare vepronin në atë kohë tri organizata kryesore antikomuniste, të cilat kishin mision rrëzimin e Enver Hoxhes
– Komiteti “Shqipëria e Lirë”, themeluar nga shërbimi inteligjent anglo-amerikan;
– Blloku Indipendent Kombëtar, i themeluar nga zbulimi inteligjent italian;
– Komiteti i Prizrenit, i themeluar nga UDB-ja. Nëse Hoxhën do ta përmbystë Cia –ja do ishte mirësi fatlume, nderë dhe akt i lartë devocioni demokratik, por nëse e përmbyste UDB-ja ishte mënxyrë . Koliqi është ndoshta i vetmi autor shqiptar që e kam nënvizuar pothuaj në çdo faqe dhe i kthehem herë pas here pasi më magjeps me stilin e tij superior. Ndonëse e dua shumë si autor kurrë nuk do zgjidhja rrugën e tij politike disfatiste gjatë okupacionit. Jashtë atdheut të uzurpuar nga armiqtë e tij që kërkonin t’i hanin kokën, çdo bashkëpunim i tij kundër regjimit të Enver Hoxhës është i pakontestueshëm:- Dy duar për një kokë! Lufta dhëmb për dhëmb!
Koliqi e Camaj si personalitet kompleks kanë dritë hijet e veta si çdo frymorë i rangut të tyre, ndërsa letërsia që prodhuan është vetëm vegim drite. Gërmuesit Tare do t’i surgjeroja t’ ja fillonte gërmimeve me rrënjë e me themel, pa dallim, turkoman , grekoman italianofil, sllavofil, frankofil, amerikanofil etj.! Edhe dhjetë jetë po te kishe o Tare nuk do ja dilje dot, mbasi është më lehtë të gjesh një qime të bardhë në shpinë të galanit se shqiptarë të elitave që nuk ka marrë subvencione nga të huajt. Germo Tare ndër ambasada, fondacione. shoqata, ku rrëfehen e lutën politikanët tanë kukulla para padronëve te huaj ! Germo,Tare gërmo he të lumtë dora por mos e harro Tarën !

Image may contain: 3 people, suit

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.