Nga Gladiola Jorbus
E shtrirë…
në fushën e pafundme të vjeshtës,
mbështjellë me rreze të praruara,
shfletova Jorge Luis Borges.
Nuk desha të kryeja mëkatet më të këqija –
siç shprehej ai – që një njeri mund të kryejë.
A mund të mos e lësh shpirtin tënd, të marrë frymë?!
U ngrita… vrapova krahëhapur.
Symbyllur, kërkoja qiellin e lumturisë.
Desha të jem e lumtur dhe të përmbushja dejet
me çaste të rralla e të plota.
Toka, uji, ajri, zjarri…
gjithçka i shëmbëllen një lojë të vjetër
që njerëzimi e ka mësuar përmendësh.
Të gjitha gërshetohen në Një.
Ato e bëjnë jetën.
Ndaj i qëndroj sa më larg,
akullnajës së ndërgjegjes që bren si një krimb i papërfillshëm,
por që lisin rrëzon.
Vullneti im, mendja ime, zemra ime
më frymëzojnë të jem e lumtur. Në çdo stinë, në çdo moshë,
në çdo hapësirë a dimension kozmik.
Mjerani s’është veçse hija e vetvetes.
alter ego e trishtimit.
Dua thjesht të jetoj …po më pas?!
Eh, më pas dua të vdes
nën pemën e pastër
së dashurisë së përjetshme.