Nga:Marash Gilaj
Kaluan disa ditë nga dita kur shqipëtarët votuan , por nuk zgjodhën të lirë ata që donin t’i përfaqësonin në parlamentin e ardhshëm. Po pse kështu? Kjo nuk qe risi. Ajo kishte ndodhur edhe në votime të tjera parlamentare dhe lokale. Më 2013, Manifesti rilindas bënte thirrje për bashkim fëlliqsirash, që nënkuptonte edhe bandat me qellim që fitorja të ishte e sigurtë. Edhe pse atëherë pati një program, në 2017 dhe 2021 apo 2019, nuk pati më nevojë për programe, nuk pati nevojë për analizë bilanci, bile as për premtime, sepse për vota kujdeseshin e kujdesen “çunat problematikë”. Është hera e tretë që rilindja “fiton” edhe pse kemi parë vetëm skandale, dështime, shkatërrim të shtetit, mosnjohje dhe moszbatim të ligjeve, duke ngjarë me një ushtri gangsterësh. Kjo ndodhi, edhe pse politikat e ndjekura shpopulluan këtë vend, e bënë më të varfër, e mbajtën larg Evropës gjatë 8 viteve të shkuara dëm. Kjo qeveri bëri ligje kundër fjalës së lirë (antishpifje) si neni 55 i kohës së Enverit, themeloi monizmin në parlament dhe në çdo bashki të vendit, na la pa gjykata kryesore, bëri vetingun pa asnjë rezultat dhe sot, me të drejtë, mund të pyesim:” Ku e ka varrin drejtësia?” Këtë e themi me plot gojën, po të kemi parasysh “ peshqit e mëdhenj”, që nuk i kap rrjeta, dosjet 184 dhe 339, ku janë të përfshirë pushtetarët më lartë të vendit. Ka edhe mjaft denoncime të tjera, të cilat nuk gjykohen, marrin pafajsi ose fajtorë quhen viktimat. I vetmi institucion i pakapur ka mbetur Presidenca dhe presidenti, ndaj edhe ky duhet hequr qafe. Venecia dhe të tjerë e kanë gjykuar si të pafajshëm , por, sidoqoftë, ky na prish punë mendojnë “rilindasit e mëdhenj” që duan partinë – shtet.Po pse PD-ja i humbi këto lloj zgjedhjesh( votimesh) të “mirëorganizuara” nga “makina elektorale” e Ramës, siç ka dëshirë ta quaj ai me krenari? Është makina që prodhon vota me shumicë, aq sa i duhen rilindjes. Po si u arrit kjo? Duke përdorur administratën shtetërore, bandat, makinat pa targa, paratë e pista, kartat e identitetit të mbledhura kohë më parë nga patronazhistët e famshëm, që, pa ua ngrënë meritat, mund t’i quajmë spiunë. Pati legalizime në këmbim vote, duke nxjerrë 83000 vota të pavlefshme me stilolaps në dorë nga numruesit rilindas, të cilat barazohen me 8 mandate deputeti. Qellimisht u ndaluan emigrantët që mund të vinin nga Greqia dhe Italia, sepse ata mund të votonin opozitën. Votimet u përgjakën, u shitën e u blenë me nga 50-500 euro kokrra. U gjetën më shumë fletë votimi se votues, fletë të pavlefshme në kuti, në favor të PS-së. Pati punësime para zgjedhjeve nga qeveria dhe OSHEE-ja. Njëra punësoi 9000 dhe tjetra 13000 punonjës të përkohshëm. Më 24 Prill u nda naftë falas për fermerët me nga 30-300 litër secili për të siguruar vota. U panë makina duke shpërndarë ushqime, medemek , për Ramazan tek myslimanët. Mediat ishin dhe mbeten të blera nga shteti. Pushteti lokal monist ishte në favor të pozitës. Partitë e krijuara vonë dhe të inicuara nga “rilindasi i madh”, edhe pse nuk fituan asnjë deputet, i hoqën shumë vota PD-së. “ Vota që shkon atje , ku nuk duhet, vret të ardhmen”, thoshte A. Linkoln. Pra, votuam, por nuk zgjodhëm. Shteti përdori gjithçka të paligjshme që të korrte “fitoren.” Rezultati dihet. Ankesat janë bërë, por drejtësia e kapur, zor se do të japë drejtësi. Këto votime duhen gjykuar të pavlefshme, të paligjshme dhe duhet të përsëriten. I këtij mendimi është edhe z.Martin Henzë, eksponent i lartë i CDU-së në Gjermani. Të thuash se këto lloj zgjedhjesh ( votimesh) duhet të pranohen për hir të stabilitetit, është si të thuash mirë jeni në diktaturë, si skllevër të shitur e të blerë. Kam parasysh edhe dy opsionet që na u rekomanduan nga njëra nga ambasadoret më të rëndësishme në vendin tonë, siç është Yuri Kim: “ Votoni ndryshimin ose kriminelët.” Më qartë se kaq nuk thuhet. Shqipëtarët zgjodhën këta të fundit, nga frika ,fukaradheku dhe masakra zgjellore. Le të mbahet një herë, një qëndrim i drejtë nga nderkombëtarët, që heshtën për votimet moniste lokale, për parlamentin monist me 122 deputet, për hashashizimin e vendit, për shembjen e teatrit, për dosjet 184 dhe 339, që nuk u gjykuan kurrë me seriozitet, ku çalonim që nuk u hapën negociatat me BE-në e shumë probleme të tjera jetike për të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë. Mos na zhgënjeni. Populli pret më shumë nga ju. “Po fale një shtypës, ke shtypur një botë”, thoshte Saadi.