Megjithëse nuk kishte shumë kohë, që ishim takuar, në shoqërinë dhe të kolegëve tjerë, siç shprehen shpesh here, disa veta, “na kishte marrë malli” për t’u parë sërish. Kolegu e miku im i kahershëm, studiuesi e botuesi, Prof.Hektor Veshi-anëtar i kryesisë së Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë-jeton në një lagje tjetër, pra “Ali Demi”. Sot në mengjes, ai mori udhën dhe erdhi afër banesës sime, në lokalin “Galaxy”, në fillimin e Bulevardit të Ri të kryeqytetit.
Siç është e kuptueshme, meqenëse ishim vetëm ne të dy, bisedën e bëmë të këndshme. Sigurisht, folem për familjet tona dhe kujtuam kohën e punës sonë, unë në shtypin arsimor e ai në ish-Institutin e Studimeve Pedagogjike. Bile, njëkohësisht, punuam edhe për të marrë gradën “Doktor i shkencave” dhe, me pas, titullin shkencor.
Por, megjithëse në pension, ne i vazhduam lidhjet e takimet tona miqësore edhe duke qenë në kryesinë e Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë e duke marrë pjesë, si pjesëmarrës e organizatorë, në veprimtaritë që bënim, sidomos me raste festash.
Pa u zgjatur, shënoj këtu se Hektori është marrë jo vetëm me botime studimore, por edhe letrare. Ishte befasi e këndshme për mua, kur ai sot me dhuroi një kopje të librit të tij me tregime dhe me nënshkrim dashamirës, “Legjenda e dashurisë së përjetshme“ (Tiranë, 2018). Libri përmban 215 faqe dhe në të janë, gjithësej, 25 tregime. Autori ka bërë vetë një Hyrje të shkurtër.
Jam i ndërgjegshëm se, ky botim i ri i Prof.Hektor Veshit, meriton një recension të plotë. Mirëpo, kësaj here, po mjaftohem me këtë shënim dashamirës e falënderues për atë, si dhe me publikimin e kapakëve të librit në fjalë.
Në mbyllje, Prof.Dr. Hektor Veshit i urojmë nga zemra: Shëndet të plotë e mbarësi, krijimtari të frytshme dhe gëzime e lumturi, vetjake e familjare!
Nga: Murat Gecaj