
Këto ditë ka ndërruar jetë poeti Tonin Kaçaj. Ai i përket racës së poetëve të lindur. La pas familjen. Gjithashtu la këta libra: Mbi varre fryn erë, poezi, 1996, Thyerje kristali, tregime, 2002, Përtej germës, poezi, 2004, Tingulli i heshtjes, roman2006. Di që ka lënë edhe dorëshkrime. Kur kam jetuar në Koplik, kemi ndenjë shumë bashkë. Ajo që na ka bashkuar, ka qenë letërsia. Përveçse i talentuar, ai ishte edhe shumë fisnik.
Unë, një ditë diku nga mesi i muajit prill, kam hapur sytë dhe e kam parë veten në një shtrat spitali. Kuptova se kisha shumë ditë aty, i mbërthyer në tuba. Isha krejt i drobitur, në lëkundje mes jetës dhe vdekjes. Ime bijë, mjeke që ish te kryet tim, më ka vënë re dhe më ka pyetur: Bab, sa e ke pinin e celularit? Unë jam menduar pak dhe ia kam thanë. Ajo e ka provuar dhe celulari është hapur, Atëherë ka kuptuar se mendja më kishte shpëtuar.
Dhe ndërsa unë po përpiqesha për t’iu larguar grykës së atij honi, vjen lajmi i hidhur se Tonini ka vdekur. Qe një lajm i hidhur për mua, por them edhe për të gjithë ata që e kanë njohur ashtu siç them edhe se për të gjithë ata, fakti që e kanë njohur këtë njeri të rrallë, ka qenë një gjë e çmuar në jetën e tyre. Si të gjithë poetët e vërtetë, ai nuk qe shumë i orientuar pas llogarive të jetës, por letësia i banonte në shpirt.
U prehtë në paqe!
Këtu është ana e pasme e kopertinës së librit “Pertej germës”