Vangjush Saro
Herën e fundit që gjendesha në Tiranë, takova lexues, miq e kolegë dhe pata nderin të flisja e prezantoja librat e mi në disa TV, gazeta. Por u puqa për pak edhe me një shkrimtar të “madh”. (Ky zotëria, në fillimet e veta, aty nga viti 2000, rrinte pranë nesh, një grup krijuesish pak a shumë të njohur; dëgjonte, fliste shumë rrallë. Pas njëfarë kohe, kur kishte botuar tanimë ca libra, ndryshoi miku. Sapo ti filloje të thoshe ndonjë gjë, ai të ndërpriste: “Dëgjo, mor ti, dëgjo! Po këtu, mo, këtu; dëgjomë mua!” Ose: “Po prit mo, prit, ja ta them unë!”)
Mua nuk më vete mbarë me shkrimtarët e “mëdhenj”. Se ç’janë ca kështu, burra e gra vanitozë, që orë e çast i rrinë publikut përballë me selfie pa fund, me deklarata të bujshme, me pretendime ekstreme se… pa le ç’kanë qullosur e, duke bërë poza gjithë kohës, a thua qiellin kanë kapur… Nuk që nuk më shkon me këta! Nuk e di pse. Mbase ngaqë unë jam një njeri modest, kurse ata janë kolosë, janë hijerëndë, madje edhe stilin e të shkruarit e kanë të rëndë… E kështu, prit se po dëgjoja ndonjë fjalë të rëndë, ehë. Por shikoja që bënte çmos të dukej i menduar, i thelluar, i trazuar… Qëronte ndonjëherë gërmazin: Eeeh! Dhe picëronte sytë. Pastaj, luante dorën, si të ish në skenë; përpëliste qerpikët. Dhe sytë i mbante në qiell, a thua atje lart dikush priste fjalën e tij, pa le ç’do të kishim, shi a diell…
Epo, ndenja pak me të; për hir të miqësisë dhe profesionit. E pyeta për një koleg; ngriti supet. “Guxova” e fola për Shoqatën; mblodhi buzët. E solla fjalën te Panairi i Librit; u thartua. M’u duk e udhës të vazhdoja bisedën me botimet në gjuhë të huaja; më vështroi sikur të kisha dalë nga shtëpia me bizhama… Dhe kur ra fjala për publikimet në rrjet, e zuri zegli… Më kot u përpoqa të mbroja jetën dhe krijimtarinë virtuale, krahas asaj në letër. Ai seç mërmëriti, hungëriu më mirë, që shkrimtarët e mëdhenj nuk… që ata s’… që, jo mo, jo…
Shkrimtari i “madh” është një qenie e çuditshme: Kur e lënë shokët, ngase e mban hundën përpjetë, ai e quan veten të përveçëm; kur nuk ka vend për të në ndonjë shoqatë a organizëm, ai shfryn; kur nuk merr pjesë në një Panair Libri, përpiqet ta denigrojë atë; nëse për vete s’ka asgjë në gjuhë të huaj, e kalon temën me një ngërdheshje dosido; kur nuk i shiten (dhe nuk i shiten) librat, mallkon lexuesit; kur s’ia varin torbën në rrjete, i shan ato…
-Do ta mbyll, – e ngriti zërin dikur.
-Krijimtarinë? – e pyeta unë; (për Zotin, pa kurrfarë hileje).
-Jo jo, – tha ai zymtë – llogarinë në Fb…
Kush i kishte kërkuar “llogari”?! Është punë e tij, është kriza e tij, jo e të tjerëve, as e rrjeteve.
Shiko, madhështia të lodh… Oh që nuk qesh dot, se më vjen keq.
Vankuver, Qershor 2021