Nga: Bledar Tafaj
Si një copë akulli shkrihem këtë verë.
Ndoshta do ngrij sërisht në dimër!
Gabova një herë apo njëqind herë?!
Fajtor e gjykates…i vehtes sime.
Si një lule jam ngjitur pas tokës sime.
Ndoshta do thahem në vjeshtën e vonë.
S’dua lëvdata as sharje pas shpine!
Sidomos nga ata qe s’ndjejnë as aromë.
Si një re do iki ngadalë drejt lindjes.
Me valixhen e vjetër rënduar nga shiu!
Syve dy lotë malli e qindra të dhimbjes.
Mallkuar e bekuar kjo tokë që mi fshiu…
Si diell do u vështroj andej nga perëndimi,
Do shtrij duar e shpirt gjithmonë në përqafim.
Sa e vështirë ndarja por më i vështirë kthimi.
Lamtumirë për tani… E Mirupafshim në Agim!