Pregaditi: Anton Pllumaj
Me datën 17.01.2021. zhvilluam nji shtegëtimë hulumtues njiditorë në Kojë të Malësisë së Madhe. Në aspekt administrativ Koja i takon territorit të Komunës së Tuzit. Në aspekt gjeografik Koja graviton në drejtim të Kuçit. Aspekti i varshmërisë së gravitimit gjeografik është i lidhur me rrelievin e papërshtatshëm i cili e rrethon Kojën, duke e ndarë atë nga trevat tjera të Malësisë së Madhe. Qendra e Kojës gjendet në koordinatat gjeografike: ϕ 42⁰ 27ʼ 38″ N ( të gjerësis gjeografike veriore ) dhe λ 19⁰ 24ʼ 10″ E ( gjatësia gjeografike lindore ), me lartësi rreth 700 m mbi nivelin e detit. Nga ana verilindore, veriore, veriperëndimore dhe perëndimore, Koja kufizohet me hapësirën gjeografike të Kuçit, gjegjësisht me vendbanimet kuçase: Berova, Rahoja, Bezjova, Ublat, Lijeshta, Duçiqi, Meduni, etj ( të banuara me popullatë shqiptare të sllavizuar, sllavofone ). Nga drejtimi i lindjes Koja kufizohet me Trieshin ( me popullatë shqiptare ). Në jugperëndim të Kojës gjenden Fundnat dhe Luhari (me popullat shqiptare të sllavizuar dhe me popullat shqiptare).
Koja është një termin gjeografik që përfshinë një hapësirë kodrinore malore që zë pozitë në pjesën veriore të Malësisë. Në aspektin gjeomorfologjik Koja është shumë e diferencuar, nëse bëjmë analizë të hartës topografike, fitojmë përshtypje se Koja është një rrafshlartë me lartësi mbi nivelin e detit mes 680 dhe 1000 metra. Pjesët më të ulëta janë lugjet dhe hurdhat karstike të shumëta, të cilat shtrihen në krejt territorin e Kojës. Terreni është shumë i papërshtatshëm dhe vështirë i kalueshëm. Sikurë edhe gjetiu në zonat malore të Malësisë, toka e bukës është shumë simbolike. Dikurë çdo pëllëmbë tokë punohej, nga e cila nxirrej ushqimi për popullësinë e shumënumërt. Sot të rralla janë sipërfaqet e punuara, numri i popullsisë kë rënë dhe është në rënie e sipër.
Unë – Antoni, Tomë Ivezaj dhe Bert Berishaj në Tuz pijm kafen e mengjesit në kafe-bar ‘’Fratelli’’, dhe u nisëm rreth 10:00h në drejtim të Kojës. Në Kojë mbërritëm me makinë rreth 10:30h, ku na mikpritën vëllezërit Mark dhe Gjon Ivanaj. Disa qindra metra më tej na mikpriti Nika i Vatit Lucaj, me të cilin kishim kontaktua disa kohë më parë, i cili na kishte treguar për disa vende që janë me randësi për tu vizituar dhe hulumtuar. Grupi i përbam prej gjashtë vetësh u drejtua drejt lokalitetit Sukat ku ndodhen disa murishta dhe ledhije të vjetra. Në ketë vend enigmatik Nika na çoi përmes disa shkamijeve dhe pyjeve thuajse të harruar nga gjithkushi por i vetmi që e dinte at vend të mësheftë ishte Nika që ja kishte pas treguar baba i tij shumë vite më parë. Ishte fjala për nji vend strehimi, ku disa krerë të Kojës ishin strehuar gjatë luftërave. Nuk ishte shpellë por nji objekt i punuar nga vendasit, të tipit bunker, i ndertuar me gurë të gdhëndun nën sipërfaqen e tokës. Nuk kisha par kurr diçka të tillë… u mrrekullova nga mjeshtëria e malësorëve, e këtyre arkitektave mesjetarë!
Nika na drejtoi për tek nji lokalitet tjetër enigmatik i quajtun ‘’Gropa e Bakve’’, në të cilin vend para më se 50 vitesh, udhërrëfyesi ynë i sotshem Nika me nji shok të tij zbuluan nji vorrë shumë të vjetër, në të cilën para disa vitesh u zhvilluan gërmime arkeologjike inicuar nga Fran Gjeloshaj, në të cilën arkeologët zbuluan dy vorre mesjetare, njara prej të cilave si duket i ka takuar të parit të Kojës, i quajtur Vojvoda, Amat Baka, jetuar në shek. XIV-XV. Të cilit më von edhe ja rindërtuan vorrin kështu duke respektuar vorret e të parëve, ose më mire të them vorrin e më të vjetrit Fis në Kojë, atë, të Bakëve! Për më shumë mbi vorrin e Amat Bakës mund të lexoni në veprën ‘’Koja në rrjedhë të kohëve’’ me autor Fran Gjeloshaj.
Pas nji gjysëm ore hulumtimi, fotografimi dhe filmimi, në ketë objektë enigmatik, Nika si një njohës i mire i trevës së Kojës po na drejton drejtë nji lokaliteti tjetër me emrin Vrba, vendlindja e bajraktarëve të Kojës, vëllazërisë Ulaj. Lokaliteti ndodhet rranxë malit Krijesnik… a thua ky emërtim asht ngrij në kohë dhe na vjen nga lashtësia ilire, e që sot në formën e re do ti thonim Kreshnik?! Kësaj pyetje nuk mund ti jap pergjigje ketë here, meqë me këto emërtime duhet të merren specialistat e fushës së etimologjisë! Për etimologjinë e Kojës dhe toponimin përreth, do të flasim njiherë tjetër, por edhe mund të lexoni më shumë në revistën ‘’Zani i Shna Ndout’’ dhe në ‘’Monografinë e Argjipeshkvisë së Tivarit’’!
Lam pas lokalitetin Vrba dhe malin Krijesnik dhe vazhduam drejtë megjës apo kufirit të territorit të Komunës së Tuzit me komunën e Podgoricës, gjegjësisht me katundin e Kuçit, Duça (forma e sllavizueme Duçiqi), e që në lashtësi ky vend ishte i banuar me fisin iliro-arbnor Duka. Përmbi rrugë mbi një kodër të vogël, tek guri i megjës ose kufinit ndodhej nji objekt speleologjik me randësi për studiues, mu dukt dote të na thoshte se këtu asht kufiri i popullatës shqipfolëse me atë sërbishtfolëse! Objekti ka hyrje nga ana lindore, dhe shumë e mëshehur nga syni i kalimtarit, ka nji hyrje me lartësi 4 metra dhe gjerësi rreth 3 metra, në formë ovale. Madhësia e objektit perbrenda asht 10×10, me lartësi 12m, me nji dhomë të vogël e ndame përmes nji koridori. Në objektë perbrenda shihen format shpellore nga më të ndryshmet, si: stalaktite, stalakmite, draperi, perde, etj. Por edhe mbishkrime që i ka mbulua kalcium karbonati që rridhte nepër muret e shpellës në formë të ujit. Aty shihen edhe gjurmë të tymit dhe të hirit që kanë mbet si dëshmi e banorëve të vjetër që dikur kanë jetuar aty, por edhe të arratisurëve nga luftat e ndryshme! A thua jemi në nji objekt prehistorik… ilir?! As kësaj pyetje nuk mund ti jap përgjigje me që arkeologët aty nuk kanë vu dorë asnjëherë!
Shkruante At’ Bernardin Palaj para nji shekulli: ‘’Merrnju me deduktjone t’mia deri t’kapeni vetë te nji konviktion, at-herë m’lëni mue m’anesh, e hinja-ni vetë punës me gjoks; rrugën jau kam çilë, mjetet jam mundue me jau baa saa ma t’perdorëshme qi kam mujt: ky asht sherbimi i em.’’
Derisa unë intervistoja me videokamer Nikën, që më tregonte për historinat e kësaj shpelle… Toma i ndihmonte me drita dhe prozhektor që tu ndriçonte hapësirën Gjonit e Markut që ishin duke u marrë me matjen e shpellës… dhe Berti vazhdonte fotografiminë e shpellës me fotoaparat profesjonal.
Pas 1h e gjysëm hulumtim të shpellës, grupi u drejtua drejtë nji lokaliteti tjetër me emër interesant, të quajtur Bregu i Smrrdutit, në të cilin gjindet grop me nji livadh dhe me nji trakt muri me gur të mëdhej në anë të veriut, në lindje të të cilave ndodhet Shpella e Smrrdutit, në të cilën kojasit janë strehua gjatë luftërave ndër shekuj, e ku gjatë Luftës së II Botërore strehuan dhe i shpetuan jetën nga gjermanët dhe çetnikët, malazezit Bllazho Jovanoviq, i cili më von edhe u ba presidenti i parë i Malit të Zi.
Malësorët këtyre mikpritjeve që ju kanë ba malazezëve, shpesh here edhe u’a kanë pa sherrinë, e jo vetëm atyre… e me ketë rastë po sjelli dëshminë për Bllazhin Jovanoviq që na e ka lane të shkruar Prëkë Gruda, autori i librit ‘’Ditari i nji zemrës së lëndueme 1937-1975’’, e që me pak fjalë tregon se kush ishte Bllazhi Jovanoviq dhe si e shkeli më vonë Besën dhe mikpritjen shqiptare:
‘’Grudë, me 23 maj 1942 – NËN MASKËN KOMUNISTE Tomë Kolçaj nguli kambë me shkue me të në Kopilaj të Piprit në nji mbledhje partizanësh malazez. Edhe mue diçka më nxite me shkue për me pa e me ndie dhe me kuptue çka po ngjet me këto lufta partizane kaq në za në gojë të popullit e aq mjet i fortë propagande në radiostacionet aleate. Udhëtimi qe mjaft larg e shumë i vështirë dhe gjithnji me krye në rrezik nga pusitë e çetnikëve, të cilët i ruejnë me kujdes grykat e shtigjet dhe ende e zotnojnë shumicën e terrenit në Mal të Zi. Situatën kanë nisë me dominue të kuqtë, sepse janë ma të organizuem dhe kanë propaganda të madhe mashtruese për popull të lodhun me premtime të thata nga e kaluemja. Mbledhjen e hapi dhe e kryesoi Dragisha Ivanoviq tue na pershendet me grusht: Vdekje Fashizmit! Çeshtjen tonë e hapi, si pamendim, prof.M.Vujosheviq, kur foli u zgjat hollësisht te çeshtja jonë për shumë punë të programit të komunistëve jugosllavë ndaj Shqipnisë. Që shkurtimisht çfarë u tha: Malsia e Madhe-tha profesor Vujosheviq, asht tue na dhanë ndihma e strehime përditë, sidomos kur na mësyjnë çetnikët me ushtrinë e okupatorit, shumica jonë e shpëtojnë kryet ndër ta dhe kemi me qindra familje malazeze të strehueme në krahina shqiptare. Edhe ekonomikisht jemi të varun nga bujaria e tyne e për te tana këto të mira prej sish, nuk na kërkohet kurrfar konditash, veçse po, ata pyesin e duen me i dijtë si ka me qenë çeshtja e kufijve mbas kësaj lufte: duken të vendosun mos me u ndamë kurrma nga atdheu i tyne shqiptar, gja shumë e drejtë qi pajtohet edhe me luftën tonë nacionalçlirimtare. Atëherë u çue në kambë tue i përdredhë musteqet Bllazho Jovanoviqi, dhe mbasi na këqyri me ata sy gaca sikur të donte të na coptonte të tanëve, ia filloi me folë rrufeshëm pa maskë të kuqe: Partinë komuniste të Shqipnisë e kemi në dorë ne malazezët dhe i kemi atje organizatorët tanë qi e drejtojnë edhe e komandojnë. Edhe në Kosovë, ku jemi tue ndeshë mjaft pëngesa nga nacionalizmi shqiptar, ia kemi dale me i organizue partizanët shqiptarë si jugosllavë dhe ketë gja e kemi garantue me ndihmën e komunistëve të Shqipnisë, për të largue vështirësitë tona atje, në atë Serbi të vjetër. Pra, për çdo gja i kemi vu bazat në Kosovë, qi çdo pike uji të shkojë në mulli të Jugosllavisë së Madhe dhe me siguri do ta zmadhojmë nga të gjitha anët. Për pakicat shqiptare në Mal të Zi nuk kemi bisedue aspak me komunistët e Shqipnisë. I kemi në dorë pa asnji konditë. Ungji Stalin, ndoshta ka me na e lane krejtë Ballkanin në dorë e jo ma Shqipninë qi e kemi qysh tash në grusht. Ma në fund të mos harrojmë e duhet ta dijmë mire të gjithë se sa na janë vra në luftën ballkanike njimbedhetë mijë malazezë në rrethimin e Shkodrës. Çka nuk e perfituen etnit tone atëherë me luftë, jemi tue e fitue ne me mënyrë tjetër. Malet shkëmbore të Malsisë së Madhe as ato të Krajës me Ruminë, nuk na duhen gja sepse male kemi mjaft, dhe aq ma pak na duhen gja banorët trima e të egër të atyne krahinave! Na duhet Liqeni i Shkodrës, qi do të thahet edhe do të bahet Banata e Malit të Zi, hambari i pasun për bukën e popullit tonë; e prej Matagushit e deri në Vrakën e vellezënve tanë malazez kanë me lulzue katundet sllave dhe ajo Shkodër, kaq fort e dëshirueme prej nesh, do të bahet krejtësisht sllave, sikurse janë ba Podgorica e Tivari dhe shumë krahina të tjera të marruna shqiptarëve mbas Kongresit të Berlinit e deri në Luftën Ballkanike’’.
Tiranë, me 28 maj 1942 – KALLXIM PËR NGJARJE TË PIPRIT Ngjarjen e Piprit shkova në Shkodër e ia diftova Mul Bajraktarit. Bashkë me të shkuem në Kuvendin e Fretënve e biseduem me P. Anton Harapin. Mandej, tanë së bashku shkuem te Emzot G. Thaçi. Këta i dhanë punës randësi prandej me Pater Antonin erdha në Tiranë te Ministri i Mbrendshëm, Mark Gjonmarkaj. Na priti shumë mire e bisedueme gjatë, por këtij nuk iu duk gja, aq e papritun, sepse kishte mjaft fakte këso dore mbi qellimet sllave. Në të ndamë. Marku, na porositi me shkue me ia diftue çeshtjen Ministrit të PFSH, Kolë Bibë Mirakaj. Kola i dha rëndësi çeshtjes e mbajti shumë shënime.
Luhar, me 24 maj 1943 – TAKIM ME BLLAZHIN JOVANOVIQ Cal Nika na thirri sot për drekë dhe na priti shumë mire. Nguli kambë me përbetime të rrimë edhe për darkë dhe kështu u ba, por na nuk e dijtem shkakun e ndalesës me gjithë ato lutje. Ma në fund, kah mbramja e morëm vesh se Bllazhi Jovanoviq kishte kërkue e lutej me u takue me Mul Bajraktarin. Takimi u ba në Mal të Kakarriqit. Bllazhi qe i shoqnuem prej Gjokë Mirashoviqit e shumë komisarëve të kuq, kurse Muli kishte, përveç meje, Selman Jukun, Lucë Maxhin, Nikë Zekën, Prëtash Gjokën dhe Cal Nikën me disa vullnetarë të tjerë qi na shoqnuen, por ata ndejtën pak më larg takimit tone me malazezët.
Bllazhi, u ul në gjuj, e puthi token shqiptare, tue i mallkue të parët e tij, qi kanë vu kambë dhunishtë në të! …. Prëmtoi me plotësue kërkesën e bame Gjokës dje edhe dha fjalën se ka me pasë, tash e mbrapa, gjithmon mirëkuptim e harmoni të plotë ndërmjet shqiptarëve e malazezëve. Muli sikur edhe besoi pak, por na të tjerët, qi jemi për ditë me ta e i njohim ma mirë, nuk besuem asnji send. Ky qi betohet kështu, tue u ankue me lotë krokodili, asht i njëjti person i nji viti ma parë në Kopilaj të Piprit, qi nuk u njifte shqiptarëve asnji të drejtë. Kështu i ka pasë të parët dhe kështu e ma të zezë janë shumica e këtyne sot. Kur do të kemi fat kthimin e tyne kah e vërteta njerëzore? Jo me na dashtë e ndihmue sikurse po bajm na tashti për ta, por mos me na shkelë dhunisht ma.
Bllazhi flet kështu tashti, sepse ka me mija partizanë e gjithë ato familje malazeze në votrat tona, të ramë në ndore e në besë të shqiptarëve, kur gjermanët me bullgarë në ndjekje të tyne – si bisha dhentë për shqiptarë, kur të pushojë lufta? N’errësinë të natës u ndamë me Bllazhin, gjoja me përshendetje miqësore. Errësina ka me u përpijë të gjitha premtimet e shokut Bllazho, e uroj me zemër të mbeten në dritë sakrificat tona humanitare që jemi tue ba tash dy vjet per malazez.
Muli porositi Preç Lulin, Zef Prenkën, Selman Jukun, Tomë Nikën, Prëntash Zekën, Prënk Grudën e të kushurinin, Prëntash Gjokën, për me u dalë, sa më parë, gjermanëve përpara në Kuç dhe me sigurue se, kah ana shqiptare, nuk ka partizanë edhe me iu lute qi mos ta djegin Kuçin. Fjalët tona zunë vend ke trimat gjermanë, qi nuk dijnë me rrejtë, si anglezët, dhe na duhen ne shqiptarëve e na besojnë.’’
Tuz, me 7 fruer 1945 – TURP HISTORIK
Kjo javë kje tragjike për krahinën tonë dhe dangë turpit shumë e zezë edhe e pashlyeshme për komunista të Shqipnisë, për çka kanë mërrijtë me pranue me ba kundër popullit e atdheut.
Gjin Marku e kishte përhapë lajmin anekand ndër malet tona, qi të gjithë burrat e Malsisës së Madhe, qysh në Han të Hotit e këndej, të bashkohen në Tuz. Do t’u diftohet nji gja shumë me randësi për ket krahinë shqiptare. Dita e zezë e kësaj mbledhje erdhi. Bashkimi kobzi u ba në fushë, ndërmjet kishës së Tuzit e kazermës së rrënueme t’ish ushtrisë turke. Në tribunë të stolisun me flamuj të kuq e me fotografina të trilluesave dhe të prisave të komunizmit, zunë vend autoritetet civile e ushtarake të Malit të Zi edhe autoritetet ushtarake të Tiranës, të nënshtrueme Beogradit.
Të parët përfaqësojshin, me mend e me dinjitet Jugosllavinë mozaike të shovinistave serbo-malazez, ndërsa të dytët përfaqësojshin vetëm mjekrën e Marksit, me dhunime shnjerzore dhe me krime të pashembulla në histori. Mbledhjen e hapi, si zot shtëpie në shtëpi të huej, Gjeneral Gjokë Mirashoviqi, tue thanë, me fjalët e para, se nuk asht nevoja e perkthimeve të fjalimeve në shqip, mbasi, simbas tij, të gjithë shqiptarët e kësaj anë e kuptojnë krejtësisht mirë serbishten. Kundërshtimet tona, për me i përkthye fjalimet shqip, shkuen kot. Çdo gja për ket bashkim ishte organizue e vu për fije në përshtatje jugosllave dhe krejt kundër interesave jetike të kombit shqiptar. Mbas Gjokës folën edhe Millosh Rashoviqi e Vasi Popoviq. Të tre vulosën me demagogji marksiste mandatin se kjo krahinë shqiptare e Mbishkodrës ishte ba prap pjesë e pandashme e Jugosllavisë.
Tash fjalën e muer Gjeneral Shevqet Peçi. Krejt i shburrnuem, forcoi thaniet e shokëve malazez në dam të kombit të vet. Lajmoi cakun e kufinit dhunues në Han të Hotit edhe i urdhëroi malsorët me ua dorëzue armët, aty për aty, malazezëve!? Mandej u kthye tradhëtari faqezi e iu tha malazezëve:
– Merrni këta derra reakcionarë e bëni tërbjet se Shqipërisë nuk i duhen gjë prej gjëje. Qe dajakun t’i rrihni e litarin t’i varni po qe se nuk ju duan dhe nuk i vijojnë me ju, ndërtimin socialist?
Ndamja prej atdheut, qe shkrepje rrufeje rrenuese për burra të maleve tona kreshnike. Fjalët e Shevqet Peçit, pa kurrfarë majet njerzore, e zemruen shumë popullin. Pjetër Zeku Camaj bërtiti: << T’i coptojmë të gjithë dhe të vdesim me nderë për liri e të drejta qi po duen me na i shkelun! >>
Burrat e urtë si Smail Çunmulaj, Kolë Zefi, Nikollë Gali, Ali Zeku, Prentash Zeka, Lucë Maxhi, Zenel Caku, Gjon Lucnikaj, Tomë Nika dhe Sherif Kërnaj e Nikë Zeka, e qetësuen popullin vëlaznisht mos me e mësye tribunën e atyne kriminelave, qi, n’emën të vëllaznimit marksist, shpallën robnimin e nji krahine liridashtëse. Kundërshtuen, me fakte edhe me baza të drejta njerëzore, ndamjen prej atdheut shqiptar. Age Gruda, ndër të tjera, tha se kjo tragjedi s’ka motër as shoqe në histori marksiste as fashiste. Kolë Zefi me za të naltë, i tha Shevqet Peçit:
– Shkop e litar merri me vehte dhe përdori ku je mësue! Ndeshjet tona me malazez, dijmë na e dijnë ata, si i bajmë. E mjera Shqipni me ju, edhe të mjerët na për të, qi e kryesueki ju, edhe po na lëshoni sot prap në robni të Shkjaut, qi nuk ngihet kurr me gjak të shqiptarëve!…
Brigadat shqiptare dhe malazeze dhanë sheje se jemi nga çdo anë të rrethuem, por burrat e maleve tona nuk i banë beft aspak…
Vendimi ishte dhanë nga jugosllavët dhe ashtu mbeti për kobin kombëtar dhe për turpin e përjetshëm të komunistave të Shqipnisë. Gjendja u keqësue shumë. Nji pushkë me krisë ishim gati për luftë të dy palët. Të gjithë malësorët ishim t’armatosun mirë deri në dhambë dhe të vendosun me vdekë trimnisht për të drejtat tona. Partizanët muerën pozicione të reja largas…. Zemrimi në Shevqet Peçin me shokë të tij shqiptarë, kaloi çdo kufi. Ndërkaq, Muzafer Spaho, i prekun shpirtnisht nga kjo tragjedi kombëtare, u çue e tha:
– Vëllazën shqiptarë, po e shoh se jeni burra të mirë e atdhetarë të vërtetë. Na kemi luftue kundër fashizmit e rendit të tij, porse jo kurr për me çue në vend kufijt e padrejt të Versajës, e cila na e pati rrëmbye gjysmën e Shqipnisë për me plotësue intrigat imperialiste dhe…
Çka deshti me thanë ma gjatë Muzaferi nuk dihet sepse Peçi e shtyni e nuk e la me folë ma tutje dhe nisi me folë ai vetë. Populli u revoltue shumë qi s’e la Komisarin e Divizionit me e vijue fjalimin. Nga zhurma kundër Shevqetit, qi deshti populli me coptue, nuk u muer vesh çka tha Peçi. Në ket gjendje të trishtueshme duelë në shesh Pater Zef-Leonard Tagaj:
– Ju malazezëve ju lumtë se jeni atdhetarë e të squet, por si i paski shburrnue e shkombtarizue kaq për mnerë kuqanat shqiptarë? Armët kemi me ua dorëzue ju nji herë tjetër, mbasi po e shohim se ramë prap në kthetra tueja.
E ju, o të mallkuemit e Shqipnisë! Si nuk paski mendue paksa për histori tuej të zezë? Mjerë Shqipnia në duer tueja dhe medet për ne, për ju!?
E ju burra, luaj në kafas, të Malsisë së Madhe, detyrën tuej e keni krye, si gjithmonë të parët tuej. Zoti qoftë me ne! Atdheu shqiptar rrnoftë pa këta qi tradhëtuen kaq me turp për ta. Ju, vëllazën të mi shqiptarë, po ju thomë të gjithëve kështu si jemi t’armatosun të nisemi njitash për shtëpia tona.
Të gjithë njiherit u larguem prej atij sheshi në drejtimet tona të ndryshme, shumë të zemruem në komunista shqiptarë të çoroditun…’’
Patër Zefin me disa malësorë, i pushkatojnë komunistat jugosllavë, 12 ditë më vonë!
Pas këtij përshkrimit nga ditari i Prenkë Grudës, po i kthehemi hulumtimit të shpellës, në të cilën siç thotë Nika kam gjetur gëzhoja pushkësh, si duket nga koha e luftërave. Bamë fotografimin, filmimin dhe matjen e shpellës, kah fundi shpella ngushtohet, ku u mundua Gjoni të depërtojë nëpër ato ngushtica, por nuk mundi, me që ajo pjesë asht shumë e ngushtë dhe nuk mundë të depërtojë njeriu, por rrezet e dritës depertojshin ma tej nepër disa hapësira tjera, që siç duket ajo shpellë ka daljen diku në anën tjetër të malit! Mbetet për të ardhmen hulumtimi ma detal i asaj shpelle, meqë në brendësi të saj dhe në hyrje gjindet mure dhe gur të latuar me interesë!
Pas pak u nisëm drejt Razadolit, ku kohëve të funit ishte hapur nji mulli gurit! Pas disa shkrepjeve fotografike, u kthyem mbrapa në drejtim të Vrbës dhe qendrës së Kojës, ku filloi edhe koha të përkeqësohej, duke filluar të bijen fjolla bore.
Gjatë shtegëtimit disa orësh fituam impresionet mbi të kaluarën por edhe të tashmen e Kojës. E kaluara shifet në shpellat, rrënojat, në lapidarët, murishtat e shumëta të kullave të qëndresës, të cilat kanë dhanë burra të cilët me sakrificat e veta i kanë ba vehtes vend në historinë e bujshme të Malësisë së Madhe dhe ma gjanë.
Ashtu siç e ka patur traditë malësori gjithëherë, veproi edhe Nika, i cili nuk na lëshoi të largohemi pa hyrë brenda në shtëpi. Pas pritjes fisnike, siç e ka traditë shtëpia e malësorit, Nika na sugjeroi që shtegëtimin tjetër në Kojë ta zhvillojmë në disa lokalitete tjera interesante, në malet përreth, në katerkandshin, Sjevik – Krijesnik – Razodol – Sumrodol! Ku na presin zbulime, legjenda dhe enigma tjera!
Me respektë Toni!
Fotografitë: Bert Berishaj dhe Anton Pllumaj.