SHPRESA NUK SHPËTON TË VDEKUR POR TË GJALLË!

0
Nga:ZANA TAKO
Lufta e ftohtë është ide dhe qëllim, i cili realizohet kur janë përgatitur të gjitha avantazhet për të zbatuar rregulla të mirëpërcaktuara drejt objektivit të fitores. Fitorja për mbarë njerëzimin është dashuria. Fitorja e armikut të dashurisë është mposhtja e saj.
Valët e terrorit psikologjik, shpërndajnë frekuenca negative për të mbjellë të ashtuquajturën “dashuri në emër të jetës”. Këto valë frekuencash, depërtojnë thellë mendimit të brishtë, të paformuar ende për ekzistencën e kësaj lufte të ftohtë, të ideuar nga vrasës konsistentë të ligjeve antinjerëzore, me qëllim shfarrosjen e së drejtës dhe lirisë së saj.
Njerëzimi është mbërthyer sot në darën e hekurt të frikës për jetën. Frika është fjala e ditës, sëmundja është prapashtesa e saj, e së bashku formojnë togfjalëshin, të mbrojmë jetën, sipas së cilit njeriu duhet të zbatojë rregulla të veçanta, si ilaç i veçantë, kundër frikës ndaj sëmundjes së veçantë.
Veçoria e kësaj frike është distancimi social, i cili në emër të sigurisë krijon ndarje nga njëri-tjetri, duke rekomanduar dashurinë në distancë. Kjo manovër quhet rregull standart, sipas së cilit duhet të mbërrijmë drejt fitores së sigurt, mposhtjes së mikrobit të sëmundjes, i cili nuk duket, por bëhet i dukshëm nëse qëndrojmë së bashku, nëse përqafohemi, nëse duhemi, nëse jetojmë normalitetin e jetës së përditshme.
Afati kohor është mister që zbukuron këtë lloj mjekimi, i cili bëhet vatër infeksioni brenda mendimit të shëndoshë ku nuk gjejmë zbavitjen por frikën, e cila na tkurr, na zbeh, na deformon brenda saj, si ta kishim nënë që na ushqen me gji. Por ne nuk jemi fëmijë të frikës, as pasardhës të saj, as kemi formuar breza frikamanësh që t’i nënshtrohemi toneve të saj që herë zbehen e herë forcohen. Këto tone janë pjesë e elementëve të panjohur deri më sot nëpër fjalime dhe debate, ku mbillen teori vrastare e jo humane për njerëzimin.
Debatet janë kthyer në sinfoni që ende nuk kanë mbaruar. Dora që dirigjon fshihet, prandaj edhe muzika herë quhet zhgarravinë e herë e deformuar. Këta lloj dirigjentësh që nuk e njohin vlerën e lirisë dhe të të drejtave të njeriut, nuk mund të mburren në emër të lirisë dhe mbrojtjes së shëndetit të popullsisë. Zhgarravinat që na i shesin si rregulla për të jetuar shëndetshëm në bazë të tyre, janë fryt i punës së zezë të cilën e prodhojnë skutave të fshehta.
Po shohim e do të shohim edhe më tej këtë mbrapshti, e cila tashmë do të hidhet në treg si produkt i vetëm që do të fuqizojë dhe imunizojë shëndetin e njeriut.
Njeriu do përballet me të vërtetën e kësaj mbrapshtie, e cila është e pamëshirshme dhe pa moral njerëzor.
Mbajeni dritën ndezur për të parë, dhe qëndroni vigjilent për të kuptuar! Të mençurit dinë ta dallojnë mbrapshtinë, por të verbërit bien lehtë në kurthe që ngre i paudhi.
Shpresa nuk shpëton të vdekur por të gjallë!

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.